Policia sekuestroi në Dukagjin kokainë dhe marihuanë në vlerë 600 mijë euro
Një aksion i gjerë policor është zhvilluar të mërkurën në rajonin e Dukagjinit, saktësisht në Deçan dhe në Gjakovë.
Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se nga ky operacion janë bastisur dhjetë lokacione, ku janë ndaluar shtatë persona të dyshuar për veprat penale: “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres se kokainës apo kanabisit” nga neni 272 dhe Blerja, posedimit, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Po ashtu është theksuar se gjatë bastisjes në Komunën e Gjakovës janë sekuestruar rreth 500 gramë narkotikë të dyshuar të llojit kokainë, ndërsa gjatë bastisjes në Deçan në disa lokacione janë sekuestruar dhe asgjësuar rreth 180 bimë të mbjellura të narkotikëve të llojit marihuanë, në sasi totale mbi 100 kilogramë.
“Gjithashtu, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar edhe armë, telefona, para kesh dhe prova tjera materiale të cilat do shërbejnë për ndriçimin e kësaj çështje penale”, ka njoftuar Prokoria Themelore në Pejë.
Sipas këtij njoftimi, vlera totale e drogës së sekuestruar dhe asgjësuar është më së paku 600 mijë euro.
“Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor kundër shtatë të pandehurve do paraqes kërkesën për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente”, është thënë në njoftim.