Policia u bënë thirrje pjesëmarrësve në trafik për kujdes pranë shkollave

02 shtator 2024 | 08:48

Sot fillon viti i ri shkollor në Kosovë. Policia ka dalë me një apel për pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar.

PK thotë se duhet të tregohet kujdes maksimal në zonat pranë shkollave ku janë të vendosura tabelat njoftuese “Kujdes, shkolla” dhe “Këmbësorë”.

“Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Policia e Kosovës apelon për një përgjegjësi të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Në zonat pranë shkollave dhe ku janë vendosur tabelat njoftuese si “Kujdes, shkolla” dhe “Këmbësorë,” është jetike që të gjithë të tregojnë kujdes maksimal. Fëmijët janë më të brishtë dhe të paparashikueshëm në lëvizje, kështu që shpejtësia e ulët, vëmendja e lartë dhe respektimi i sinjalistikës rrugore mund të shpëtojë jetë.”

Policia thekson kujdesin që duhet pasur për fëmijët që shkojnë në shkollë për herë të parë.

“Këtë vit, veçanërisht kujdes të veçantë duhet të tregojmë për fëmijët që shkojnë në shkollë për herë të parë. Këta fëmijë janë më të pafajshëm dhe më të papërvojë në rrugë, ndaj është detyra jonë të sigurojmë që udhëtimi i tyre drejt shkollës të jetë sa më i sigurt dhe i mbrojtur. Le të fillojmë vitin shkollor me siguri për të gjithë!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një pjesë e mediave malazeze janë nën ndikimin serb. Kështu…