Policia shpall tender 1.5 milion euro për furnizim me ushqim
Policia e Kosovës ka shpallur tender për furnizim me ushqim. Për këtë tender planifikohet të shpenzohen 1.5 milion euro .
Bazuar në njoftimin për kontratë të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, kompania që e fiton këtë tender duhet të dërgojë furnizimin në cilëndo pikë që i kërkohet në gjithë territorin e vendit.
“OE duhet të dërgoj furnizimin në cilën do pikë që kërkon AK në tërë territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kohëzgjatja e kësaj kontrate është për 36 muaj.
“Qëllimi i këtij aktiviteti te prokurimit është furnizimi dhe pergaditja me ushqim për Policin e Kosovës sipas kërkesave te AK”, thuhet tutje në njoftim.
Vlera e saktë e parave që ka planifikuar Policia të shpenzojë për këtë tender është 1 milion e 555 mijë e 410 euro.
Kompanitë e interesuara për ta kryer këtë furnizim kanë afat që të dorëzojnë ofertat deri më 20 qershor, në orën 14:00, kur edhe do të bëhet hapja e tenderëve.
Në fund të njoftimit, Policia ka bërë me dije se kontrata aktuale që kanë ka validitet deri në mars 2023, por se shkaku i pandemisë, numrit të madh të operacioneve policore dhe zgjedhjeve të parakohshme, “janë shpenzuar shumica nga pozicionet e caktuara”.
“Arsyetimi nga njësia kërkuese në bazë te informacioneve që posedoj nga projekt menaxheri, kontrata ka validitet deri ne Mars te vitit 2023 mirëpo sipas kushteve te kontratës devijimi i lejuar +- 30% vleni për pozicion artikull dhe aktualisht janë shpenzuar shumica nga pozicionet e caktuara dhe konsideroj se për një rritje te tille kane ndikuar edhe rrethanat si në vijim Ø Situata pandemike Ø Numri i madh i operacioneve te zyrtareve policor te angazhuar për te cilët është aprovuar edhe mbështetja me furnizim me ushqim, Ø Mbajtja e zgjedhjeve te parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës etj. Duke marr parasysh rëndësinë e projektit në fjalë në mënyrë që të mos mbesin pa ushqim pasi kjo reflekton ne realizmin e detyrave operacionale , me mirëkuptim kërkojmë nga ana juaj të shqyrtohet mundësia e shkurtimit të afateve të publikimit sipas Ligjit te Prokurimi Publik”, thuhet në njoftimin për kontratë./Gazeta Express
*Fotoja është e ushqimit që u ishte servuar policëve gjatë aksioneve në veri