Policia sekuestron një revole në pikë kalimin kufitar në Merdarë
Një revole me gaz është gjetur të mërkurën gjatë kontrollit në bagazhin e autobusit në pikë kalimin kufitar në Merdarë.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
Sipas policisë autobusi ka qenë i një kompanie vendore i linjës Itali – Kosovë.
“Më datën 20.12.2023 në ora 09:05 në Pikë Kalimin Kufitar në Merdar, në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtarë policorë kufitar së bashku me zyrtarët doganor gjatë kontrollimit në bagazhin e autobusit të një kompanie vendore, i linjës ndërkombëtare Itali-Kosovë, me vozitës m/k dhe ndihmës vozitës m/k kanë gjetur një armë (revole me gas), e cila kishte qenë e fshehur në një valixhe udhëtarësh”, thuhet në raportin e policisë.
Arma është sekuestruar me autorizim të Prokurorit të Shtetit.
“Rasti është iniciuar në procedurë të rregullt “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Edhe me 30 qerdhor Policia e Kosovës kishte njoftuar se njësiti policor në veturën me targa të Serbisë një të dyshuari serb i ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë.
Në raportin e Policisë ishte thënë se rasti kishte ndodhur në veri të Mitrovicës, ndërsa i dyshuari ishte liruar në procedurë të rregullt.