Policia nis peticionin, kërkojnë ato që iu mohuan me ligj të pagave si shtesa e rrezikshmërisë në punë dhe shtesat për punë të veçantë

17 maj 2023 | 21:01

Sindikata e Policisë së Kosovës ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve për peticion, përmes së cilit kërkohet përmirësimi i kushteve të punonjësve të këtij institucioni.

Në këtë peticion përmendet Ligji i pagave, shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesat për punë të veçantë, klasifikimi me koeficient për stafin civil e shumë kërkesa të tjera.

Në peticionin që u është dërguar policëve të Kosovës, kërkohet nënshkrimi nga të gjithë ata që kërkojnë sigurimin shëndetësor dhe Ligjin për Pensionim në Policinë e Kosovës.

“Në bazë të ligjit mbi organizimin sindikal Nr.04/L-011, të Ligjit të Policisë Nr.04/L-076 dhe Statutit të Sindikatës, për shkak të pakënaqësive të punonjësve në Policinë e Kosovës, si njëri ndër hapat sindikal, Sindikata e Policisë së Kosovës organizon këtë peticion, përmes të cilit kërkohet nga të gjithë të punësuarit në Policinë e Kosovës ta nënshkruajnë këtë peticion, të gjithë ata që janë të pakënaqur me mungesën e kushteve dhe mirëqenies siç janë: Ligji i Pagave, shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesat për punë të veçantë, klasifikimi me koeficient për stafin civil, shujta ditore, shpërblimi për fund vit për performancë të mirë, tre pagat përcjellëse për të pensionuarit.

Zbritja e përvojës së punës nga 0,5 në 0,25 për 15 vitet e para, sigurimi shëndetësor dhe jetësor, Ligji për Pensionim në Policinë e Kosovës, etj”, thuhet në peticionin e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Në përshkrimin e këtij peticioni, thuhet se i njëjti do të ju dërgohet të gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe ambientit, Hysen Durmishi ka njoftuar se…