Politika e brendshme dhe e jashtme e Skënderbeut

19 janar 2020 | 11:22

NEXHAT KRASNIQI

Me rastin e 552-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Skënderbeu lindi në familjen e Kastriotëve rreth vitit 1405. Ishte djali i Gjonit dhe i Voisllavës. Vëllezërit e Skënderbeut ishin: Stanishi, Reposhi dhe Konstadini. Skënderbeu kishte pesë  motra: Marën, Jellën, Angjelinën, Vlajkën dhe Mamicën. Sipas shumë burimeve, Skënderbeu që në moshën nëntëvjeçare u dorëzua si peng në Perandorinë Osmane. Atje u shkollua në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në Edrene. U edukua në shkollën e iç-ogllarëve për 10 vjet dhe tregoi aftësitë e veçanta të artit ushtarak si një strateg i rrallë.
Pas një sërë fushatash ushtarake në kuadër të Perandorisë Osmane, erdhi koha e kthimit në vendlindje, për të kontribuuar si udhëheqës shqiptar. Më 28 nëntor 1443 e merr Krujën në mënyrë diplomatike, për ta ngritur shkabën dykrenare në kështjellën e Krujës, me ç’rast ky ishte momenti i fundit kur u largua përgjithmonë nga tabori i Perandorisë Osmane dhe filloi lufta e hapur kundër saj.
Fitoret e para kundrejt Perandorisë Osmane dhe marrja e një sërë kështjellash nga osmanët, (Petrelës afër Tiranës, Gurit të Bardhë në Mat, Stelushit e Sfetingradit në Dibër etj.), e fuqizuan Skënderbeun si një lider të veçantë politiko-ushtarak.
Fitimi i autoritetit si një fitimtar i Skënderbeut ia mundësoi edhe liderizmin para principatave shqiptare pavarësisht prej kundërshtimeve… Skënderbeu e pa të udhës që sa më parë ndërmjet tij dhe kryezotërinjve të ndryshëm shqiptarë të zhvilloheshin një sërë takimesh individuale për marrëveshje, e që si rezultat i angazhimit në këtë drejtim, doli mendimi që të thirret një kuvend… u vendos që Kuvendi të mbahej në Lezhë, e cila atëkohë ishte nën zotërimin e Venedikut, për të mos ngjallur dyshime te bujarët e tjerë shqiptarë në raport me Principatën e Kastriotëve.
Kuvendi i Lezhës i filloi punimet më 2 mars 1444 në katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Në të morën pjesë shumë princër e fisnikë shqiptarë, si: Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë e Pal Dukagjini, Teodor Muzakaj, Gjergj Stres-Balsha, Lekë Zaharia, Lekë Dushmani, Pjetër Spani etj.
Skënderbeu mbajti fjalën e hapjes në Kuvend, duke i kushtuar rëndësi bashkimit politikë e ushtarakë të shqiptarëve. Format e bashkëpunimit dhe rrugët për realizimin e bashkimit politik të tyre në themele vendosen besën. Ata institucionalizuan Kuvendin si formim politik më të lartë vendimmarrës të fisnikëve shqiptarë.
Kuvendi vendosi që bashkimi i shqiptarëve të bëhej në formën e një besëlidhjeje politike ndërmjet drejtuesve të zotërimeve të lira dhe fisnikëve të tjerë të vendit, që u njoh me emrin Besëlidhja Shqiptare e Lezhës. Ajo ishte një aleancë politiko-ushtarake. Kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu, kurse institucioni më i lartë vendimmarrës u bë Kuvendi i anëtarëve të Besëlidhjes, i cili do të mblidhej herë pas here për çështje të rëndësishme.
Vendim tjetër shumë i rëndësishëm i Kuvendit ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe caktimi i Skënderbeut si komandant i përgjithshëm i saj. Ushtria e Besëlidhjes përbëhej nga dy pjesë: nga forcat e përhershme dhe nga ato të përkohshme që mobilizoheshin vetëm në raste lufte… Kuvendi vendosi që pranë Skënderbeut të krijohej një arkë e përbashkët.
Skënderbeu, edhe pse u zgjodh kryetar i Lidhjes Shqiptare dhe komandant i përgjithshëm i ushtrive aleate, nuk kishte asnjë të drejtë mbi zotërimet e tyre. Ai ishte i pari mes të barabartëve. Çdo bujar i dha Lidhjes zotime për ta ndihmuar luftën me ushtri dhe me të holla. Ata ruajtën të drejtën të largoheshin nga Besëlidhja pa pasur ndëshkime. Partikularizimi i feudalëve zvogëlonte forcën e shqiptarëve. Qëndrimi i lëkundshëm i bujarëve në çastet kritike të luftës paraqiste një rrezik serioz drejt sukseseve…
Për të arritur suksese kundrejt pushtuesit, Skënderbeu filloi të mos përfillte privilegjet e feudalëve separatistë. Gjatë veprimeve luftarake kundrejt armikut Skënderbeu nuk përfilli zotërimet e bujarëve aleatë, dmth. kur u fuqizua si autoritet, shkeli autonominë territoriale të bujarëve shqiptarë. Qëllimi ishte të bashkohen territorialisht e politikisht kundrejt Perandorisë Osmane e çdo armiku të mundshëm… këto veprime quan drejt konsolidimit të shtetit shqiptar dhe e ruajtën identitetin e tyre nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Për t’i realizuar sa më shumë qëllimet e bashkimit të fisnikëve shqiptarë Skënderbeu bëri edhe lidhje martesore. Martesat në mes të familjeve të mëdha feudale krijuan edhe parakushte të lidhjeve politiko-ekonomike si dhe trashëgimore. Kështu që martesa e Skënderbeut me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit, kishte për qëllim lidhjet e këtyre dy familjeve të mëdha feudale. Skënderbeu edhe motrën e vet, Mamicën, e martoi me Muzak Topinë. Lidhjet martesore në mes të familjeve të mëdha feudale të Kastriotëve, Arianitëve e Topiajve krijuan mundësitë e bashkimit miqësor që, në fakt, krijonte atmosferën e unifikimit më të sigurt, pavarësisht prej vështirësive që kishte… me lidhje martesore kishte vepruar edhe Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, si: Mara ishte martuar me Shtjefan Cernojën e Zetës, Vlajka me Gjon Muzakën, Angjelika me Vladan Arianitin (vëlla i Gjergj Arianitit), Jella me Pal Stres Balshën.
Sukseset në beteja kundrejt Perandorisë Osmane e Besëlidhjes Shqiptare dhanë sinjalizime të një shteti të fuqishëm shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut. Prandaj, pavarësisht prej konkurrencës mes vete të vendeve me ndikim të kohës, Skënderbeun e konsideruan si një faktor kryesor në aleancat e mundshme kundrejt armikut të përbashkët të Perandorisë Osmane.

 

***

Traktati i Paqes me Venedikun (më 4 tetor 1448) është dokumenti i parë që e njohim deri më sot, ku Lidhja e Princave Shqiptarë del si subjekt i pavarur në marrëdhëniet ndërkombëtare…
Në Evropën Juglindore u krijuan marrëveshje diplomatike me hungarezët e Janush Huniadit deri në vitin 1456 kur ai vdiq. Edhe përkundër marrëveshjeve të mira që kishin me Janush Huniadin, kishte momente të vështirësive edhe të natyrave të ndryshme, si në kohën kur u bë marrëveshja që Skënderbeu t’i dilte në ndihmë Huniadit në luftë kundrejt P. O. që do të zhvillohet më 18 tetor 1448 në Fushë-Dardanë. Ishin momente tejet të vështira për Skënderbeun për tri arsye: 1. Qëndrimi i despotit serb Gjergj Brankoviqi pengonte trupat e Skënderbeut të kalonin nëpër tokat që zotëronin në atë kohë; 2. Konflikti me Venedikun…; 3. Besnikëria ndaj fjalës së dhënë (por rrethanat ishin të atilla që vërtet ishte e pamundur që Skënderbeu të jetë i pranishëm në betejë, pavarësisht insistimeve).
Përkundër vështirësive që ekzistonin me despotatin serb për arsye të rivalitetit për territore, ishin momentet kur edhe u rregulluan marrëdhëniet diplomatike, sidomos pasi që Despotati i Rashkës ra në duart e osmanëve, despoti i saj, Stefani, djali i Gjergj Brankoviqit, u strehua në Shqipëri më 1459 për disa vite pranë Skënderbeut. Për t’i forcuar lidhjet diplomatike kundrejt armikut të përbashkët, Stefani u bë edhe baxhanak me Skënderbeun, duke e marrë për grua Angjelinën, vajzën e Gjergj Arianitit.
Me marrëdhëniet diplomatike me Bosnjën u treguan përafrime me mbretin e Bosnjës, Stefan Tomasheviqin, në rastin e konfliktit me Venedikun më 1448. Por për arsye të konflikteve të mundshme me Perandorisë Osmane nuk patën ndonjë marrëveshje të suksesshme me Skënderbeun.
Në pranverën e vitit 1463, kur ushtria osmane filloi pushtimin e Bosnjës, Skënderbeu ishte i gatshëm t’i ndihmonte, por ndërsa pritej vendimi i Republikës së Venedikut për ta lejuar kalimin e luftëtarëve shqiptarë nëpër rrugët e zotërimeve të saj, ushtria osmane e pushtoi Bosnjën.
Pas marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Raguzës, një qytet i dalluar tregtar, Skënderbeu kishte edhe mbështetje ekonomiko-financiare nga Raguza. Sipas një dokumenti të datës 17. V. 1447, personaliteti i Skënderbeut nga Zyra e Republikës së Raguzës është quajtur “Gjergj Kastrioti, Zot i Arbërisë” (doino Giorgio Castriotis de Albania). Por kishte edhe çaste jo të mira, sidomos në nëntorin e vitit 1466 kur u nis për Itali, e në prill 1467 kur u kthye nga Italia, zemërimi i osmanëve e rrezikonte edhe vetë Republikën e Raguzës. Vëllezërit Gjin e Pal Gazuli ishin qytetarë raguzianë me gjak shqiptari, të cilët përcollën me interesim të veçantë ngjarjet në Shqipëri dhe ishin në lidhje të ngushta me Skënderbeun, duke kryer edhe shërbime konsullare në favor të shtetit shqiptar, si në Raguzë, Venedik etj.
Raporte diplomatike kishin edhe me vendet italiane, si me Venedikun, Papatin, Napolin etj.
Venediku kishte zotërime të territoreve shqiptare, prandaj ky element e rivaliteti për dominim në Ballkan e Mesdhe në përgjithësi, e bëri që mos të ketë raporte të mira diplomatike me shtetin shqiptar të udhëhequr nga Skënderbeu. Ishte konflikti me Venedikun një nga arsyet kur Skënderbeu nuk mundi t’i shkonte në ndihmë Janush Huniadit më 1448. Më 1451 Skënderbeu kërkoi nga Republika e Venedikut të vendoste në Krujë një garnizon ushtarak për ta përfshirë atë në luftën antiosmane. Kjo kërkesë në atë kohë ishte në kundërshtim me politikën veneciane, prandaj Senati e hodhi poshtë atë. Megjithatë, fuqizimi i Perandorisë Osmane e detyroi Venedikun të kishte raporte të mira diplomatike me Skënderbeun. Sidomos ishin vitet ’60 kur osmanët prekën zotërimet tregtare të Venedikut në Peleponez e më gjerë. Pra, kjo ishte arsyeja pse Republika e Venedikut kishte përafrime diplomatike me Skënderbeun. Kjo tregon edhe më faktin që R. e Venedikut nderon me dhënien e titullit “fisnik venecian”, më 1463, prej dukes Kristofor More, djalit të Skënderbeut, Gjonit, i cili ende ishte fëmijë.
Interesi i përbashkët mes Skënderbeut e Papatit për ta ndalë vrullin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe më gjerë pati insistime bashkëpunimi, që të pengohet dhe, njëkohësisht, në aspektin politiko-ushtarak fuqia e Perandorisë Osmane të mundet. Papati e vlerësonte shumë luftën antiosmane të shqiptarëve, e mbështeti moralisht, e propagandoi gjerësisht atë, i dha Skënderbeut titullin “Mbrojtës i krishterimit” dhe Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë. Nuk mungonte mbështetja financiare nga Papati, sidomos në vitet ’60, por ajo ishte larg kërkesave që duheshin për t’i dalë përballë një fuqie të kohës siç ishte Perandoria Osmane. Megjithatë, Papati i dha rol të veçantë Skënderbeut, sidomos në një organizim të një lufte të përbashkët në nivel evropian, për t’ia ndalë hovin Perandorisë Osmane dhe bërë shkatërrimin e saj. Megjithatë nuk u arrit…
Marrëdhënie diplomatike Skënderbeu kishte edhe me Mbretërinë e Napolit, sidomos me Alfonsin V. Interesat e përbashkëta të Skënderbeut e Alfonsit V bënë që të dytë ta shfrytëzonin autoritetin e njëri-tjetrit për ta ndalë hegjemoninë osmane. Mbretëria e Napolit kishte bërë në Ballkan një sërë marrëveshjesh me princat shqiptarë dhe të tjerë, por veçohet marrëveshja e Skënderbeut dhe Alfonsit në Gaeto të Italisë, afër Napolit, më 26. II. 1451. Si diplomat të Skënderbeut në këtë ngjarje u dalluan ambasadorët, ipeshkvi i Krujës, Shtjefani dhe Nikollë Berguci. Mbreti Alfonsi V ishte hartues i tekstit të Traktatit, një dokument me vlera të veçanta diplomatike. Traktati i Gaetos është përfunduar në emër të Skënderbeut si sundimtar i Principatës së Kastriotëve dhe të kryezotërinjve të tjerë shqiptarë, farefisit ose vasalëve të tij si, p. sh., Gjergj Arianiti, Gjin Muzaka, Gjergj Stresh Balsha, Pjetër Spani, Palë Dukagjini, Muzak Topia, Simon Zenevisa etj. Duhet veçuar që pati edhe marrëveshje të veçanta me princat e lartpërmendur dhe mbretin e Napolit, Alfonsi V, si p. sh., ai me Gjergj Arianitin disa muaj më vonë, përmenden tokat e përbashkëta që do të çliroheshin me forcën e përbashkët.
Në marrëveshjen mes Skënderbeut dhe Alfonsit V për tokat që do të çliroheshin me forcë të përbashkët, thuhej se ato do t’i zotëronte mbreti Alfonsi V bashkë me Skënderbeun dhe kryezotërinjtë e tjerë shqiptarë.
Traktati i Gaetos ishte një aleancë mes Alfonsit V e Skënderbeut, për ta luftuar me forcë të përbashkët pushtimin osman të Shqipërisë, por në pikëpamje juridike ai ishte një traktat vasaliteti mes kushteve të caktuara. Megjithatë, Skënderbeu mbeti plotësisht i pavarur me politikën e brendshme dhe të jashtme…
Pas disfatës së Beratit, ku koalicioni i përbashkët pësoi shumë nga ushtria osmane, Alfonsi V praktikisht u tërhoq nga Shqipëria dhe me vdekjen e tij më 1458 Traktati pushoi së ekzistuari.
Froni në Napoli u trashëgua nga djali i Alfonsit V, Ferdinandi (Ferrante). Për të qenë i plotfuqishëm Traktati, ai duhet të përsëritet me të njëjtat kushte, e që nuk u arrit. Ferdinandi u gjend në një situatë tejet të vështirë nga kundërshtarët e tij dhe Skënderbeu, si shenjë respekti ndaj Mbretërisë së Napolit, në shtator 1460 dërgoi grupin e parë të luftëtarëve të udhëhequr nga nipi Koiko Stres Balsha për ta ndihmuar Ferdinandin, djalin e mikut të vjetër të Skënderbeut, Alfonsit V, njëkohësisht t’i vazhdonte raportet diplomatike me Napolin. Princi i Tarentit, Xhovan Antonio de Orsini, i shkroi me ironi Skënderbeut të tërhiqej. Edhe Skënderbeu ia ktheu në të njëjtën mënyrë, duke shkruar: “Në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë. Duhet ta dini se në kohë të tjera paraardhësit tanë kaluan në vendin që mbani sot dhe patën bërë luftëra të mëdha me romakët. Dhe, nga sa dimë, në të shumtën e rasteve u ndanë me nder sesa me turp”. Në fund të gushtit 1461 Skënderbeu zbarkoi vetë në Itali me dy-tre mijë luftëtarë. I mundi forcat kundërshtare dhe vetë Xhovan Antonio de Orsini hyri në bisedime me Skënderbeun, i cili kërkoi që ky të ndërmjetësonte të lidhte paqe me mbretin Ferdinand. Kjo i dha një ringjallje të marrëdhënieve diplomatike mes Mbretërisë së Napolit dhe Skënderbeut -prijësit të shtetit shqiptar. Në shenjë mirënjohje për këtë ndihmë, mbreti Ferdinand i dhuroi Skënderbeut feudet e Monte Sant Angjelos e të San Xhovani Rotondos, si dhe një pension vjetor prej 1 200 dukatësh.
Skënderbeu krijoi raporte të mira edhe me shtetet e tjera italiane, si me Dukatin e Milanos, Mantovën, Sienën etj., madje edhe me vendet e largëta evropiane si me Dukatin e Burgonjës (Francë), por ato nuk ishin intensive si me Napolin, Venedikun e Papatin.
Raporte diplomatike Skënderbeu krijoi edhe me vendet e Azisë së Vogël si, p sh., me Ibrahimin e Karamanisë. Ibrahimi në një projekt për luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane, një vend qendror u dha aksioneve të shqiptarëve.
Shqiptarët si popull i lashtë në Gadishullin Ilirik (Ballkanik), pavarësisht prej vështirësive të kohërave të ndryshme, mbijetuan dhe në kohë të ndryshme ishin faktor i Gadishullit Ilirik, sidomos në periudhën e Skënderbeut. Periudha e lavdishme e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut i tregoi edhe vijat e diplomacisë shqiptare se ka duhet orientuar.
Lavdi jetës dhe veprës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu!

(Portretin e Skënderbeut, piktori Agim Sulaj)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderët serbë ende vazhdojnë të mohojnë masakrën e shkaktuar në…