Policia tregon se si ndodhi aksidenti në Gllarevë ku humbën jetën tre persona
Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për aksidentin që ka ndodhur në fshatin Gllarevë të Klinës, ku humbën jetën tre persona dhe tre të tjerë pësuan lëndime.
Në këtë aksident sipas policisë janë përfshirë dy vetura dhe një autobus.
Të lënduarit sipas policisë janë jashtë rrezikut për jetë, dhe janë liruar për trajtim në shtëpi.
Komunikata e plotë e policisë:
Me datën 23 korrik 2018 rreth orës 14:10 në rrugën Prishtinë-Pejë, gjegjësisht në fshatin Gllarevë, ka ndodhur aksident trafiku me fatalitet dhe me lëndime trupore, me pasojë vdekjen e tre (3) personave dhe lëndimin e tre (3) të tjerëve.
Në këtë aksident ishin të përfshira tri automjete një veturë “ vë pasat” me targa vendore, një autobus i markës “Setra” me targa vendore, dhe një veturë e markës “jaguar” me targa te regjistrimit të Republikës së Shqipërisë.
Viktima të këtij aksidenti janë 3 shtetas të Kosovës, një (1) e gjinisë femrore dhe dy (2) të gjinisë mashkullore, një prej të cilëve kanë humbur jetën në vend të ngjarjes, viktima e dytë ka ndërruar jetë rrugës për ne ambulanten e Klinës, kurse viktima e tretë pasi që kishte lëndime të rënda trupore është dërguar me autoambulancë në QKUK Prishtinë por i njëjti ka arritur pa shenja jete, vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Tre të lënduarit pas marrjes se ndihmë se parë në spitalin rajonal në Pejë lirohen për shërim të mëtutjeshëm në shtëpi.
Lidhur me aksidentin është njoftuar prokurorja e shtetit, e cila ka marrë pjesë në vendin e ngjarjes dhe me urdhrin e saj trupat e viktimave u janë lejuar familjarëve për ceremoni mortore.
Sipas të dhënave preliminare dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i veturës VË PASAT ishte duke qarkulluar në drejtim të Pejës dhe me të arritur në fshatin Gllarevë, hyn në tejkalim dhe i njëjti me pjesën e parë ballore përplaset ne autobusi cili ishte duke qarkulluar ne drejtim të Prishtinës dhe pas kësaj goditje përplaset edhe me veturës Jaguar i cili ishte duke qarkulluar në drejtim të Pejës.