Policia raporton për sulmin me miell ndaj ministrit Murati
Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë së shtunës është gjuajtur me miell nga aktivistët e PSD-së.
Nol Nushi, Zgjim Hyseni dhe disa aktivistë të PSD-së hodhën miell mbi ministrin derisa ai ishte duke dalë nga një lokal në lagjen Dardania në Prishtinë.
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar se menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me ministrin Murati.
Policia njofton se prokurori ka sugjeruar që të bëhet shënim zyrtar për procedura të mëtejme ligjore.
“Në gazeta të ndryshme dhe rrjete sociale ka qarkulluar një video ku shihen disa persona duke hedhur miell mbi një ministër të RKS-së.
Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin ku ka ndodhë incidenti, është kontaktuar ministri, i cili ka njoftuar se nuk është lënduar.
Është njoftuar prokurori i cili ka sugjeruar që të bëhet shënim zyrtar për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në raport.