Policisë dhe Forenzikës i dorëzohen pajisje për kontrollin e armëve
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë i kanë dorëzuar Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Forenzikës pajisje për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta.
Ky donacion përfshin edhe trajnimin e personelit përkatës për përdorimin e duhur të pajisjeve të dhuruara.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra, ka thënë se këto pajisje do të ndikojnë direkt në besueshmërinë e Agjencisë së Forenzikës për zbulimin apo të provuarit e armëve.
Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Held, ka theksuar se Qeveria gjermane në bashkëpunim me Francën është e angazhuar për shtimin e kontrollit të armëve të zjarrit.
Duke shprehur gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit, ambasadori gjerman ka thënë se mënyra se si institucionet kanë punuar në trajtimin e armëve të zjarrit në Kosovë është shembulli i mirë.
Në anën tjetër, zëvendëspërfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, ka thënë se Këshilli Evropian i ka ftuar Interpolin dhe Europolin me qëllim të luftimit të trafikimit të armëve.
/Epoka e re/