Policia tregon shkakun e aksidentit në Pejë
Policia e Kosovës përmes një komunikatë për media ka njoftuar se deri te aksidenti i sotëm në Pejë ka ardhur pasi ngasësi i autobusit nuk i është përshtatur kushteve të rrugës dhe shpejtësisë, duke e humbur kontrollin mbi automjet dhe e ka goditur pemën në anën e kundërt të rrugës.
“Sipas të dhënave preliminare, dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i minibusit i cili ishte duke qarkulluar nga Istogu në drejtim të Pejës, me të arritur në fshatin Jabllanicë e Vogël në vendin e quajtur “Dydesh”, “duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës si dhe shpejtësisë, për një moment humb kontrollin mbi automjet dhe godet një pemë në anën e kundërt të rrugës”, është thënë në komunikatë.
Në këtë aksident ishte i përfshirë një minibus i tipit “Iveco” me targa të regjistrimit vendor.
“Të lënduarit e këtij aksidenti janë shtetas të Kosovës, të gjithë janë duke u trajtuar në spitalin rajonal në Pejë, ku sipas ekipit mjekësor të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë PK.