Politika e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor, pas zgjedhjeve!!?
Bashkimin Evropian që nga themelimi, e ka karakterizuar liberalizimi me ndikim të interesave nacionale të shteteve përbërëse të unionit. Por rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian kanë sjellë edhe më shumë në pah këtë tendencë, për shkak të disa ndryshime në konfiguracionin e BE-së. Për dallim nga mandatet e tjera, këtë herë, Parlamenti Evropian do të ketë komplet një strukturë më ndryshe. Arsyeja kryesore është se do të ketë përplasje midis lëvizjeve populiste dhe euro skeptike nga njëra anë, dhe forcave liberale pro-evropiane nga ana tjetër. Si rezultat i kësaj pas shumë viteve kemi rënie të numrit të votave për partitë liberale, demokrate, Pro- Evropiane.
Si do të ndikojë kjo në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor?
Procesi i integrimit në BE ka qenë nxitësi kryesor i reformave në vendet e Ballkanit Perëndimorë. Por shtyrja përpara e procesit për pranimin e këtyre vendeve, ka stagnuar si rezultat i problemeve te brendshme të BE-së. Struktura e re e BE-së pas zgjedhjeve, definon qartë që Ballkani Perëndimor do ta ketë më shumë vështirësi në procesin integrues, për shumë arsye.
-Rritja e numrit të partive euroskeptike në Parlamentin Evropian do të shkaktojë një lloj përzierje brenda BE-së në raport me vendet e Ballkanit, duke e ditur qëndrimin e tyre kundër migracionit. Partitë e ekstremit të djathtë euroskeptik kanë qenë mjaft të qarta në mendimin e tyre lidhur me migracionin. Ata duan të ‘mbyllin kufijtë’ dhe të kenë një politikë shumë të rreptë për migrimin.
Gjithashtu janë pro rritjes së nacionalizmit kombëtar, kanë frikë humbjen e vendeve të punës dhe janë kundër politikave të zgjerimit të BE-së. Përpjekjet e tyre për t’i jetësuar politikat e tyre, nuk do të mungojnë.
-Në anën tjetër shtetet e mëdha si Franca, kanë një qëndrim të prerë kundër politikës së zgjerimit të BE-së, duke e theksuar që para se të pranohet ndonjë anëtar i ri, Evropa ka nevojë për reformime të brendshme. BE tani është më shumë e koncentruar në fuqizimin e unionit. Rezultati i Brexit konsiderohet si një tregues i qartë i krizës në të cilën ndodhet BE. Madje gjeneza e Brexit vjen pikërisht nga nacionalizmi kombëtar në rritje. Presidenti francez Macron, është deklaruar që nëse Bashkimi Evropian shihet si “një treg pa shpirt” dhe jo si një “projekt i paqes, stabilitetit dhe lirisë”, atëherë shumë njerëz do të dëshironin të largoheshin nga BE.
– Përveç kësaj, politikën e jashtme të BE-së është nominuar për ta udhëhequr spanjolli Josep Borrell, njëri nga kundërshtarët më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, gjë që normalisht do të ketë efektet e saj negative, sado te vogla te jenë ato, kur dihet që Spanja nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.
Sipas kësaj, BE në mandatin e ardhshëm do të ketë një politikë të fokusuar më shumë në reformim të brendshëm. Por ajo që vlen të theksohet është që edhe pse ka euro skeptik në rritje, përqindja e tyre nuk është aq e lartë, dhe pjesën më të madhe të Parlamentit Evropian e përbëjnë prapë partitë pro evropiane. Prandaj në pesë vitet e mandatit, nuk pritet ndonjë anëtarësim i ndonjë shteti të ri, por do të ketë lëvizje pozitive. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të hapin negociatat për negocimin e kapitujve, Serbia do të varet nga raportet me Kosovën në procesin e saj integrues, Kosovës nuk ka më arsye t’i mohohet e drejta e lëvizjes së lirë, për të vazhduar tutje me statusin e kandidatit.
Bashkimi Evropian si një projekt i paqes, nuk duhet të lërë anash Ballkanin Perëndimor, sepse është pjesë e cila i takon Evropës si gjeografikisht ashtu edhe kulturalisht. Vetë Bashkimi Evropian po karakterizohet nga paradokse brenda saj, të cilat po ndikojnë në përcaktimin e politikave. Një nga paradokset është si një bashkim shtetesh që ka projekt paqen, lirinë, prosperitetin po arrin të jetë kaq rigorozë ndaj shteteve pretendente për t’iu bashkangjitur BE-së dhe për t’i kontribuar paqes dhe zhvillimit bashkërisht!
Shumica prej vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë plotësuar kriteret për të ecur tutje (p.sh. rasti i fundit Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilat nuk arritën të marrin statusin e kandidatit). Më nuk mjaftojnë vetëm deklaratat që Ballkani Perëndimor është brenda Evropës, dhe kemi sfida të përbashkëta. Por ajo që duhet të bëhet është të vendoset brenda agjendave dhe të jetë prioritet, sidomos nga shtetet e mëdha si Franca, për arsye se njerëzit e këtyre vendeve janë të zhgënjyer dhe mund të bien pre e influencave tjera si Rusia, Kina, Turqia!
Rreze Xhemajli (Master i Shkencave Politike)