Policia thotë se ka marrë kërkesa nga qytetarët në Veri për t’i regjistruar veturat me targa RKS
Qytetarët serbë në Veri po kërkojnë që t’i riregjistrojnë automjetet e tyre me targa “RKS”. Me këtë kërkesë të qytetarëve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Veri i është drejtuar MPB’së, mirëpo deri tash thonë se nuk kanë pranuar përgjigje.
Targat janë një nga çështjet më të nxehta mes Kosovës dhe Serbisë, që ka qenë edhe ‘mollë sherri’ për shumë tensione në pjesën veriore. Qytetarët atje me vite kanë refuzuar që të marrin targat “RKS”, pasi ata vazhdimisht kanë marrë targa ilegale të lëshuara nga Serbia.
Ditëve të fundit Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Veri ka pranuar kërkesa nga qytetarët serbë që t’i riregjistrojnë automjetet me targa ‘RKS’.
Zëvendësdrejtori i Policisë për veri, Veton Elshani i tha Gazetës Express se kërkesën e qytetarëve e kanë drejtuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme por se deri tani nuk kanë pranuar përgjigje.
“Ka interesim nga qytetarët që t’i regjistrojnë veturat me targa ‘RKS’. Meqë kemi pasur shumë kërkesa nga qytetarët në Veri, atëherë ne i jemi drejtuar MPB’së me kërkesën që ta gjejmë një zgjidhje që t’ua plotësojmë këtë kërkesë qytetarëve atje, mirëpo deri tash nuk kemi pranuar përgjigje”, tha Elshani për Express.
Për këtë çështje, në adresë të MPB’së ka dërguar pyetje edhe Gazeta Express, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Djegia e veturave me targa ‘RKS’
Gjatë muajit janar të vitit 2023, MPB ka thënë se 36 qytetarë serbë të veriut i kanë konvertuar targat nga ato ilegale “KM” në ato legale ‘RKS’.
Pas interesimit të serbëve për të marrë targa legale, u regjistruan disa raste të djegies së veturave, të cilat mbanin targat ‘RKS’.
Në tre muajt e parë të vitit 2023 u patën raportuar 10 raste të zjarrvënies së veturave në Veri.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Policia e Kosovës kishte njoftuar se 10 raste të tilla janë raportuar edhe gjatë vitit 2022.
Policia kishte thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operative për identifikimin e autorëve.
Ndërsa, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi më 6 prill pati thënë se janë të brengosur se Serbia mund ta destabilizojë situatën, pas djegies së disa veturave.
“Ekziston një brengë që ka potencial nga ana e Serbisë që ta destabilizojë situatën, gjithmonë duke keqpërdorur temën e targave. Ju e keni parë javën e kaluar aktivitetin e shtuar të strukturave ilegale dhe kriminale në veri në djegien e veturave të qytetarëve serbë”, tha Bislimi.
Pas djegies së disa veturave, Bislimi kishte thënë se “vullneti i qytetarëve është ndrydhur” dhe se ata “kanë pushuar së regjistruari” veturat në RKS.
“Ka pasur rënie të gatishmërisë nga 137 vetura të regjistruara në ditë në 0 vetura më datën 3 prill”, tha Bislimi, duke theksuar se “serbët janë nën trysni të madhe”.
Përveç nga autoritetet në Kosovë, djegia e veturave ishte dënuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.