Policia pranon nga KFOR-i një donacion për Drejtorinë e teknikës kriminalistike
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovë, Rashit Qalaj, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Lorenzo D’addario dhe komandantin e Regjimentit Karabinieri MSU (Multinational Specializated Unit) kolonelin Ruggiero Capodivento.
Qalaj ka falënderuar komandantin e KFOR-it dhe komandantin e MSU-së për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Policisë së Kosovës, qoftë me trajnime apo pajisje dhe aparatura të punës për njësi të ndryshme të policisë.
Ndërsa, komandanti i KFOR-it, Lorenzo D’addario, ka thënë se një nga detyrat e misionit të KFOR-it është edhe mbështetja e institucioneve të sigurisë, në veçanti e policisë, e cila sipas tij është bartësja kryesore e sigurisë në Kosovë.
Ai ka thënë se policimi efektiv është bazë për siguri dhe Policia e Kosovës është shembull në këtë aspekt.
Policia e Kosovës me këtë rast ka pranuar një donacion të pajisjeve nga MSU – Karabinieri të cilat do të shërbejnë për njësinë e krim-teknikës (forenzikës) së Policisë së Kosovës. Këto pajisje do të rrisin edhe më tej nivelin e profesionalizmit të zyrtarëve të PK-së dhe do të ndihmojnë në kryerjen e detyrave me metoda më bashkëkohore.
/Epoka e re/