POLITIKA DHE GJUHA ANGLEZE

25 tetor 2022 | 08:37

GEORGE ORWELL

Shumica e njerëzve që shqetësohen për këtë çështje do ta pra­nonin se gjuha angleze është në një gjendje të keqe, por mbizo­tëron mendimi i përgjithshëm se asgjë nuk është në dorën tonë për ta ndryshuar për këtë gjendje. Qytetërimi ynë është në rënie dhe gjuha jonë, sipas këtij arsyetimi, s’mund të mos jetë në mënyrë të pashmangshme pjesë e këtij rrënimi të përgjithshëm. Rrjedhimisht, çdo luftë kundër shpërdorimit të gjuhës është diçka e vjetruar dhe e ndikuar nga ndjenjat, si të parapëlqesh qirinjtë në vend të dritës elektrike ose karrocën në vend të aero­planëve. Ajo mbështetet te një bindje për të cilën janë gjysmë të vetëdijshëm se gjuha zhvillohet në mënyrë të natyrshme dhe nuk është një mjet të cilin e formësojmë sipas qëllimeve tona.

Tani është e qartë se zvetënimi i një gjuhe në fund të fundit ndodh për shkaqe politike dhe ekonomike: nuk ndodh thjesht prej ndikimit të keq të një shkrimtari të veçantë. Por një pasojë mund të kthehet në shkak duke përforcuar shkakun burimor dhe duke krijuar të njëjtën pasojë, madje edhe më të rëndë, e kështu me radhë, pafundësisht. Mund të jepesh pas pijeve dehëse ngaqë mendon se je dështak, dhe pastaj dështimi është shumë më i madh sepse je i dhënë pas pijes. Pak a shumë kjo po ndodh me gjuhën angleze. Po shëmtohet dhe po bëhet e pasaktë, sepse mendimet tona janë pa kuptim, por pështjellimi i gjuhës na e bën më të lehtë të kemi mendime pa kuptim.

Çështja është se ky proces mund ta marrë drejtimin e kundërt. Anglishtja moderne, sidomos ajo e shkruar, është plot me shprehi të këqija që janë përhapur me anë të imitimit dhe të cilat mund të shmangen nëse kemi vullnetin të bëjmë atë që duhet. Nëse heqim dorë nga këto shprehi, do të mund të mendojmë më qartë, dhe të menduarit qartë është hapi i parë i domosdoshëm drejt ripërtëritjes politike: në mënyrë që lufta kundër anglishtes së keqe të mos jetë thjesht në dukje dhe shqetësim i posaçëm vetëm i shkrimtarëve profesionistë. Do t’i rikthehem kësaj çësh­tjeje pak më vonë dhe shpresoj që deri atëherë domethënia e asaj që kam shprehur këtu të jetë bërë më e qartë. Ndërkohë, ja ku kemi pesë gjedhe të gjuhës angleze siç shkruhet më shpesh sot.

Këto pesë pjesë shkrimesh nuk janë zgjedhur sepse janë veça­nërisht të dobëta – mund të kisha zgjedhur pjesë shumë më të dobëta po të doja, por janë zgjedhur sepse sjellin shembuj të ndryshëm të veseve të këqija mendore që tashmë kemi marrë. Janë pak nën nivelin mesatar, por janë shembuj mjaft përfaqë­sues. I kam shënuar me numra në mënyrë që të jetë e lehtë t’i citoj sërish kur të jetë e nevojshme:

  1. “Nuk jam, në të vërtetë, i sigurt nëse nuk është e vërtetë të thuhet se ai Milton,[1] i cili më parë nuk dukej i pan­gjashëm me një Shelli[2] të shekullit të shtatëmbëdhjetë, nuk ishte bërë për shkak të një përvoje që bëhej gjithnjë e më e hidhur vit pas viti, më i huaj për themeluesin e atij sekti Jezuit, të cilin asgjë nuk mund t’ia mbushte mendjen për ta toleruar”.

Profesor Harold Laski,[3] (ese e botuar në Freedom of Expression (Liria e shprehjes).

  1. “Para së gjithash, nuk mund të bëjmë petulla me ujë me një sërë idiomash amtare që krijojnë bashkëvendosje të tilla të stërholluara fjalësh, siç janë thëniet me të thjeshta si: “i bëj ballë” në vend të “duroj” ose “humb toruan” për “hutohem”.

Profesor Lancelot Hogben[4] (Interglossa).

  1. “Nga njëra anë kemi personalitetin e lirë: sipas përku­fizimit nuk është neurotik, ngaqë nuk ka as konflikt dhe as ëndrra. Dëshirat e tij, ashtu si janë, janë transparente, ngaqë janë vetëm ato që miratimi institucional i mban në vijën e parë të vetëdijes; një tjetër model institucional do ta ndryshonte numrin dhe dendësinë e tyre; ka pak gjë në to që është e natyr­shme, e pashndërrueshme ose kulturalisht e rrezikshme. Por, nga ana tjetër, lidhja soc­iale nuk është asgjë tjetër përveçse ref­lektim reciprok i këtyre parimeve morale të vetësigurta. Kujtoni përkufi­zimin e dashurisë. A nuk është kjo vetë figura e një aka­demiku të vogël? Ku paska vend në këtë sallë pasqyrash qoftë për personalitet qoftë për vëllazëri?”

Ese mbi psikologjinë botuar në revistën Politics (Politika), Nju-Jork.

  1. “Të gjithë “njerëzit më të mirë” nga klubet e xhentëlme­nëve dhe të gjithë komandantët e tërbuar fashistë, të bashkuar nga urrejtja e përbashkët ndaj socializmit dhe nga tmerri shta­zarak prej valës në rritje të lëvizjes ma­sive revolucionare, u janë kthyer akteve të provokimit, për t’i hedhur benzinë zjarrit, me anë të legjendave mes­jetare të puseve të helmuara, për ta përli­gjur shkatërri­min e organizatave të tyre proletare dhe për ta yshtur borgjezinë e vogël e cila është e zemëruar duke nxitur ethet e tyre shoviniste në emër të luftës kundër rrugës revolucio­nare të daljes nga kriza”.

Pamflet komunist.

(5) “Nëse një frymë e re do të duhej të futej në këtë vend të lashtë, është një reformë e mprehtë dhe problematike që duhet trajtuar, dhe ai është humanizimi dhe galvanizimi i BBC-së. Ndruajtja në këtë rast do ta paralajmëronte kalbëzimin dhe atrofizimin e shpirtit. Zemra e Britanisë mund të jetë e fortë dhe të rrahë fuqishëm, bie fjala, por hungërima e luanit britanik aktualisht është si ajo e Botëmit[5] në komedinë Ëndrra e një nate vere të Shekspirit – e butë si e çdo pëllumbthi. Një Britani e re, burrërore, nuk mund të vazhdojë pafundësisht të përgojohet në sytë ose, më mirë të themi, në veshët e botës nga lëngata e rëndë e Pallatit Langëm,[6] paturpësisht e paraqitur si maskaradë e “anglishtes standarde”. Kur dëgjohet Zëri i Britanisë në orën nëntë, tejet më mirë dhe pambarimisht më pak qesharake është të dëgjosh “h-të”[7] e pashqiptuara ndershmërisht sesa mjaulli­mat djallëzore, të fryra, të sforcuara, prej lëneshash pedante, kinse të pafajshme dhe të turpshme!”

Letër e dërguar në gazetën Tribune (Tribuna).

 Secila nga këto pjesë ka të metat e veta por, po ta lëmë mënjanë faktin se kanë një shëmti e cila mund të shmangej, dy cilësi janë të përbashkëta për të gjitha. E para është përdorimi i imazheve bajate; tjetra është mungesa e saktësisë. Autori i tekstit ose ka një mendim që s’e shpreh dot, ose thotë diçka tjetër pas dashur ta bëjë këtë, ose deri-diku as që do t’ia dijë nëse kanë apo s’kanë kuptim fjalët e tij. Kjo përzierje e paqartësisë dhe e mungesës së plotë të aftësisë është tipari më i theksuar i prozës së sotme në anglisht, veçanërisht i çdo lloj shkrimi politik. Sapo hapet një temë e caktuar, konkretja bëhet njësh me abstrakten dhe gati askush nuk është në gjendje të mendojë më, sepse gjuha e përdorur është e stërpërsëritur: proza ka gjithnjë e më rrallë fjalë të zgjedhura për kuptimin e tyre dhe gjithnjë e më shpesh fraza të bëra tok si blloqe parafabrikat. Më poshtë po radhis, me shënime dhe shembuj, marifetet e ndryshme me anë të të cilave autorët e shmangin prozën e mirëfilltë.

Metafora që po vdesin. Një metaforë e sapokrijuar e ndihmon të menduarit duke ngjallur në mendje një imazh pamor, ndërsa nga ana tjetër një metaforë që është teknikisht “e vdekur” (p. sh. vendosmëri e hekurt) në të vërtetë është kthyer në një fjalë të zakonshme dhe në përgjithësi mund të përdoret pa e humbur gjallërinë. Por në mes të këtyre dy kategorive ka një moçal të madh metaforash të stërpërdorura të cilat e kanë humbur plotë­sisht fuqinë tërheqëse dhe përdoren thjesht vetëm e vetëm se ua heqin përdoruesve të tyre mundimin për të krijuar vetë shpre­hje. Ja disa shembuj: Bëhet promotor i ndryshimit, dal në mbrojtje të, të jesh gjithmonë gati, t’i biesh në qafë, rri krah për krah me, bëj lojën e, si ua do puna, çoj ujë në mullirin e lundron në ujëra të tur­bullta, i vë kazmën miqësisë, sipas interesit të ditës, thembra e Akilit, kënga e mjellmës, vatër konflikti. Pjesa më e madhe përdoren pa ua ditur domethënien (çfarë do të thotë “t’i vësh kazmën”, për shembull?), dhe shpesh përzihen metafora të papajtueshme, një shenjë e sigurt se autori nuk do t’ia dijë për atë që thotë. Disa metafora të përdorimit të sotshëm kanë domethënie tjetër për tjetër nga ai zanafillori dhe ata që i kanë përdorur as që kanë qenë të vetëdijshëm për këtë ndryshim. Për shembull gjithmonë gati nganjëherë shkruhet kurdoherë gati. Një shembull tjetër është si kudhra dhe çekani, tani përdoret gjithmonë me nënkupti­min se kudhra është më e dobët. Në jetën reale është gjithmonë kudhra ajo që thyen çekanin, asnjëherë e kundërta: ai autor që s’u ndal për të menduar se çfarë po thoshte do ta kishte parandaluar shtrembërimin e kuptimit të vërtetë të kësaj shprehjeje.

Foljet ndihmëse ose gjymtyrët foljore të rreme. Ato të shpëtojnë nga telashi i zgjedhjes së foljeve dhe emrave të duhur, në të njëjtën kohë shtojnë artificalisht në çdo fjali rrokje të cilat vetëm në dukje krijojnë simetri. Disa shprehje tipike janë: e bën jofun­ksional, fakte që flasin kundër, e bën të papranueshme, vendos lidhje me, nënshtrohet ndaj, bëhet shkak për, bëhet shkas për, kanë ndikim në, luan rol kryesor në, bën që të ndjehet, hy në veprim, shfaq prirje për të, i shërben qëllimit të etj. Ideja krye­sore e këtij marifeti është shmangia e e foljeve të thjeshta. Në vend të një fjale të vetme, si: prish, ndaloj, prish, ndreq, vras, një folje bëhet shprehje, e përbërë prej një emri ose mbiemri që i ngjitet një foljeje të përgjithshme si bëj, shërbej, përbëj, luaj, shndërroj. Gjithashtu, diateza pësore parapëlqehet të përdoret kudo që të jetë e mundshme në vend të diatezës veprore, dhe struktura emërore përdoren në vend të emrit foljor (me anë të shqyrtimit të në vend të duke shqyrtuar). Gama e foljeve tkurret edhe më tej me anë të përmes prapashtesave –izoj dhe de-, dhe thënie banale krijojnë përshtypjen e thellësisë me anë të strukturave të tilla si jo pa. Lidhëza dhe parafjalë të thjeshta zëvendësohen me shprehje të tilla si: në lidhje me, për sa ka të bëjë me, fakti është se, me anë të, duke pasur parasysh, për të mirën e, duke pranuar hipotezën se; dhe fundet e fjalive u hiqet mundësia e ndonjë mbylljeje që s’është mbresëlënëse dhe kumbuese si shprehjet: mezi pritet të, nuk mund të mos kihet parasysh se, një zhvillim i pritshëm në të ardhmen e afërt, që meriton konsideratë serioze, arrin në një përfundim të kënaqshëm, e kështu me radhë.

Mënyra pompoze e të shprehurit. Fjalët si fenomen, element, indi­vid, objektiv, kategorik, i efektshëm, virtual, bazik, kryesor, promovoj, konstituoj, ekspozoj, shfrytëzoj, utilizoj, eliminoj, likuidoj, përdoren që gjykimet e njëanshme të mbështillen me lëvozhgën e rreme të paanësisë shkencore. Mbiemrat si epokë-krijues, epik, historik, i paharrueshëm, triumfues, shekullor, i pashmangshëm, i paepur, i vërtetë, përdoren për të bërë të duken madhështore proceset e ndyra të politikës ndërkombëtare, ndërsa të shkruarit që synon ta himnizojë luftën rëndom merr ngjyresa të lashtësisë, me fjalë tipike si: mbretëri, fron, koçi, grusht i hekurt, sfurk, mburojë, stemë, bajrak, çizme (me qafat mbi gju), bori, kushtrim. Fjalët dhe shpreh­jet e huaja si: cul de sac, ancien régime, deus ex machina, mutatis mutandis, status quo, geichschaltung, weltanschauung përdoren për t’i dhënë një frymë kulture dhe elegance. Përveç shkurtesave me vlerë (d.m.th., p.sh. dhe etj.) nuk është fare e nevojshme të përdoret asnjëra prej qindra shprehjeve të huaja që i gjen sot në gjuhën angleze. Ata që janë të dobët në të shkruarit, dhe sidomos autorët e shkrimeve shkencore, politike, dhe sociolo­gjike, dëshmojnë se thuajse gjithmonë kanë të tiposur në men­dje idenë se fjalët latine a greke janë më madhështore se ato saksone, dhe fjalë të panevojshme si ekspeditoj, perfeksionoj, prediktoj, irrelevant, i spostuar, klandestin, sub-akuatik, dhe qindra të tjera ua zënë vendin pareshtur barasvlerësve të tyre anglo-saksone.[8] Zhargoni tipik për shkrimet marksiste (hienë, xhelat, kanibal, borgjezi e vogël, të ashtuquajturit zotërinj, lakéj, shërbëtorë, laro, reaksionarë, etj.) në pjesën më të madhe për­bëhet prej fjalësh dhe shprehjesh të përkthyera nga rusishtja, gjermanishtja, ose frëngjishtja; por mënyra e rregullt e fjalëkri­jimit është përdorimi i rrënjës latine ose greke me prapashtesën e duhur dhe, kurdo që është e nevojshme, prapashtesa -izoj. Shpesh është më e lehtë të trillosh fjalë të këtij lloji (deregjiona­lizoj, i palegjitimuar, ekstra-matrimonial, jofragmentar e kështu me radhë), sesa të kujtosh fjalët anglisht që shprehin të njëjtin kuptim. Si pasojë, në përgjithësi, teksti bëhet më i pështjelluar dhe i paqartë.

Fjalët e pakuptimta. Në disa lloje tekstesh të shkruara, sidomos në tekstet e kritikës së artit dhe të kritikës letrare, është normale të hasësh pjesë të gjata që iu mungon gati plotësisht kuptimi.[9] Fjalë të tilla si: romantik, plastik, vlera, human, i vdekur, sen­timental, i natyrshëm, jetik, siç përdoren në kritikën e artit, janë absolutisht të pakuptimta, meqë jo vetëm se nuk shenjojnë ndonjë gjë që mund të zbulohet, por edhe lexuesi vështirë se pret që ta bëjnë këtë. Kur një kritik shkruan: “Tipari i jashtëzakonshëm i veprës së aksh autori është ndjesia e gjallë që krijon”, ndërsa një tjetër shkruan: “Gjëja goditëse e veprës e aksh autori sapo e kap në duar është ndjesia e të vdekurës që krijon”, lexuesi e pranon këtë thjesht si ndryshim mendimesh. Po të përdoreshin fjalë si “bardh” e “zi” në vend të fjalëve zhargon “i vdekur” dhe “i gjallë, ai do ta kuptonte menjëherë se gjuha e përdorur nuk është e duhura. Shumë fjalë politike shpërdoren në mënyrë të ngjashme. Fjala “fashizëm” s’ka kurrfarë kuptimi, përveçse shenjon “diçka të padëshirueshme”.

Secila nga fjalët demokraci, socializëm, liri, patriotik, realist, drejtësi ka disa kuptime të ndryshme që s’pajtohen me njëra-tjetrën. Në rastin e një fjale si demokraci jo vetëm që s’ka përkufizim me të cilin bihet njëzëri dakord, por edhe përpjekja për të pasur një të vetëm kundërshtohet nga të gjithë. Ekziston një ndjesi gati e përbotshme se kur e quajmë një vend demokratik po e lavdë­rojmë: rrjedhimisht, mbrojtësit e çdo lloj regjimi mëtojnë të jenë demokraci, dhe kanë frikë se do t’u duhet të mos e për­dorin këtë fjalë po të lidhej me një kuptim të vetëm. Fjalët e këtij lloji përdoren shpesh në mënyrë të pandershme me vetëdije të plotë. Domethënë, ai që i përdor ka një përkufizim vetjak, por e lejon dëgjuesin të mendojë se folësi nënkupton diçka krejt tjetër. Deklarata të tilla si: Marshalli Pétain ishte një patriot i vërtetë, Shtypi sovjetik është më i liri në botë, Kisha Katolike është kundër persekutimit, bëhen gati gjithmonë me qëllimin për të gënjyer. Fjalë të tjera që përdoren me domethënie të ndrysh­me, në shumicën e rasteve deri-diku në mënyrë të pandershme, janë: klasë shoqërore, totalitarizëm, shkencë, përparimtar, reaksionar, borgjezi, barazi.

Tani që e kam krijuar këtë katalog marifetesh dhe zvetënimesh, më lejoni të jap edhe një shembull tjetër se çfarë lloji proze të katandisin të shkruash. Kësaj radhe shembulli do të jetë i trilluar. Do ta përkthej një pjesë të shkruar mirë në anglisht – në anglishten e sotshme të llojit më të keq. Ja një strofë e mirë­njohur nga Predikuesit [një nga librat e Biblës] 9:11:

Vëzhgova e pashë nën diell edhe këtë: s’e fitojnë vrapimin të shpejtët, as të fortët luftën, as të urtët bukën, as të diturit pasurinë, as të maturit përkrahjen, por gjithçka sjell koha e rasti.

Ja tek e keni në anglishten e sotme:

Vlerësimet objektive të fenomeneve bashkëkohore diktojnë konklu­zionin se suksesi ose dështimi në aktivitete konkurruese nuk ekspozojnë asnjë tendencë për të korresponduar me kapacitete të lindura, por se një element i konsiderueshëm i të paparashikueshmes duhet marrë para­sysh në mënyrë konstante.

Kjo është parodi, por nuk e kemi tepruar aspak. Fragmenti numër 3 më sipër, për shembull, përmban disa mballoma të një anglishteje të këtillë. Do të shihet se nuk kam bërë një përkthim të plotë. Fillimi dhe fundi i fjalisë e ndjekin domethënien zana­fillore deri-diku me përpikëri, por në mes të shembujve (ilustri­meve) konkrete – gara, beteja, buka – treten në shprehje të paqarta “suksesi ose dështimi në aktivitete kompetitive”. M’u desh ta bëja kështu, sepse asnjë shkrues i sotshëm i llojit që po diskutoj, dhe që përdor shprehje si: “konsiderata objektive të fenome­neve kontemporane” – nuk është i zoti t’i rendisë mendimet e veta në mënyrë të përpiktë dhe të hollësishme. E gjithë prirja e prozës së sotme është larg konkretes. Tash, le t’i analizojmë dy fjalitë pak më hollësisht.[10] E para përmban 38 fjalë, por vetëm 60 rrokje: të gjitha fjalët janë të përdorimit të përditshëm. E dyta[11] përmban 38 fjalë dhe 90 rrokje, 18 prej tyre janë me rrënjë latine, dhe një prej greqishtes. Fjalia e parë përmban gjashtë figura të gjalla, dhe vetëm një frazë (“koha e rasti”) që do mund të quhej e paqartë. Fjalia e dytë nuk përmban asnjë frazë të freskët, mahnitëse, dhe pavarësisht 90 rrokjeve thjesht jep një version të shkurtuar të domethënies që përmban e para. Sido­qoftë, pa dyshim, është lloji i dytë i fjalisë që po zë gjithnjë e më shumë hapësirë në anglishten e sotme. Nuk dua ta teproj. Ky lloj shkrimi nuk është ende i përgjithshëm, dhe ka shenja thjeshtësie aty-këtu qoftë edhe në faqen e shkruar në mënyrën më të keqe të mundshme. Megjithatë, po të na thoshin mua dhe ty të shkruanim disa rreshta për pasigurinë e fateve njerëzore, ne me gjasë do t’i afroheshim më shumë fjalisë time të përfyty­ruar sesa asaj të Predikuesve. [12]

Siç jam përpjekur të tregoj me shembuj, shkrimi në kohën e sotme në formën e tij më të keqe nuk përbëhet prej fjalësh të zgjedhura për hir të domethënies dhe figurave të krijuara për ta qartësuar kuptimin. Përbëhet nga gjithfarë fjalësh të ngjitura tok, të cilat tashmë i ka të renditura nga dikush tjetër, duke përdorur më parë broçkulla të tilla. Kjo mënyrë të shkruari është tërheqëse sepse është e lehtë. Është shumë më e lehtë, madje s’të merr fare kohë, sapo ta krijosh shprehinë të thuash: sipas mendimit tim, nuk është supozim i pajustifikueshëm të thuash se… në vend që të thuash: “Mendoj se”. Nëse përdor fraza të gatshme, jo vetëm që nuk të duhet të kërkosh të gjesh fjalë, por s’të duhet as të lodhesh të krijosh ritëm brenda fjalisë meqë këto fraza përgjithësisht fjalë i kanë renditur aq mirë sa tingëllojnë deri-diku bukur. Kur shkruan me nxitim, – kur i dikton një ste­nografi, për shembull, ose mban fjalim publik – është e natyr­shme të rrëshqasësh në një stil pompoz, të latinizuar.

Shprehje si “një konsideratë që do të bënim mirë ta mbajmë mirë parasysh” ose “një konkluzion të cilin do ta pranonim të gjithë pa asnjë dilemë” do ta shpëtonte fjalinë pa ia përplasur lexuesit në fytyrë. Duke përdorur metafora, krahasime, dhe idioma bajate, kursen goxha mund mendor, por në kurriz të një domethënieje të paqartë, jo vetëm për lexuesin, por edhe për vete. Këtë bëjnë metaforat e përziera. I vetmi qëllim i një metafore është të ngjallë një përfytyrim pamor. Kur këto përfytyrime përplasen – si në rastin “Oktapodi fashist ka kënduar këngën e mjellmës, çizmja e pushtuesit ka përfunduar në kazanin e historisë, – mund jemi të sigurt se shkruesi nuk po sheh një imazh pamor të gjërave që po i emërton; me fjalë të tjera, në të vërtetë nuk po mendon. Shihini përsëri shembujt e dhënë në fillim të kësaj eseje. Pro­fesor Laski (1) përdor pesë pjesëza mohuese në 53 fjalë. Njëra prej tyre është e panevojshme, dhe e bën krejt fragmentin të pakuptimtë. Më tutje, ndodh lajthitja – përdoret “i huaj” për “i ngjashëm” – gjë që e bën edhe më të pakuptimtë tekstin, ndërsa hasim dhe disa raste të shmangshme ngathtësie që e shtojnë paqartësinë e përgjithshme. Profesor Hogbeni në shembullin numër 2 “luan me petulla në ujë me një sërë idiomash që janë në gjendje të japin udhëzime” dhe, teksa shpreh mosmiratimin e shprehjes së përditshme “i bëj ballë”, nuk e ka vullnetin të shohë në fjalor se çfarë kuptimi ka “i stërholluar”. Shembulli 3, nëse nuk mbajmë një qëndrim bujar ndaj tij, është thjesht pa kuptim: ka gjasë të nxirret kuptimi i synuar vetëm duke lexuar të gjithë artikullin nga është marrë. Në shembullin 4, shkruesi e di pak a shumë se çfarë do të thotë, por një grumbullim shpreh­jesh bajate e ngulfat ashtu sikur ndodh kur gjethet e çajit bllo­kojnë lavamanin. Në shembullin 5, fjalët dhe kuptimi gati sa s’ia kanë kthyer shpinën njëri-tjetrit. Ata që shkruajnë në këtë mënyrë zakonisht kanë një mendim të përgjithshëm emocional – nuk e duan një gjë dhe duan të shprehin solidaritet me një gjë tjetër – por nuk u interesojnë hollësitë e asaj që po thonë. Një shkrimtar me skrupuj, në çdo fjali që shkruan, i bën vetes së paku katër pyetje:

  1. Çfarë dua the them?
  2. Cilat fjalë do ta shprehin?
  3. Çfarë imazhi ose idiome do ta bëjë më të qartë?
  4. A është ky imazh i freskët sa duhet për të pasur efekt?

Dhe ka gjasë që t’i bëj vetes edhe dy pyetje të tjera:

  1. A mund ta them më shkurt?
  2. Mos kam thënë ndonjë gjë të shëmtuar që mund ta shmang?

Por nuk ju detyron kush t’i nxirrni vetes kaq shumë telashe. Mund t’u bëni bisht këtyre pyetjeve thjesht duke mos e vrarë mendjen dhe duke u hapur udhë frazave të gatshme që të dyn­den pa pushim. Ato do të ta bëjnë fjalinë në vendin tënd – madje edhe do të mendojnë për ty deri-diku dhe, po të jetë nevoja, do të bëjnë një shërbim të rëndësishëm duke fshehur pjesërisht kuptimin madje edhe prej teje. Dhe te kjo pikë bëhet e qartë lidhja e posaçme midis politikës dhe zhvlerësimit të gjuhës.

Në kohën tonë është më se e vërtetë që shkrimi politik është shkrim i keq. Kur kjo nuk është e vërtetë, përgjithësisht shkru­esi është një lloj rebeli që shpreh mendime vetjake dhe jo të “vijës së partisë”. Mendimet dogmatike, të çfarëdo ngjyre qof­shin, duket se kërkojnë një stil të pajetë, imitues. Zhargonet poli­tike që gjenden në pamflete, kryeartikuj, manifeste, dokumente qeveritare, dhe në fjalimet e përgatitura nga sekretarët, ndry­shojnë, sigurisht, nga partia në parti, por e përbashkëta e tyre është se gati asnjëherë nuk gjen shprehje të freskëta, të gjalla, të krijuara vetë.

Kur sheh një shkarrashkrues të lodhur në tribunë që përsërit mekanikisht shprehjet e njohura: “mizori shtazarake, thembra e hekurt, tirani që i ka duart e zhytura në gjak, popujt e lirë të botës, krah për krah” – shpesh ke ndjesinë e çuditshme që nuk je duke parë një njeri të gjallë, por ndonjë lloj kukulle me pamje njeriu: ndjenjë që papritmas bëhet edhe më e fortë në çastin kur drita bie mbi syzet e folësit dhe i kthen ato në disqe të zbrazëta që duken sikur s’kanë sy pas tyre. Dhe kjo s’është aspak fantazi. Një folës që përdor këtë lloj frazeologjie ka bërë jo pak për ta shndërruar veten në makineri. Nga gurmazi i dalin zhurmat e duhura, por s’e ka vënë trurin në punë, gjë që do të ndodhte nëse do t’i kishte zgjedhur vetë fjalët për vete. Nëse fjalimi që po mban pasqyron çfarë është mësuar të bëjë sa e sa herë, ka gjasë të jetë gati i pavetëdijshëm për atë që po thotë, ashtu si është dikush që i murmurit fjalët në kishë. Dhe kjo gjendje e vetëdijes së rrëgjuar, nëse nuk është e domosdoshme, në çdo rast është e përshtatshme për konformizmin politik.

Në kohën tonë fjalimi dhe shkrimi politik janë kryesisht mbrojtje e të pambrojtshmes. Gjëra si vijimi i sundimit britanik në Indi, spastrimet dhe internimet ruse, hedhja e bombave ato­mike në Japoni, në të vërtetë mund të mbrohen, por vetëm me argumente që për shumicën e njerëzve janë shumë të panjerë­zishme t’i përballosh, dhe të cilat nuk përputhen me synimet që predikojnë partitë politike. Prandaj, gjuha politike është e dety­ruar të përbëhet në pjesën më të madhe prej eufemizmave, pre­misave të paracaktuara dhe paqartësive krejt të mjegullta. Fshatra të pambrojtura bombardohen nga ajri, banorët dëbo­hen drejt maleve e fushave, gjëja e gjallë qëllohet me mitraloz, kasolleve u vihet zjarri me plumba ndezës: kjo quhet paqësim i gjendjes. Miliona fshatarëve u plaçkiten fermat, nxirren me forcë në rrugë me aq sa mund të mbajnë në duar; kësaj i thonë shpërngulje e popullsisë ose korrigjim i kufijve. Njerëzit burgosen për vite me radhë pa gjyq, vriten me plumb pas qafe, ose çohen të vdesin nga skorbuti në kampet e lëndës drusore në Arktik: kjo quhet eliminim i elementëve të dyshimtë. Një frazeologji e tillë lypset kur do t’i përmendësh gjërat pa ngjallur imazhet e tyre mendore. Përfytyrojeni, për shembull, një profesor anglez që i patrazuar mbron totalitarizmin rus. Ai s’mund të thotë troç: “Unë besoj se me vrasjen e kundërshtarëve politikë mund të kesh pasoja të mira nëse e bën këtë”. Prandaj, ka gjasë që të shprehet pak a shumë kështu: “Duke pranuar hapur se regjimi sovjetik ka disa tipare që humanitarët mund të jetë të prirë t’i dënojnë, na duhet, mendoj, të biem dakord që një kufizim i caktuar i së drejtës së opozitës politike është një element i pashmangshëm shoqërues i periudhave kalimtare, dhe se masat e rrepta të cilave popullit rus i është dashur t’u nënshtrohet kanë qenë më se të përligjura në fushën e arritjeve konkrete”.

Stili i fryrë është në vetvete një lloj eufemizmi. Një shtresë fjalësh latine bie mbi faktet si borë e butë, duke i turbulluar pamjet dhe duke i fshehur të gjitha hollësitë. Armiku i vërtetë i gjuhës së qartë është mungesa e sinqeritetit. Kur ka një hendek mes qëllimeve të vërteta dhe qëllimeve të shpallura, në mënyrë instiktive përdoren fjalë të gjata dhe idioma të stërpërdorura, si një sfungjer që të spërkat me bojë. Në epokën tonë nuk ka diçka të tillë si: “t’i rrish larg politikës”. Të gjitha çështjet janë çështje politike dhe vetë politika është një grumbull i madh gënje­shtrash, shtrembërimesh, marrëzish, urrejtjesh, dhe skizofreni. Kur atmosfera e përgjithshme është e keqe, gjuha është ajo që në mënyrë të pashmangshme vuan. Ma merr mendja, – ky është thjesht hamendësim, meqë s’kam dijeni të mjaftueshme për ta vërtetuar – se gjuhët gjermane, ruse, e italiane janë përkeqësuar të gjitha gjatë këtyre dhjetë apo pesëmbëdhjetë viteve të fundit si pasojë e diktaturës.

Por nëse mendimi e korrupton gjuhën, edhe gjuha mund ta korruptojë mendimin. Një përdorim i keq mund të përhapet nëpërmjet traditës dhe imitimit, edhe mes njerëzve që duhet dhe dinë më shumë. Gjuha e zhvlerësuar për të cilën po flas është një farë mënyre shumë e volitshme. Fraza si: “një supozim jo i papërligjur, lë shumë për të dëshiruar, nuk do t’i shërbente kurrfarë qëllimi të mirë, një konsideratë e cila lipset mbajtur mirë parasysh”, janë tundim i përhershëm, një paketë aspirinash që i mbajmë gjithmonë te kryet. Kthejuni shembujve në këtë ese, dhe me siguri do të zbuloni se edhe unë vetë kam bërë në mënyrë të përsëritur pikërisht ato gabime ndaj të cilave po shpreh mospaj­timin tim.

Në postën e këtij mëngjesi më erdhi një pamflet që merrej me gjendjen në Gjermani. Autori më tregon se “ishte ndier i dety­ruar” të shkruante. E hap rastësisht, dhe ja ku është fjalia më e parë që më kapin sytë: “(Aleatët) kanë mundësinë jo vetëm për të kryer një transformim radikal të strukturës shoqërore dhe politike të Gjermanisë në një mënyrë që të shmangë një reagim nacionalist në vetë Gjermaninë, por në të njëjtën kohë të hedhë themelet e një Evrope bashkëpunuese dhe të bashkuar”.

E shihni, ishte “ndier i detyruar” të shkruante – u ndie, na e merr mendja, se ai ka diçka të re për të thënë – por prapëseprapë fjalët e tij, prapë si kuaj të kavalerisë që turren pasi jepet kush­trimi, vetvetiu mblidhen grumbull në kallëpe të zakonshme dhe të mërzitshme. Pushtimi i mendjes me fraza të gatshme (për t’i hedhur themelet, për të arritur një transformim radikal) mund të parandalohet vetëm nëse autori është vazhdimisht syçelët ndaj tyre, sepse çdo frazë e tillë i bën anestezi një pjese të trurit.

Thashë më parë se zvetënimi i gjuhës sonë mund të jetë sëmun­dje e shërueshme. Ata që e mohojnë këtë do të argumentonin, nëse do të gjenin një argument, se gjuha thjesht pasqyron gjen­djet ekzistuese shoqërore, dhe se ne nuk mund të ndikojmë në zhvillimin e saj përmes asnjë veprimi përmirësues me fjalë dhe struktura fjalësh. Nëse kemi parasysh tonin ose frymën e për­gjithshme të një gjuhe, mund të jetë e vërtetë, por nuk është e vërtetë kur flasim për hollësitë e një gjuhe. Fjalë dhe shprehje pa kuptim shpesh janë zhdukur nga përdorimi, jo për shkak të ndonjë procesi zhvillimi, por falë veprimit të vetëdijshëm të një pakice folësish. Dy shembuj të kohëve të fundit janë: “të shfrytë­zosh të gjitha mundësitë e mundshme” dhe “të mos lësh gur pa lëvi­zur” që u vranë nga shpotitë e pak gazetarëve. Është një listë e gjatë metaforash të vdekura, të cilat në mënyrë të ngjashme mund të hiqen qafe nëse aq njerëz sa nevojitet shfaqin interes për ta bërë këtë punë; dhe duhet të jetë gjithashtu për të qeshur sajesa me jo pa[13], për ta zvogëluar sasinë e fjalëve latine dhe greke në një fjali mesatare, për t’i nxjerrë jashtë përdorimit frazat e huaja dhe fjalët e keqvendosura shkencore dhe, në përgjithësi, për ta nxjerrë ligjërimin pompoz jashtë mode. Por të gjitha këto janë çështje të vogla. Mbrojtja e anglishtes nënkupton më shumë se kaq dhe, ndoshta, më e mira është të fillojmë të themi çfarë nuk nënkupton.

Si fillim, duhet thënë se s’ka të bëjë fare me fjalët e vjetruara (arkaizmat), me shpëtimin e fjalëve e togfjalëshave që s’përdo­ren më, dhe kapërcimet gjuhësore, as me vendosjen e një “angli­shteje standarde” prej së cilës nuk duhet të shmanget asnjëherë. Përkundrazi, është veçanërisht e interesuar të flakë çdo fjalë ose idiomë e cila s’ka asnjë lloj dobie. S’ka të bëjë aspak me grama­tikën dhe sintaksën e saktë, të cilat nuk kanë rëndësi për sa kohë mendimi bëhet i qartë, as me shmangien e amerikanizmave, apo me atë që quhet “stil i mirë proze”. Nga ana tjetër, nuk është e interesuar për një thjeshtësi të rreme dhe as përpiqet ta bëjë anglishten e shkruar të ligjërimit bisedor. As që nënkupton të parapëlqehet fjala saksone kundrejt asaj latine, ndonëse nën­kupton që duhet të përdoren sa më pak fjalë dhe më të shkur­trat, fjalë që e mbartin kuptimin. Para së gjithash, është e nevoj­shme ta lësh kuptimin ta zgjedhë fjalën, dhe jo e kundërta. Në prozë, më e keqja që mund të bësh me fjalët është të dorëzohesh para tyre. Kur mendohet për një gjë konkrete, mendohet pa fjalë, dhe pastaj, nëse doni ta përshkruani atë që keni përfyty­ruar, ka mundësi të kërkoni me mendje derisa t’i gjeni fjalët e sakta që duket se përshtaten.

Kur mendohet diçka abstrakte, ka prirje të përdoren fjalët që në fillim, dhe vetëm nëse bëhet një përpjekje e vetëdijshme për ta parandaluar, e folura ekzistuese do të turret për ta bërë punën për ty, në kurriz të mjegullimit madje të ndryshimit të kuptimit. Ndoshta është më mirë ta lëmë anash përdorimin e fjalëve sa më shumë të jetë e mundur dhe ta qartësojmë kuptimin me anë të pamjeve dhe ndjesive. Pastaj, mund të zgjidhen – jo thjesht të pranohen – frazat që më së miri mbartin kuptimin dhe pastaj të marrë një rol të kundërt dhe të përcaktojë se çfarë mbresash ka gjasë të lënë fjalët e zgjedhura te dikush tjetër. Me këtë përpjekje të fundit të mendjes hiqen të gjitha imazhet bajate ose të përziera, të gjitha frazat e gatshme, përsëritjet e panevojshme, broçkullat dhe paqartësitë në përgjithësi. Por ndodh shpesh të jesh në mëdyshje për efektin e një fjale ose fraze, dhe nevojiten rregulla te të cilat të mbështetemi kur gabon instinkti. Mendoj se rregullat e mëposhtme vlejnë për shumicën e rasteve:

  1. Mos e përdor asnjëherë një metaforë, krahasim, ose figurë tjetër letrare të cilën je mësuar ta shohësh në shty­pin e shkruar.
  2. Mos e përdor një fjalë të gjatë kur të bën punë një e shkur­tër.
  3. Nëse është e mundur ta heqësh një fjalë, gjithmonë hiqe.
  4. Mos e përdor asnjëherë diatezën pësore kur mund ta përdorësh veproren.
  5. Mos e përdor asnjëherë një frazë të huaj, fjalë shkencore, ose fjalë zhargoni, nëse mund t’ia gjesh një barasvlerës në anglishten e përditshme.
  6. Më mirë t’i shkelësh këto rregulla sesa të thuash diçka që kuptohet hapur se është barbare.

Këto rregulla ngjajnë elementare, dhe ashtu janë, por kërkojnë ndryshim të plotë qasjeje prej kujtdo që është mësuar të shkruajë me stilin që është tani në modë. Mund t’u përmbahesh të gjitha këtyre rregullave dhe përsëri të shkruash me anglishte të keqe, por nuk do të mund të shkruash sipas asnjërit prej shembujve që citova në të pesë gjedhet në fillim.

Nuk e shtjellova këtu përdorimin letrar të gjuhës por, thjesht, gjuhën si mjet për të shprehur dhe jo për të fshehur ose para­ndaluar mendimet. Stjuërt Çeisi dhe të tjerë gati sa s’kanë dek­laruar se të gjitha fjalët abstrakte janë të pakuptimta, dhe e kanë përdorur këtë si pretekst për të mbrojtur një lloj mosangazhimi politik. Meqë s’e dini se çfarë është fashizmi, si mund të luftosh kundër fashizmit? Nuk është e nevojshme të kapërdish absurdi­tete si kjo, por duhet ta pranojmë se kaosi i tanishëm politik lidhet me rrënimin e gjuhës dhe se, ndoshta, mund të bëhen për­mirësime nëse ia nisim nga gjuha që përdorim. Nëse e thjeshtë­zon anglishten që përdor, çlirohesh prej marrëzive më të këqija të mendimeve dogmatike. Nuk mund të flasësh asnjërin nga zhargonet e nevojshme, dhe kur thua një broçkull pa kuptim, idiotësia e saj do të jetë e dukshme edhe për ty. Gjuha politike – me variantet e saj, (kjo është e vërtetë për të gjitha partitë poli­tike, duke nisur nga konservatorët tek anarkistët) është e pro­jektuar që t’i bëjë gënjeshtrat të tingëllojnë të vërteta dhe vra­sjen të respektueshme, dhe ta bëjë të duket e patundur edhe vetë erën. Askush nuk e ndryshon të gjithë këtë sa hap e mbyll sytë, por secili mund t’i ndryshojë të paktën shprehitë e veta dhe, herë pas here, mund jo vetëm t’i përqeshë, por edhe t’i flakë në koshin e plehrave disa fraza të vjetra dhe të padobishme – disa çizme, thembra Akilash, vatër konflikti, pikëtakim kulturash, provë e zjarrit, një ferr i vërtetë, ose mbetje shprehjesh, mu aty ku e kanë vendin.

Horizon, prill 1946

[1] John Milton (1608-1674), poet dhe intelektual anglez, që shërbeu si nëpunës civil për Komonuelthin, i njohur për veprën e madhe letrare, poemën Parajsa e humbur (1667). (Shënim i përkthyesit).

[2] Percy Bysshe Shelley (1792-1822) një nga poetët më të mëdhenj romantikë anglezë. (Shënim i përkthyesit).

[3] Harold Joseph Laski (1893-1950), teoricien politik dhe ekonomist anglez, kryetar i Partisë Laburiste britanike (1945-1946) dhe profesor në Kolegjin e Ekonomisë dhe Shkencave Politike të Londrës në vitet 1926-1950. (Shënim i përkthyesit).

[4] Lancelot Thomas Hogben (1895-1975) shkroi libra mbi shkencën dhe matema­tikën për t’i bërë popullorë për publikun e përgjithshëm. Interglosa është gjuhë e krijuar nga ky biolog gjatë Luftës së Dytë Botërore, si një përpjekjeje për ta bërë leksikun ndërkombëtar të shkencës dhe teknologjisë, pjesë të një gjuhe ku secila fjalë i përgjigjet një morfeme të vetme, si “variant i një mjeti ndihmës për një rend botëror demokratik”. (Shënim i përkthyesit).

[5] Nick Bottom një nga personazhet kryesor dhe më argëtuesit në komedinë Ëndrra e një nate vere Uiliam Shekspirit (1595). (Shënim i përkthyesit)

[6] Vendi ku ndodhet selia e BBC-së. (Shënim i përkthyesit).

[7] Në Britani, moshqiptimi i tingullit “h” shihet si tregues i mungesës së arsimimit ose si tregues se i përket një klase të ulët shoqërore. (Shënim i përkthyesit).

[8] Një ilustrim interesant është mënyra se si emrat anglezë të luleve ishin në për­dorim deri kohët e fundit, po nxirren nga përdorimi nga ata grekë, Snapdragon po zëvendësohet nga antirrhinum, lulja mos më harro (angl forget-me-not) po zëvendë­sohet nga myosotis etj. Është e vështirë të kuptohet një arsye praktike për këtë ndry­shim të modës: ndoshta po ndodh për shkak të një largimi instinktiv nga fjala më e njohur dhe një ndjesi e paqartë që fjala greke është shkencore.

[9] Shembull: “Katolicizmi i perceptimit dhe imazhit të ngushëllimit, çuditërisht Uitmanian në gamën e vet, pothuajse e kundërta në shtysën e brendshme estetike, vazhdon të ngjallë atë aluzion mjedisor drithërues ndaj një pakohësie në mënyrë të pashmangshme, jashtëzakonisht të qetë…Wrey Gardiner arrin ta kapë demin për brirësh. Vetëm se nuk është kaq e thjeshtë dhe nëpërmjet këtij trishtimi të kënaqur del në sipërfaqe hidhërimi i heqjes dorë”. (Revista Poetry Quarterly).

[10] Origjinali në anglisht nga Predikuesit që analizohet: “I returned and saw under the sun, that the race is not to the swift, nor the battle to the strong, neither yet bread to the wise, nor yet riches to men of understanding, nor yet favour to men of skill; but time and chance happeneth to them all”. (Shënim i përkthyesit).

[11] Fjalia e trilluar nga Oruelli në anglisht që analizohet: “Objective considerations of contem­porary phenomena compel the conclusion that success or failure in competitive activities exhibits no tendency to be commensurate with innate capacity, but that a considerable element of the unpredictable must invariably be taken into account”. (Shënim i përkthyesit).

[12] Përkthimi shqip ka 36 fjalë, prej të cilave katër me prejardhje latine, dhe një ose dy me rrënjë turke. (Shënim i përkthyesit).

[13] Mund të vetëshërohemi nga përdorimi i strukturës –jo pa duke e mësuar përmendësh këtë fjali: Një qen jo i pazi po ndiqte një lepur jo të pavogël nëpër një fushë jo të pagjelbër.

 

Përktheu nga anglishtja: Granit Zela. Marrë nga numri 15 i revistës “Akademia”, botim i N. Sh. “Armagedoni”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shirat e musoneve dhe thatësirat janë të lidhura me njëra…