Policia njofton për rritje të sulmeve kibernetike
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë rritur rastet e sulmeve kibernetike.
Situata e krijuar me pandeminë e koronavirusit SARS-COV-2, sipas policisë, po shfrytëzohet nga persona keqbërës, të cilët keqpërdorin mundësitë teknologjike dhe internetin, me qëllim përfitimi material, por edhe qëlllime tjera të paligjshme.
“Mashtrimi kompjuterik ka të bëjë me kërkesat për pagesa gjoja për shërimin e pacientëve me COVID-19, pastaj marrja e të dhënave personale përmes e-mail-ave të cilët kanë të bashkëngjitur virus kompjuterik të mbuluar me ndonjë dokument dhe link”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në Kosovë, në kuadër të parandalimit dhe luftimit të krimit kibernetik, Policia e Kosovës ka hasur në disa kërcënime ndaj të cilave qytetarët tanë janë të ekspozuar, sidomos këto ditë kur shumica e aktiviteteve ditore janë orientuar nga interneti.
“Vlen të theksohet se nga fillimi i shfaqjes së pandemisë COVID-19 është vërejtur një rritje e profileve të rrejshme në rrjete sociale, përmes të cilave keqbërësit kibernetikë kanë tentuar të përfitojnë duke dezinformuar me lajme të rrejshme. Gjithashtu, vërehet një rritje e lehtë në rastet që kanë të bëjnë me veprat penale ‘Hyrje në sistemet kompjuterike’ dhe ‘vjedhje e identitetit’, ku kryesisht keqbërësit kanë tentuar në mënyra të ndryshme të përfitojnë”, thuhet ndër të tjera, në njoftimin e policisë.
Me qëllim që të minimizohen kërcënimet dhe qytetarët të mos bien viktimë e tyre, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të internetit.
/Epoka e re/