Policia: Qytetarët në veri kërkojnë vazhdimin e afatit për targat
Drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut ia ka përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës kërkesën e qytetarëve për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në ato kosovare.
Kështu ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, duke theksuar se me këtë kërkesë u janë drejtuar qindra qytetarë.
“Pres që shpejt të marrim përgjigje nga MPB-ja. Presim një përgjigje pozitive”, ka thënë Elshani.
Bëhet fjalë për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës, si KM (Kosovska Mitrovica), GL (Gjilan), PR (Prishtina) e kështu me radhë.
Çështja e targave ishte ajo që shkaktoi një sërë krizash në veri të Kosovës.
Fillimisht, më 31 korrik të vitit të kaluar u ngritën barrikada për shkak të kësaj çështjeje. Më pas, në nëntor, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri për shkak se ishte suspenduar drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa RKS.
Plani i Qeverisë së Kosovës i tetorit të vitit të kaluar parashihte që nga 21 prilli 2023 të lejohet qarkullimi i automjeteve vetëm me targa RKS.