Policia ua bënë këtë thirrje ngasësve
Policia e Pejës, nëpërmjet një komunikate bërë publike, u ka bërë apel qytetarëve të cilët janë pjesëmarrës në komunikacion, të gjithë drejtuesve të automjeteve, që t’i respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike. Ajo ua ka kujtuar ngasësve se shumë prej aksidenteve me fatalitet që kanë ndodhur në Kosovë ndër vite janë si pasojë e pakujdesisë së pjesëmarrësve në komunikacion, sidomos në stinën e dimrit.
“Nisur nga rrethanat e ndryshimit të motit, si dhe vështirësitë që krijohen në qarkullimin e automjeteve si pasojë e mjegullës, shiut, erës, borës dhe ngricave Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore”, thuhet në komunikatën e policisë.
Po ashtu, njoftohet se nëpër rrugët e vendit do të ketë policë rrugorë të cilët do të bëjnë kontrolle të vazhdueshme. “Të gjitha akset rrugore do të jenë të mbuluara nga Njësitë Rajonale të Komunikacionit, të cilat do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme për pajisjen e automjeteve me goma dimërore, zinxhirë, në ato akse ku është i nevojshëm përdorimi i tyre, si dhe për respektimin e normave të shpejtësisë së lejuar dhe përshtatja e kushteve të rrugës, gjithashtu edhe ndërmarrjen e masave preventive ndaj shoferëve të cilët janë të obliguar për përdorimin e dritave për ndriçimin e rrugës dhe dritat e mjegullës në rastet e zvogëlimit të dukshmërisë së rrugës”, thekson policia.
Për të parandaluar aksidentet, Policia e Kosovës u bën apel qytetarëve që të kenë kujdes gjatë vozitjes, tani në sezonin e dimrit, kur rrugët janë me ngrica.
“Policia e Kosovës kërkon nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor, t’u përshtaten kushteve atmosferike si dhe të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore ku bora dhe ngricat janë të pranishme. Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”, thekson komunikata.
/Epoka e re/