Policia paralajmëron masa nëse s’pranohet kërkesa për sigurim shëndetësor

30 prill 2018 | 18:57

Shaban Tasholli, nënkryetar i sindikatës së Policisë së Kosovës, ka paralajmëruar masa nga kjo sindikatë, nëse nuk realizohet kërkesa e policëve për sigurim shëndetësor.

Dy ditë pasi dy policë kishin rënë me veturë zyrtare në lumin Lepenc dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre, Tasholli ka kujtuar edhe rastet e kaluara duke bërë të ditur se të gjitha familjet e policëve të rënë në detyrë marrin paga nga sindikata. “Në vazhdimësi kemi pas kontakte me familjarët e policëve të rënë në detyrë. Si sindikatë jemi detyruar të kërkojmë edhe ndihma për ato familje. Kemi grumbulluar në dy runde nga 45 mijë euro, ndërsa në rundin e tretë 200 mijë euro. Në grumbullimin e fondit, tani ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli përmes kompanisë së tij ka dhënë 50 mijë euro, Elkos-i e disa kompani të tjerë kanë kontribuuar me shifra të mëdha.  Edhe si drejtori, edhe si ministri jemi munduar që të jemi afër familjeve. Si sindikatë, por edhe si drejtori kemi vizituar çdo familje. Është rrogë mujore që marrin. Tani marrin rreth 300 euro çdo familje e policit që ka humbur jetën në detyrë”, është shprehur ai.

Tasholli ka thënë se kryesia e sindikatës së Policisë së Kosovës do të marrë pjesë në protestën e nesërme, më 1 maj, të organizuar nga BSPK. Ai në “Express Intervistë” në “KTV”,  ka deklaruar se po shqyrtojnë edhe hapat e ardhshëm, nëse nuk plotësohet kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental. Tasholli po ashtu ka thënë se nuk përjashton mundësinë e protestave.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Clevelandi ia del mbanë të eliminojë Indiana Pacers dhe të…