Policia në Gjakovë për gjashtë muaj shqiptoi 3 135 tiketa të gjobave
Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj, ka bërë me dije se ligji i ri ka krijuar progres në përmirësimin e gjendjes në trafik në këtë komunë.
“Në muajt janar-qershor janë shqiptuar 3 135 tiketa të gjobave”, ka thënë Gjokaj të enjten në mbledhjen e shtatë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gjakovës.
Në këtë mbledhje Gjokaj ka dhënë informatën mbi gjendjen e sigurisë në komunën e Gjakovës për periudhën e parë gjashtëmujore të këtij viti.
Ai ka thënë se situata e sigurisë në Gjakovë është duke u përmirësuar për çdo vit. “Situata paraqitet e qetë dhe stabile”, ka thënë ai.
Gjokaj ka bërë me dije se gjatë këtyre gjashtë muajve në Komunën e Gjakovës kanë ndodhur dy vrasje të cilësuara si të izoluara, dy tentim-vrasje, një rast i vetëvrasjes si dhe pesë raste të tjera janë konstatuar si hetime të vdekjes. Komandanti Kristë Gjokaj ka folur edhe për angazhimin policor në luftimin ndaj dukurisë së drogës, ku ka pohuar se gjatë këtyre muajve janë identifikuar 31 raste të posedimit të drogës, e cila ka rezultuar me 35 persona të arrestuar.
/Epoka e re/