Policia sqarohet për protestat në veri: Po përkujdesemi për ruajtjen e rendit
Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi është duke u angazhuar në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në veri të Mitrovicës.
“Bazuar në informacionet dhe paralajmërimet për mbajtjen e protestave/tubimeve për sot, në disa komuna me komunitet serb, Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare ka bërë planifikimet e saja operacionale. Plani operacional i PK-së parasheh ndërmarrjen e masave operative policore, për t’u siguruar se mbarëvajtja e protestave/tubimeve të kalojë e qetë dhe pa incidente, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Si çdo herë, Policia e Kosovës, fton qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, ka njoftuar policia.