Policia themelon task forcë për parandalim të aksidenteve në trafik
Policia e Kosovës pas rritjes së numrit të madh të aksidenteve gjatë ditëve të fundit, ka themeluar task forcën e saj për të parandaluar aksidentet në trafik.
“Apelet, fushatat vetëdijësuese, veprimet operacionale policore, qasja e institucioneve tjera relevante që kanë rol dhe ndikim në ndryshimin e kësaj gjendje në trafik, shfaq nevojën e krijimit të mekanizmave shtesë për të kontribuar për një siguri edhe më të madhe nëpër rrugët tona. Dhe për këtë qëllim Policia e Kosovës nga sot ka themeluar task forcën për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, qëllimi kryesor i kësaj task force është që përmes komandës dhe kontrollit të ndikohet direkt në parandalimin e aksidenteve të trafikut rrugor, duke angazhuar sa më shumë personel policor nga niveli qendror dhe ai lokal, duke përfshirë edhe stafin udhëheqës të policisë.
Plani veprues dhe parandalues i kësaj task force parasheh përfshirjen, koordinimin dhe bashkërendimin e njësiteve të ndryshme në terren, në pika kontrolli, akse rrugore, si dhe aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore, për arritjen e parandalimit të aksidenteve në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale.
“Gjithashtu, për të arritur dinamikën e ndikimit tek shoferët pjesëmarrës në trafik do të aplikohet ‘zero tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve’”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Për një efekt parandalues-pozitiv të këtyre angazhimeve dhe masave operative të planifikuara, Policia e Kosovës kërkon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht te shoferët/drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë rregullat që dalin nga Ligji i trafikut rrugor.
/Epoka e re/