Policia ‘ruan’ pacientët me Covid-19 nga familjarët
Autoritetet e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës kanë marrë masa për të pamundësuar qasjen e famljarëve të personave të sëmurë nga COVID-19, si dhe individëve tjerë të paautorizuar, në klinikat ku këta të fundit po trajtohen.
Pavarësisht që familjarëve të personave me koronavirus, sëmundje kjo që shkaktohet nga COVID-19, u ndalohet qarkullimi i lirë jashtë shtëpive të tyre, për shkak se konsiderohen si persona të kontaktit të ngushtë me të infektuarin, në disa raste familjarët e tillë kanë gjetur mënyra për të hyrë brenda klinikave ku po trajtohen familjarët e tyre të infektuar.
Këtë e konfirmojnë edhe zyrtarët e Shërbimit Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovës (SHSKUK).
Për më shumë, sipas tyre, asnjë personi, që nuk i takon stafit shëndetësor që përkujdeset për këta pacientë, nuk i lejohet qasja në klinika, si dhe kontakti me personat me koronavirus.
Kontakti me pacientët e infektuar , përmes “rrugëve alternative”
Valbon Krasniqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë qytetarët e vendit, e sidomos familjarët e personave të infektuar me koronavirus dhe që janë duke marrë trajtim spitalor, kanë për obligim që t’i zbatojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe të atyre qeveritare.
“Ata nuk lejohet të dalin nga shtëpitë e tyre. Duhet të jenë të vetizoluar për shkak se janë raste të kontaktit. Pra, e kam fjalën për anëtarët e ngushtë të familjes. Pra, fillimisht, ata duhet që të mos dalin nga shtëpitë e tyre. Ndërkohë që sigurimi fizik (në QKUK) i ka të gjitha kompetencat për të ndaluar hyrjen e tyre. Fatkeqësisht, ndonjëherë, ka edhe persona që gjejnë rrugë alternative për t’u qasur deri te klinikat dhe brenda tyre. Por, mendoj që është e vërtetë që ka ende vend për përmirësim për këtë çështje. Megjithatë, mendoj se tani është duke shkuar në atë drejtim dhe menaxherët e klinikave janë duke marrë masa që kjo mos të vazhdojë”, tha Krasniqi.
SHSKUK me mobilizim të ri për menaxhimin e pandemisë
Radio Evropa e Lirë ka raportuar më 5 korrik për disa raste kur familjarë të pacientëve me sëmundjen Covid -19, kanë deklaruar se kanë qëndruar pranë të afërmve të tyre gjatë mjekimit në QKUK.
Humolli: Shoqërimi i pacientëve me COVID-19 brenda QKUK-së, në kundërshtim me udhëzimet e OBSH-së
Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, kanë deklaruar se qasja dhe prania e personave që nuk i takojnë stafit shëndetësorë te personat e infektuar në klinikat ku ata po trajtohen, është e ndaluar.
Isme Humolli, zyrtare për emergjenca e OBSH-së në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë që prania e familjarëve ose çdo individi që nuk është pjesë e stafit mjekësor në klinikat ku trajtohen pacientët me koronavirus, bie ndesh jo vetëm me rekomandimet e OBSH-së, por edhe me Ligjin për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse.
“Insistimi i familjarëve është çështje subjektive. Ata dëshirojnë që të jenë pranë familjarëve. Këtë duhet ta kuptojmë. Por, janë institucionet dhe sistemi, të cilët nuk duhet të lejojnë një gjë të tillë. Ne, si punëtorë të shëndetit publik, duhet t’i bindim që kjo është gabim, duke komunikuar me ta. Vetëm kjo, duke u shpjeguar se mundësia e bartjes së infeksioneve, jo vetëm e COVID-19 brenda në spital, por edhe e infeksioneve tjera, është shumë e madhe”, theksoi Humolli.
Policia ndihmon në ndalimin e qasjes të së paautorizuarve në klinika
Më 1 korrik, Qeveria e Kosovës, ka miratuar masat shtesë për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID -19. Një njërën nga këto pasa parashihej “ndalimi i vizitave të familjarëve të pacientëve në institucionet shëndetësore”.
Qeveria me masa të reja, mbi 500 euro gjoba për mosrespektim
Por, gjithashtu, në këtë rekomandim, ishte thënë që “lejohet vetëm një person sipas nevojës”.
Sipas Humollit, ky rekomandim, i cili aktualisht më nuk vlenë, ishte thënë në mënyrë të gabuar.
“Jo që është keqkuptim, por ndoshta është thënë edhe në mënyrë të gabuar. Por, ajo në fakt është suspenduar. Me masat e reja që janë vënë, ajo nuk është e vlefshme më. Kur ndërmerren masat e reja, çdo masë që ka qenë më herët, suspendohet. Por, nuk guxon asnjë peson, përveç pacientëve dhe personelit shëndetësor, që të jetë i pranishëm në ambientet shëndetësore në rastet e epidemisë dhe pandemisë”, tha Humolli.
Përpjekjet e individëve të caktuar për të hyrë brenda klinikave ku janë duke u trajtuar pacientët me koronavirus, kanë vazhduar, ndonëse jo me intensitetin e disa ditëve më parë.REL