Policia në Nigeri arreston myslimanët që nuk agjërojnë gjatë Ramazanit
Policia islamike në shtetin verior të Nigerisë, Kano, arrestoi 11 myslimanë të martën, të cilët u panë duke ngrënë ushqim gjatë muajit të Ramazanit.
Kano ka një popullsi shumicë myslimane, ku një sistem ligjor islam – Sheriati – vepron së bashku me ligjin laik.
Policia islamike, e njohur gjerësisht si Hisbah, kryen kontrolle të restoranteve dhe tregjeve çdo vit gjatë Ramazanit.
Të 10 burrat dhe një grua u liruan pasi u betuan se nuk do të humbnin më qëllimisht agjërimin.
“Ne arrestuam 11 persona të martën, duke përfshirë një zonjë që shiste kikirikë, e cila u pa duke ngrënë nga mallrat e saj dhe disa persona na lajmëruan,” i tha BBC-së zëdhënësi i Hisbah, Lawal Fagge.
“10 të tjerët ishin burra dhe u arrestuan në të gjithë qytetin, veçanërisht pranë tregjeve ku ndodhin shumë aktivitete.”
Ai shtoi se operacionet e kërkimit do të vazhdojnë, por tha se jomyslimanët janë të përjashtuar.
“Ne nuk i arrestojmë jomyslimanët sepse kjo nuk i shqetëson ata dhe e vetmja herë që ata mund të jenë fajtorë për një krim është kur zbulojmë se ata gatuajnë ushqim për t’ua shitur myslimanëve që supozohet se janë duke agjëruar.”
Lidhur me të arrestuarit, ai tha se ata u liruan pasi u premtuan se do të fillonin agjërimin tani e tutje.
Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit, i cili vendos bazën për mënyrën se si u kërkohet myslimanëve të jetojnë jetën e tyre.
Këtë vit, Ramazani pritet të zgjasë 30 ditë, ku agjërimi fillon të hënën më 11 mars dhe parashikohet të përfundojë të martën më 9 prill.