
‘Politico’ raporton për një vizitë të djalit të Trump në Serbi
Donald Trump Jr., djali i madh i presidentit të Shteteve të Bashkuara, do të udhëtojë në Rumani vetëm gjashtë ditë përpara raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të vonuara.
Trump Jr. do të marrë pjesë në një ngjarje biznesi të quajtur Trump Business Vision 2025. Ai nuk do të ketë asnjë takim privat apo të bëjë ndonjë ngjarje publike me zyrtarë qeveritarë, tha për Politico një person i njohur me këtë çështje, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht.
Përveç Rumanisë, ai pritet të udhëtojë edhe në vende të tjera të Europës Lindore, duke përfshirë Republikën Çeke, Sllovakinë, Hungarinë, Serbinë dhe Bullgarinë, konfirmoi ky person.
Rumania do të mbajë raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 4 maj, ndërsa balotazhi pritet të mbahet më 18 maj. Vizita e Trump Jr. do të jetë më 28 prill.
Romania i mbajti më parë raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 nëntor 2024, por ai u anulua nga Gjykata Kushtetuese e Rumanisë për shkak të shqetësimeve për ndërhyrjen ruse. Balotazhi i raundit të dytë, që do të mbahej më 8 dhjetor, u anulua.
Më 7 dhjetor, Trump Jr. kritikoi vendimin e gjykatës duke e quajtur atë një “përpjekje Soros/marksiste” për të parandaluar kandidatin pro-rus të ekstremit të djathtë Calin Georgescu që të mundte kandidaten e qendrës Elena Lasconi. Trump Jr i referohej George Soros, miliarderit hungaro-amerikan i cili u përçmua nga shumë djathtistë për donacionet e tij për kauzat politike të qendrës dhe të krahut të majtë.
Vizita e planifikuar e Trump Jr. në Rumani u raportua fillimisht nga G4media.ro.
Ndërkaq, nëse shkon në Serbi, për Trump Jr. do të jetë vizita e dytë brenda dy muajsh.
Ai në Beograd kishte qëndruar gjatë marsit ku kishte zhvilluar një intervistë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për një podcast të tij.