Policia nis planin operativ ‘Goditja’ për rritur sigurinë në vend

08 gusht 2023 | 23:33

Policia e Kosovës njofton se nga sonte ka filluar së zbatuari planin operativ ‘Goditja’, i cili do të shtrihet në tërë vendin.

Sipas Policisë, ky plan operativ ka për qëllim shtimin e masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike.

“Detyrat që parashihen të realizohen gjatë zbatimit të planit operativ ‘Goditja’, janë shtimi i aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia thotë do të ketë bashkëpunim me organet e drejtësisë në koordinim të aktiviteteve dhe trajtimin e rasteve eventuale që mund të iniciohen gjatë zbatimit të këtij plani.

“Policia do të trajtojë në aspektin policorë çdo informatë nga qytetarët dhe informatat inteligjente, me qëllim të parandalimit të rasteve e akteve kriminale.

Do të shtohen kontrollet policore ndaj personave e automjeteve me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të gjërave të ndaluara me theks të veçantë armëve dhe mjetet tjera të rrezikshme për jetën”, thuhet tutje në njoftim.

Policia fton të gjithë qytetarët që për çdo gjë të dyshimtë që vërejnë të lajmërojnë policinë “sepse çdo informatë e dhënë me kohë, mund të parandalojë një akt kriminal ku mund të rrezikohet jeta dhe siguria publike”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ruajtja e virgjërisë deri në martesë, edhe në ditët e…