Policia pranon donacion vetura dhe pajisje teknologjike nga Gjermania
Policia e Kosovës ka pranuar një donacion me vetura dhe pajisje teknologjike nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.
Pjesë e ceremonisë zyrtare ishte i pranishëm ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde si dhe menaxhmenti i lartë i policisë.
Me këtë rast, drejtori i përgjithshëm i policisë, Gazmend Hoxha është shprehur mirënjohës ndaj ambasadës gjermane për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, teksa ka thënë se dhurimi i këtyre donacioneve do të ndikojë pozitivisht në luftimin e të gjitha akteve kriminale.
Ndërsa ambasadori Rohde ka theksuar se automjetet dhe pajisjet e dhuruara, janë pjesë e një bashkëpunimi, brenda të cilit Policia Federale gjermane ndanë teknologjinë më moderne dhe taktikat hulumtuese për të forcuar përkushtimin e Kosovës për të siguruar kufijtë e saj dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjithë rajonit.
Ambasada e Republikës së Gjermanisë si partnere e përhershme e Policisë së Kosovës gjatë dy viteve të fundit ka përkrahur policinë me 59 vetura, 5 kombi-bus dhe 10 motorë të terrenit, ndërsa në fushën e teknologjisë informative me 130 kompjuter, 16 llaptop, laborator për pikën kufitare në Han të Elezit, projektorë, pajisje të ndryshme për kontrollimin e dokumenteve dhe skenimin e veturave gjatë kontrollit në kufi, dylbi, kamera termike, detektor për identifikim te njerëzve dhe pajisje të tjera.