Policia parandalon kontrabandën me mallra, konfiskohet tekstil në vlerë prej 7 mijë euro
Policia në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka zhvilluar një operacion, ku në kufirin në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është parandaluar kontrabanda me mallra.
Një mjet i cili po vinte nga shteti fqinj, dyshohet se përmes rrugëve malore kishte për qëllim kontrabandën e tekstilit në Kosovë.
“Gjatë kontrollit të realizuar në automjet është gjetur tekstil në disa thasë, kryesisht veshmbathje të ndryshme, në sasi prej gjithsej 617 copë, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas tregut kap shifrat rreth 7000 euro (shtatë mijë euro)”, është thënë në njoftimin e policisë.
Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me vendim të së cilës malli së bashku me automjetin dërgohen në terminalin doganor “Dheu i Bardhë” ndërsa tre personat e dyshuar të përfshirë në rast janë liruar në procedurë të rregullt.