Policia në Londër: Përplasja e veturës është ‘sulm terrorist’
Një burrë është arrestuar nën dyshimet për kryerje të “veprës terroriste”, meqë ka përplasur veturën me ndalesat e sigurisë, jashtë ndërtesës së Parlamentit Britanik, duke plagosur disa këmbësorë, ka njoftuar Policia e Londrës.
Policia ka thënë më 14 gusht se është duke e trajtuar këtë incident me veturë si vepër terroriste dhe njësia për Luftim të Terrorizmit është duke drejtuar hetimin.
“Ngasësi mashkull është ndaluar nga zyrtarët që kanë qenë në atë zonë”, ka shkruar policia në profilin e vet në “Twitter”.
Policia ka thënë se asnjë armë nuk është gjetur në skenën e përplasjes në zonën Uestminstër.
Ata kanë shtuar se personi i arrestuar nuk është duke bashkëpunuar me hetuesit.
Të paktën dy persona janë plagosur dhe janë duke u trajtuar në spital, mirëpo policia ka thënë se asnjëri nuk është në rrezik për jetën.
Ndalesat e sigurisë janë rritur në Urën Uestminister, pas sulmit të vitit 2017, kur Khalid Masood kishte drejtuar makinën me shpejtësi në këtë pjesë, duke lënë të vdekur katër persona.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar pas sulmit të 14 gushtit, duke dënuar atë që ka cilësuar “sulm terrorist”.
“Një tjetër sulm terrorist në Londër. Këto kafshë janë të çmendura dhe duhet të përballen me ashpërsi dhe fuqi!”, është shprehur presidenti Trump.