Policia thirrje qytetarëve: Festoni me zemër e jo me armë, mos shndërroni gëzimin në hidhërim
Policia e Kosovës përmes planifikimeve operacionale, aktiviteteve policore dhe fushatave sensibilizuese, po vazhdon angazhimet e saja në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe në parandalimin e përdorimit të armëve të zjarrit në organizime festive në mbarë vendin.
Përveç shtimit të prezencës policore në ambiente të hapura, në sheshe, në afërsi të lokaleve të ndryshme ku mbahen organizime festive, policia po ndërmerr veprime konkrete edhe në konfiskimin e armëve dhe mjeteve tjera të kundërligjshme, që në disa raste fatkeqësisht ende po përdoren në ahengje të ndryshme.
Në komunikatën e dërguar për media, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka reaguar në dy raste të ndryshme ku ka pasur të shtëna festive dhe ka sekuestruar 20 gëzhoja, përderisa gjatë muajit korrik të këtij viti ka reaguar në 13 raste, të gjitha në ahengje, si dhe ka sekuestruar 11 armë dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.
“Posedimi dhe përdorimi i armëve në përgjithësi e në veçanti në festa dhe ahengje, është i ndaluar dhe sanksionohet me ligj, andaj festoni me zemër e jo me armë, mos e shndërroni gëzimin në hidhërim dhe tragjedi”, thotë më tej policia në komunikatë.