Policia ngrit sigurinë në trafik
Policia e rajonit të Prishtinës duke u mbështetur në vlerësimet e fundit që i ka bërë situatës së sigurisë në trafikun rrugor ka shtuar dinamikën e veprimeve dhe masave të ndërmarra me qëllim të përmirësimit të treguesve të sigurisë rrugore dhe uljes së numrit të kundërvajtjeve në trafik.
“Me gjithë faktin se policia në vazhdimësi është angazhuar në kontrollin për zbatimin e rregullave të trafikut nga të gjithë shfrytëzuesit e rrugës duke synuar uljen e numrit të kundërvajtjeve në trafik dhe ngjarjeve aksidentale, është parë e nevojshme që krahas kontrolleve të strukturave të policisë të punohet edhe në drejtim të ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Mbështetur mbi këtë bazë, në kuadër të intensifikimit të punës preventive për forcimin e rregullit si dhe disiplinimin e shfrytëzuesve të rrugës, vetëm për muajin korrik policia e rajonit të Prishtinës ka shqiptuar 14,009 masa administrative për kundërvajtje të ndryshme në trafikun rrugor, me theks të veçantë; Tejkalim i shpejtësisë, 4082 gjoba. Parking i parregullt, 3019 gjoba. Përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, 1172 gjoba. Mospërdorimi i rripit të sigurisë, 907 gjoba. Drejtimi i mjetit pa patentë shofer, 321 gjoba. Xhamat e errët, vendosja e foljes ose materialit tjetër, 285 gjoba. Skadimi i afatit të regjistrimit të automjetit, 280 gjoba. Tejkalim në vijë të plotë, 48 gjoba. Drejtimi i motoçikletës -pa patentë shofer, 25 gjoba. Motoçikleta të larguara nga komunikacioni 18. Drejtimi i motoçikletës -pa regjistrim, 14 gjoba Drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit, 5 gjoba. Të tjera, 3851.
Për kundërvajtjet më të rënda janë shqiptuar edhe; 124 masa administrative, shqiptimi i masës mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik – marrja e përkohshme e patentë shoferit. 112 masa administrative, vazhdim i masës mbrojtëse. 72 masa administrative, shqiptimi i masave mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik, marrja e përkohshme e patentë shoferit të huaj.
Policia e rajonit të Prishtinës ka njoftuar se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, ndërkaq fton të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të shtojnë kujdesin.