Policia në aksion, arrestohen 13 persona në Prishtinë
Policia e Kosovës lidhur me rastet e incidenteve të raportuara në ditët e kaluara, përfshirë incidentin i cili kishte ndodhur jashtë objektit dhe hapësirave shkollore në rr. Zija Shemsiu” në lagjen Dardania në Prishtinë, ka ndërmarrë veprimet e vazhdueshme hetimore dhe operacionale në funksion të sqarimit të rrethanave të plota dhe zbulimin e këtyre rasteve dhe veprave tjera penale të mundshme.
Siç njofton Policia, më datë 28.05.2021 rreth orës 13:30 është raportuar se nga disa persona të dyshuar është sulmuar viktima (A.H) duke i shkaktuar lëndime trupore dhe më pas të dyshuarit janë larguar menjëherë nga ai lokacion.
Në të njëjtën datë rreth orës 14:20 viktima (A.H) ka shkuar në lagjen Ulpiana në Prishtinë dhe ka sulmuar – therur me thikë të dyshuarin (B.G.) duke i shkaktuar lëndime trupore. Lidhur me këtë ngjarje nga njësitet kompetente të stacionit policor Jugu në Prishtinë janë ndërmarr veprime ligjore me që rast iniciuar tri raste penale: “Sulm-lëndim trupor, Lëndim i rëndë trupor dhe Kanosje, specifikuar sipas kodit penal të RKS-së.
“Gjatë procesit intensiv të hetimit të rasteve dhe masave të ndërmarra nga Policia e Kosovës deri në këtë fazë është arritur që:
Të arrestohen dhe intervistohen në cilësinë e personave të dyshuar (13) trembëdhjetë persona, prej tyre (5) pesë persona me urdhër të prokurorit kujdestar janë dërguar në qendër të mbajtjes, ndërsa prej tyre (4) katër personave nga ana e Gjyqtarit të procedurës paraprake i është caktuar masa e paraburgimit.
Janë intervistuar disa persona në cilësi të dëshmitarit, si dhe
Janë ngritur tri (3) tri kallëzime penale nga ana e hetuesisë së stacionit policor Jugu në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se më datë 01.06.2021 nga zyrtarët policorë që veprojnë në rroba civile është konfiskuar një fishek i kalibrit 9×19 mm, ku gjatë procedimit të rastit dhe pas një hetimi preliminar është identifikuar një video ku shihet një person duke lozur me armë zjarri me gaz.
“Në lidhje me këtë Policia menjëherë ka ndërmarrë veprime hetimore ku është identifikuar e dyshuara femër dhe ku gjatë realizimit të urdhër kontrollit është konfiskuar arma me dy karikator dhe (4) katër fishek.”
Policia njofton se e dyshuara është intervistuar dhe me udhëzimin e prokurorit kompetent rasti iniciohet për procedurë të rregullt dhe i referohet hetimeve, ndërsa të gjitha veprimet policore janë ndërmarr në koordinim të plotë me prokurorin kompetent.
“Në kuadër të Planit Operativ “Siguria në ambientet shkollore” në vazhdimësi janë intensifikuar veprimet e zyrtarëve policor në rroba civile me qëllim të ofrimit të sigurisë në dhe përreth objekteve shkollore, parandalimi i incidenteve të mundshme, identifikimi i personave që nuk janë nxënës nëpër shkolla përkatëse, si dhe vëzhgimi dhe komunikimi me persona të përfshirë në incidente të ndryshme.
Aktivitete të tilla parandaluese të Policisë në bashkëpunim edhe me autoritetet shkollore po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për të garantuar një siguri më të madhe për të gjithë”, thuhet në komunikatën e PK-së.