POLITIKA
CHARLES BUKOWSKI
Në City College të Los Anxhelosit pak para Luftës së Dytë Botërore shtiresha si nazist. Zor që mund ta dalloja Hitlerin prej Herkulit dhe as që ma ndiente për ta. Sall rrija në klasë dhe mërzitesha duke dëgjuar gjithë ata patriotë derisa predikonin se do të duhej t’ia mësyjmë matanë oqeanit për ta mbytur bishën. Ven-dosa të dal në opozitë. Bile as që çaja kokën që të lexoja ndonjë gjë mbi Adolfin, sall villja mbi çdo gjë që më dukej e ligë dhe maniake.
Sado që, vërtet, nuk kisha ndonjë dogmë politike. Kjo ishte mënyra më e mirë për të notuar lirshëm.
E di, ngandonjëherë nëse njeriu nuk beson në atë që bën, ai mund të bëjë punë shumë më interesante ngase nuk kurthohet emocionalisht në kauzën e tij. Nuk ishte bukur moti kur të gjithë djelmoshat biondë formuan Brigadën Abraham Lincoln që zmbrapsnin hordhitë e fashizmit në Spanjë. Dhe më pas trupat e fashizmit të trajnuara më mirë ua futën shqelma by-thëve. Disa prej tyre këtë e bën për shkak të aventurës dhe sa për të udhëtuar në Spanjë ama prapë e hën-grën bythëve. Mua më pëlqente bytha ime. Njëmend s’kishte shumë gjëra që më pëlqenin rreth meje, ama më pëlqente bytha ime dhe kari im.
Kërceja në klasë dhe bërtisja gjithçka që më vinte në mend. Zakonisht kjo kishte të bënte me Racën Super-iore, për të cilën kujtoja se ishte një gjë tepër humori-stike. S’ua hidhja drejtpërdrejt zezakëve dhe çifutëve ngaqë pata kuptuar se edhe ata ishin të shkretë dhe të hutuar posi unë. Ama i mbajta do fjalime të zjarrta brenda dhe jashtë klasës dhe shishja e verës që e mbaja në dollapin tim më ndihmonte në këtë vaki. Isha i befasuar se sa shumë njerëz më dëgjonin dhe sa pak prej tyre, nëse ishte ndonjë, i vinin në dyshim pikëpamjet e mia. E pata lëshuar gojën për merak dhe isha i kënaqur me atë se sa zbavitës mund të ishte City College i Los Anxhelosit.
“A do të kandidosh për kryetar të studentëve, Chinaski?”
“Hiqmu sysh, s’vjen në konsiderim”.
Nuk doja të bëja ndonjë gjë të tillë. Bile as që shkoja në orën e gjimnastikës. Në të vërtetë, gjëja e fundit që kisha dëshirë të bëja ishte të shkoja në orën e gjim-nastikës dhe të djersitem dhe të vesh brekë të ngushta dhe të krahasoja madhësinë e karit. E dija se kisha kar të madhësisë së mesme. Nuk më duhej të bëja gjim-nastikë për ta vërtetuar këtë.
Patëm fat. Kolegji kërkonte dy dollarë për t’u regji-struar. Ne vendosëm – disa prej nesh u pajtuam, disi – se kjo gjë ishte jokushtetuese, kështu që refuzuam. Iu kundërvumë kësaj vakie. Kolegji na lejoi t’i mbajmë orët ama na i hoqi disa privilegje, njëra prej tyre ishte edhe gjimnastika.
Kur erdhi koha e orës së gjimnastikës ne rrinim në rroba civile. Mësimdhënësit e fizkulturës i kishin dhënë urdhra që të na marshonte lart e poshtë fushës në rresht një nga një. Kjo ishte hakmarrja e tyre. Për bukuri. Nuk më duhej të vrapoja përreth pistës e ta djersitja prapanicën time ose ta hidhja topin e basket-bollit të shkërdhyer nëpër njëfarë koshi të hamamtë. Marshonim para-mbrapa, të ri, përplot pisllëk, përplot marrëzi, të pushtuar nga epshi, pa kurrfarë pidhi për ta qirë. Në prag të luftës. Sa më pak që besoje në jetë aq më pak kishe për të humbur. Unë s’kisha aq shumë për të humbur, unë dhe kari im i madhësisë së mesme.
Marshonim përreth dhe sajonim këngë të pista dhe djelmoshat e mirë amerikanë të ekipit të futbollit ame-rikan kërcënonin të na i fshikullonin prapanicat ama disi kurrë nuk ia dolën t’u afrohen. Me sa duket, për shkak se ishim më të mëdhenj dhe më të zotët. Sa për mua, kjo ishte gjë e mrekullueshme të shtiresha si nazist dhe pastaj të kthehesha e të proklamoja se të drejtat e mia po më shkeleshin.
Nganjëherë emocionohesha. Më kujtohet njëherë në një orë pasi që kisha pirë verë pak si tepër, me lot në të dy sytë, pata thënë: “Po ju premtoj, zor që ky do të jetë viti i fundit. Sapo të eliminohet një armik disi gjendet tjetri. Kjo është e pafundme dhe e pakuptimtë. Nuk ka gjëra të tilla si luftë e mirë ose luftë e keqe”.
Herën tjetër qëlloi një komunist që fliste nga një podium i ngastrës së zbrazët në jug të kompleksit. Ai ishte djalosh goxha i zellshëm me skelet të padukshëm syzash, pa asnjë puçërr, mbante njëfarë pulovri të zi me vrima në bërryla. Qëndroja aty dhe dëgjoja dhe i kisha me vete disa dishepuj të mi. Njëri prej tyre ishte rus i Bardhë, Zircoff, të atin apo babagjyshin ia kishin vrarë të Kuqtë në Revolucionin rus. Ai ma tregoi një thes domatesh të kalbura. “Sall na jep shenjë” – më tha, “dhe do t’ia fillojmë t’i gjuajmë”.
Befas më ra ndërmend se dishepujt e mi s’e dëgjonin folësin, bile as që kishin qenë duke e dëgjuar ngaqë asgjë që kishte thënë s’kishte ndonjë rëndësi. Mendjet i kishin top. Shumica e botës ishin mu si këta. Duke pasur kar mesatar papritmas nuk dukej të ishte mëkati më i madh i kësaj bote.
“Zircoff” – i thashë, “hiqi qafe ato domate!”
“Qiju” – tha – “do të doja të ishin granata dore”.
Atë ditë e humba kontrollin mbi dishepujt e mi dhe u largova derisa ata filluan t’i hedhin domatet e tyre të kalbura.
U informova se një parti e re Pararojë do të formo-hej. Ma patën dhënë adresën në Glendej dhe atë natë shkova aty. U ulëm në bodrumin e një shtëpie të madhe me shishet e verës dhe karat tanë të madhësive të ndryshme.
Aty ishte një pod dhe një tavolinë me një flamur të madh amerikan të shpaluar prapa anekënd murit. Një djalë i shëndetshëm dhe i pashëm amerikan hipi në pod dhe sugjeroi që t’ia fillonim me përshëndetjen e flamurit, duke u betuar për besnikëri ndaj tij.
Gjithmonë kam pasur antipati ndaj betimit për fla-mur. Ishte gjë aq e mërzitshme dhe hajvançe. Gjith-monë ndihesha sikur t’i betohesha vetvetes, ama aty ishim dhe u ngritëm dhe e hoqëm qafe atë punë shpejt e shpejt dhe, pas një pauze të shkurtër, gjithë të ulurit ndiheshin sikur të ishin paksa të shqetësuar.
Amerikani i shëndetshëm zuri të fliste. E njihja si një djalë trashaluq që ulej në rreshtin e parë në orën e dramaturgjisë. Kurrë nuk u zija besë tipave të tillë. Lajkatar. Lajkatar se jo mahi. Ai ia nisi: “Kërcënimi komunist duhet patjetër të ndalet. Jemi mbledhur këtu për të ndërmarrë hapa ligjorë dhe, ndoshta, të paligjshëm për ta bërë këtë…”
Nuk më kujtohet aq shumë pjesa tjetër. Nuk më hante palla për kopallat kërcënuese të komunistëve dhe as të nazistëve. Doja sall të dehesha, doja të qija, doja ushqim të mirë, doja të këndoja me një gotë birrë në ndonjë bar të pistë dhe të pija puro. Nuk isha i vetëdijshëm, isha një sylesh, vegël.
Pastaj, Zircoff, unë dhe një ish-dishepull shkuam në Westlake Park dhe e morëm me qira një barkë dhe u përpoqëm ta zëmë një rosë për darkë. Ia dolëm të dehemi goxha mirë dhe s’e zumë asnjë rosë dhe kup-tuam se nuk kishim para të mjaftueshme për ta paguar barkën e huazuar.
Lundruam rreth liqenit të cekët dhe luanim rulet rus me revolen e Zirccofit dhe patëm fat. Atëherë Zircoffi, i dehur në dritën e hënës, u ngrit dhe shkërdheu tabanin e barkës me plumb. Uji zuri të futej dhe ne e drejtuam barkën për në breg.
Një e treta e barkës u fundos dhe duhej të dilnim dhe t’i ternim bythët tona duke shtupuar drejt bregut. Kështu që ajo natë mbaroi mirë dhe nuk na shkoi huq.
E luaja rolin e nazistit edhe për do kohë, ndonëse nuk ma ndiente as për nazistë, as për komunistë dhe as për amerikanë. Ama e humbisja interesimin. Në të vërtetë, bash pak para vakisë së Pear Harbourit hoqa dorë. Më nuk kishte kënaqësi në të. E ndieja se do të bëhej luftë dhe nuk më pëlqente të shkoja në luftë dhe as nuk më pëlqente të isha kundërshtar i shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Ishte mutsihane. Ishte kotësi. Unë dhe kari im i madhësisë së mesme ishim në hall.
Rrija në klasë pa folur fare. Prisja. Studentët dhe mësuesit m’i shkërdhenin nervat. E pata humbur udhën në oborr, forcën, kurajën. Ndieja se asgjë më nuk më shkonte për dore. Do të bëhej luftë. Të gjithë karat ishin në hall. Një ditë, mësuesja ime e angli-shtes, një zonjë goxha e mirë e me këmbë të bukura, m’u lut të rrija pas orëve. “Ç’hall ke, Chinaski?” – më pyeti. “Kam hequr dorë” – thashë. “E ke fjalën për politikë?” – më pyeti. “Po, për politikë e kam fjalën” – i thashë. “Do të bëheshe marinar i mirë” – tha. Dola…
Isha duke ndenjur me mikun tim më të mirë, një marinar, në një bar në qendër të qytetit, duke pirë birrë kur plasi lufta. Radio jepte muzikë, befas pushoi muzika. Na thanë se sapo qe bombarduar Pearl Har-bouri. U shpall se i gjithë personeli ushtarak do të duhej të kthehej menjëherë në bazat e veta. Miku im m’u lut ta merrja autobusin me të deri në San Diego, duke më thënë se kjo mund të ishte hera e fundit që po e shihja. Kishte të drejtë.
Përktheu nga anglishtja: Fadil Bajraj. Marrë nga numri 19 i revistës “Akademia”