Policia sërish me bastisje të reja për rastin e Banjskës
Policia e Kosovës, sërish ka nisur një aksion në Veri të Kosovës, në kuadër të hetimeve që lidhen me rastin e 24 shtatorin në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, tashmë i shpallur nga institucionet e Kosovës, hero.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Veri, Veton Elshani.
“Po kemi sërish bastisje të reja për rastin në Banjë, deri në këtë moment s’ka asnjë të arrestuar. Por, që do ju mbajmë të informuar pas përfundimit të aksionit”, deklaroi Elshani për AP.
Deri tani përmes disa aksioneve Policia ka kapur arsenal armësh në Veri, që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit.
Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.
Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.
Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.
Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan nga Policia pas sulmit, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.