![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/04/170137888_454391765811336_6583056860641465616_n.jpg)
Policia në zbatim të masave anti-Covid
Policia e Kosovës ka filluar kontrollet në terren për të parë zbatimin e masave të reja anti-Covid.
Sipas njoftimit për medie të policisë, të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme ky institucion po i ndërmerr në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante, konform angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim.
“Planifikimet operacionale kanë për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin dhe parandalimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat e këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë. Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës është duke realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa”, është thënë në njoftimin e policisë.
Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë qytetarët që t’u përmbahen rregullave dhe t’i respektojnë masat anti-Covid, të mbajnë distancën, të vendosin maskën dhe të pastrojnë duart.