Policia sekuestron 131 vetura të paregjistruara në Kosovë
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar-Njësia për Hetimin e Auto-krimeve, në bashkëpunim të plotë me Doganën e Kosovës dhe njësitë tjera policore, ka ndërmarrë një operacion të gjerë policor të quajtur “Targat”.
Gjatë këtij operacioni policor, i cili është shtrirë në tërë territorin e Kosovës, janë sekuestruar mbi 130 vetura të paregjistruara.
“Operacioni policor i zhvilluar nga data 15.10.2018 deri më datë 12.11.2018, ka rezultuar me kontrollimin e një numri të madh të veturave, në mesin e të cilave janë sekuestruar 131 vetura të cilat janë dërguar në Doganat e Kosovës për vazhdim të procedurave doganore. Po ashtu janë konfiskuar edhe 2 vetura që dyshohet se janë të vjedhura. Policia e Kosovës do të vazhdojë me aktivitete edhe në të ardhmen në mënyrë që veprimet e tilla antiligjore të minimizohen, rrugët tona të jenë më të sigurta dhe të mos dëmtohet buxheti i vendit”, është thënë në njoftimin e Policisë.
/Epoka e re/