Policia shqiptare sekuestron mjete piroteknike që synim kishin stadiumin ‘Air Albania’
Policia shqiptare ka sekuestruar në mesditë nga disa tifozë një numër të konsiderueshëm flakadanësh, kapsollash dhe lëndësh të tjera piroteknike.
Tifozët këto mjete tentuan t’i fusnin në mes flamujve dhe banderolave që shërbejnë për dekor, për t’i futur pastaj kundërligjshëm në ndeshjen Shqipëri-Poloni në stadiumin “Air Albania”.
“Policia ka marrë masa për shoqërimin në Komisariat, të shtetasve përgjegjës, si dhe për çdo rast tjetër që do të konstatohet gjatë kësaj kohe, do të merren masa për shoqërimin dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës”, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.
Përndryshe, Shqipëria sot do të ballafaqohet me Poloninë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, duke filluar nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania”.