Policia thotë se operacionin ndaj strukturave paralele e zhvilloi me kërkesë të MAPL-së

15 janar 2025 | 16:38

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për medie në lidhje me aksionin e sotëm për mbylljen e komunave paralele, duke thënë se ishte kërkesë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Ndër të tjerash është bërë me dije se operacioni është zhvilluar në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut.

Policia ka thënë se është ndërprerë aktiviteti i “disa institucioneve të jashtëligjshme që vepronin si komuna, posta e banka, që ofronin shërbime të jashtëligjshme”.

Komunikata e plotë:

Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, angazhohet për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në nivel vendi, përfshirë ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.

Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, sot në orët e hershme të mëngjesit, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, ka realizuar një operacion të gjerë policor, operacion ky i shtrirë në disa rajone të Kosovës: DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu, për ndërprerjen e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme që vepronin si komuna, posta, banka etj., të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme, kundër rendit kushtetues dhe ligjeve pozitive të Republikës së Kosovës.

Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku Policia e Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka asistuar zyrtarët e kësaj ministrie si dhe të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ndërprerjen e aktiviteteve të jashtëligjshme të këtyre institucioneve.

Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati per Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Driton…