Politika e jashtme duhet të fokusohet me vendosmëri në rritjen e numrit të njohjes
Prof. ass. dr. Sabri Kiçmari
ANALIZË 3 / Reflektimi i zhvillimeve ndërkombëtare në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës
Rasti i ratifikimit të Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, e cila ishte kundërshtuar fuqishëm nga kryetari i AAK Ramush Haradinaj, në kohën sa ishte në opozitë, dhe mbështetja e tij, pas ardhjes në pushtet, të të njëjtës marrëveshje, dëshmon për mungesën e konsekuencës në politikën e jashtme të liderit të AAK dhe kryeministrit tashmë të dorëhequr. Ky është një shembull i qartë manipulimi në politikën e jashtme. Ndryshe nga konceptet e Putnamit, sipas të cilit në metaforën e dy rrafsheve mbetet e paqartë kur, kush dhe cilin e manipuluan, në këtë rast është e qartë se Kryeministri për arsye pushtetore e manipuloi opinionin publik kundër kauzës që e kishte ngritur vet, me qëllim që të siguronte qeverisjen në një koalicion me PDK-në, lideri i së cilës e kishte nënshkruar marrëveshjen. Me këtë akt, Haradinaj fitoi pikë në raport me diplomatët e huaj të akredituar në vendin tonë dhe diplomacinë evropiane, si njeri që zgjidh probleme, kurse rrezikoi të akuzohet nga qytetarët si mashtrues i publikut për interesa pushtetore.
2.3. Rrafshi individual
Përpos rrafshit ndërkombëtar dhe atij brendashoqëror, një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme luan edhe rrafshi individual. Individi është subjekt i rëndësishëm i krijimit dhe përpunimit të politikës së jashtme. Perceptimet individuale të bartësve të institucioneve shtetërore ndikojnë në aktet vendimmarrëse në politikën e jashtme, në krijimin e platformës, qëllimit, strategjisë dhe instrumenteve të realizimit të politikës së jashtme.
Në rrafshin e aktorëve politikë në Kosovë mund të dallojmë dy tipa: aktorë që e vejnë primatin mbi shquarjen individuale dhe të tillë që e vejnë në radhë të parë rrafshin institucional dhe vleror. Sipas tipave dallohen edhe format e veprimit. Te tipi i parë i aktorëve, veprimet në politikën e jashtme shihen nga këndvështrimi i maksimalizimit të pushtetit dhe përfitimit vetjak, kurse në rastin e dytë te sjellja racionale, edhe në rast se mund të ketë humbje të imazhit vetjak, por përfitime serioze nacionale.
Këtë rrafsh analitik mund ta konkretizojmë më tej, bazuar në qasjen socialkonstruktiviste. Sipas kësaj qasje, mund të konstatojmë se tipi i parë i aktorëve vendimmarrës janë aktorë të orientuar ekskluzivisht drejt vlerave materiale, përderisa tipi i dytë janë të tillë që u kushtojnë rëndësi të dorës së parë vlerave politike (jomateriale, ideale). Në grupin e parë, orientimi themelor veprues është dobia, maksimalizimi i fuqisë pushtetore dhe forcimi i lidhjeve individuale me rrethet vendimmarrëse ndërkombëtare. Grupi i dytë karakterizohet me aktorë politikë, që ju kushtojnë rëndësi parimeve, etikës, normave dhe identitetit.
Këto dy grupe dominohen nga dy logjika veprimi në politikën e jashtme: i pari karakterizohet me Logjikën e Bilancit, i dyti me Logjikën e Argumentimit. Te grupi i parë, pyetja themelore është: Çfarë lloj rezultati sjell veprimi i caktuar në politikën e jashtme për maksimalizimin e fuqisë dhe interesit pushtetor? Grupi i dytë bazohet në pyetjen: A është veprim i drejtë, racional, etik dhe me interes për shtetin, kombin dhe shoqërinë veprimi i dhënë?
- Çka është e realizueshme në politikën tonë të jashtme?
Në kontekst të këtyre zhvillimeve ndërkombëtare dhe statusit të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, mund të shtrohet pyetja themelore: Çka është e realizueshme në politikën tonë të jashtme? Cilat qëllime dhe cilat interesa gjejnë mbështetje të qytetarëve të Kosovës dhe aktorëve ndërkombëtarë?
Në përgjigje të këtyre dy pyetjeve do të mundohemi të analizojmë mundësitë, interesat, qëllimet dhe mjetet e politikës së jashtme të Kosovës. Këndvështrimi ynë do të jetë i orientuar drejt tri drejtimeve themelore të veprimit, të cilat mendojmë se janë të rëndësisë së dorës së parë: njohja e Republikës së Kosovës, pranimi i Kosovës në OKB, në BE, NATO, UNESCO, Interpol dhe organizata tjera ndërkombëtare dhe negociatat me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
4.1. Njohja e Republikës së Kosovës
Njohja e Republikës së Kosovës është një nga sfidat më të mëdha të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Mund të identifikojmë dy faza të procesit të njohjes: faza e parë përfshin vitet 2008-2015 dhe faza e dytë, është në vazhdim e sipër dhe përfshin vitet 2015 e deri më sot.
Deri në vitin 2015 ka pasur një rritje progresive të numrit të njohjes. Moment kthese negative është rezultati i votimit për pranim në UNESCO, më 9 nëntor 2015. Mospranimi i Kosovës në UNESCO është përcjellë me pasoja serioze për procesin e njohjes. Edhe pse nga 142 vende anëtare, sa morën pjesë në votim në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s, 92 shtete votuan pro pranimit të Kosovës, kurse 50 shtete votuan kundër dhe 29 shtete abstenuan, Kosova nuk arriti të siguronte 2/3 e nevojshme për të fituar statusin e vendit anëtar në UNESCO. Udhëheqja e politikës së jashtme të Kosovës nuk i kishte bërë me kujdes llogaritë, se si reflektohet një dështim i tillë në procesin e njohjes dhe integrimit në organizata ndërkombëtare në të ardhmen.
Përkundër përpjekjeve të politikës së jashtme të Kosovës, për të shpjeguar se pragu ishte shumë afër, të gjitha mediumet ndërkombëtare njoftuan për “dështimin e Kosovës për t’u pranuar.” Mjaftojnë vetëm titujt e medieve më të njohura ndërkombëtare, për të pasqyruar reflektimin negativ në opinionin publik ndërkombëtar: The New York Times: “Unesco Rejects Kosovo Membership in a Victory for Serbia”; The Guardian: “Kosovo fails in Unesco membership bid”; REUTERS: “Kosovo fails in bid to gain UNESCO membership”; DIE ZEIT: “Kosovo scheitert mit Antrag auf Aufnahme in Unesco”; DER STANDARD: “Bemühungen des Kosovo um Unesco-Aufnahme gescheitert”; LE MONDE: “L’adhésion du Kosovo à l’Unesco rejetée de justesse”. Siç mund të konstatojmë nga titujt e mësipërm të medieve, shprehja që dominon në ta është “dështimi.” Përmes këtij mossuksesi, në fakt, në opinionin publik ndërkombëtar u krijua përshtypja për Kosovën si një shtet që ka dështuar të siguroj vendin e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Pas dështimit të pranimit të Republikës së Kosovës në UNESCO, politika serbe arriti të plasojë idenë se shteti i Kosovës nuk është shtet i konsoliduar. Një ofensivë e re diplomatike e Serbisë do të pasonte, duke shfrytëzuar dështimin në UNESCO dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve si alibi, për të përhapur idenë se çështja e Kosovës nuk është zgjidhur ende. Si pasojë ka pasur 15 shtete, të cilat në vitet 2018-2019 e kanë deklaruar publikisht tërheqjen e njohjes së Republikës së Kosovës. Në vend që të analizohej me kujdes, si një prej proceseve më jetike në politikën e jashtme, Qeveria dhe Kuvendi janë munduar që të shmangin debatin, me kërkesë të Ministrit të Jashtëm, me arsyetimin që të mos flitet për tërheqjen e njohjes, edhe kur ato ndodhin, sepse mund të dëmtohet procesi. Dhe dëmi ka vazhduar duke u thelluar.
Çfarë mund të bëhet? Politika e jashtme duhet të fokusohet me vendosmëri në rritjen e numrit të njohjes. Duhet investuar më shumë në hapjen e misioneve diplomatike në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine. Identifikimi i kanaleve të komunikimit diplomatik, direkt dhe indirekt, me vendet e fuqishme si Kina, India, Brazili, Argjentina, Afrika e Jugut është një nevojë urgjente. Ndihma e vendeve mike në këtë drejtim, sidomos SHBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës është e domosdoshme. Ministria e Jashtme e Kosovës duhet të investoj më shumë në raportet me Gjeorgjinë dhe Ukrainën, por edhe me Azerbajxhanin, Turkmenistanin, Armeninë dhe Kazakistanin. Krijimi i grupeve të ekspertëve brenda MPJ dhe përfaqësues të shoqërisë civile, që merren me tema të politikës së jashtme, do të mund të ndihmonte në strukturimin e një pune tredrejtimëshe: në rrafshin analitik, në rrafshin operativ, përmes misionarëve të posaçëm për rajone të caktuara, dhe në rrafshin lobues në rajone të caktuara me personalitete ndërkombëtare dhe fondacione përkatëse. (Vijon)