Politika bëhet bashkë, nderon dëshmorët e atdheut me rastin e 75-vjetorit të çlirimit
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve të atdheut me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe ka vendosur një kurorë me lule të monumenti “Nënë Shqipëri”, duke u përulur me respekt para kujtimit të tyre.
Prononcimi i Metës për mediet:
Pyetje: Zoti president, ju lutem na thoni si është gjendja aktuale pas tërmetit që ka goditur Shqipërinë?
Meta: Në radhë të parë dua të shpreh sot mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që dhanë jetën për Çlirimin e Atdheut, që kurorëzuan 75 vite më parë një nga betejat më të mëdha të popullit shqiptar kundër pushtimit nazifashist, që rivendosi sovranitetin e vendit, riktheu pavarësinë e Shqipërisë. Por njëkohësisht edhe e vendosi popullin dhe vendin tonë në anën e duhur të historisë dhe të antifashizmit me mjaft sukses.
Do të donim sot ta festonim me të gjithë madhështinë që i takon këtij 75-vjetori, por kjo fatkeqësi e jashtëzakonshme me të cilën u përball vendi ynë na ka vendosur para një sprove që duhet ta kalojmë të bashkuar, duke pasur në krah miq dhe partnerë, të cilët nuk kanë munguar të na ndihmojnë që në momentet e para.Padyshim Kosova ka shkëlqyer me gatishmërinë e saj. Do t’ia dalim pavarësisht nga kostot, të cilat janë të mëdha.”
Pyetje: Cila është gjendja aktuale? Sa ka arritur numri i viktimave?
Meta: Besoj se ju i keni ndjekur edhe statistikat zyrtare. Shpresojmë që sot të përfundojnë totalisht operacionet për kërkim-shpëtimin e qytetarëve që mund të kenë mbetur ende nën rrënoja. Shpresojmë se është çështje orësh që të kemi një bilanc përfundimtar zyrtar, ndërkohë që përveç nderimit të viktimave shumë sfida të tjera na presin përpara, të cilat janë të mëdha dhe do të jenë edhe pak afatgjata.
Pyetje: A do të arrihet të akomodohen të gjitha ata që kanë mbetur në çadra zoti president?
Meta: Do të bëhet çdo gjë për të arritur një akomodim sa më të shpejtë, të përshtatshëm dhe afatshkurtër për të gjithë dhe më pas për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për integrimin e tyre të plotë në jetë normale ashtu si më parë.