Policia për tri javë shqipton 33 gjoba në autostradën ‘Arbër Xhaferi’
Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Kontroll të Autostradave, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në autostradën “Arbër Xhaferi”, ka hartuar dhe ka zbatuar një plan operativ.
Disa pjesëmarrës në trafik, në autostradën ‘Arbër Xhaferi’, me saktësisht në urën mbi lumin “Lepenc”, për kuriozitet dhe për shkak të bukurive që ofron kjo urë, kanë ndaluar me automjetet e tyre në shiritat emergjentë dhe kanë zbritur nga automjetet ku në shumë raste kanë bërë edhe fotografi të ndryshme, me ç’rast është rrezikuar siguria e tyre dhe e pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Në këtë kontekst, me qëllim të shtimit të sigurisë në autostradë, policia ka bërë me dije se gjatë tri javëve të shkuara ka shqiptuar gjithsej 33 tiketa në këtë lokacion, prej tyre 28 tiketa ndaj shoferëve për ndalje në autostradë dhe 5 për lëvizjen e këmbësorëve në autostradë.
“Policia e Kosovës, apelon dhe kërkon nga qytetarët në përgjithësi dhe drejtuesit e automjeteve në veçanti, që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me theks të veçantë të mos bëjnë shkelje të rregullave të qarkullimit në autostradë sepse po rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerëve. Policia do të ndëshkojë të gjithë ata që bëjnë shkelje të tilla”, është thënë në njoftimin Policisë së Kosovës.
/Epoka e re/