Politika e jashtme e Republikës së Kosovës në vitin 2024
Shkruan: Valon MURTEZAJ
Derisa po hyjmë në vitin e ri 2024 kemi të drejtë mendojmë se si do të jetë ky vit për Kosovën dhe politikën e jashtme të saj.
Fjala e parë që na vjen ndër mend është se ky vit do të jetë sfidues për shtetin e Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, angazhimi i institucioneve qeverisëse të Republikës së Kosovës duhet të jetë i tillë që të krijojë mundësi për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Kontekstet shumë komplekse globale dhe evropiane kanë ndikim të paevitueshëm edhe për Kosovën dhe shtetësinë e saj. Agresioni i Rusisë në Ukrainë, politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian, zgjedhjet në Bashkimin Evropian (BE), padyshim që kanë ndikim direkt në politikën e jashtme të Kosovës në vitin 2024.
Arena primare e angazhimeve të politikës së jashtme do të duhej të jetë konsolidimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë se Kosova të njihet nga shtete të reja, të ketë thellim të marrëdhënieve diplomatike me shtetet që aktualisht e kanë njohur Kosovën dhe, po ashtu, të ketë anëtarësime në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.
Njohjet nga pesë vendet e Bashkimit Evropian (Greqia, Rumania, Qipro, Sllovakia, dhe Spanja) mbeten sfida të vështirë, në të njëjtën kohë mundësi e artë për Kosovën. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte arritje e madhe për Kosovën nëse kjo do të ndodhte në vitin 2024. Prandaj, në mënyrë specifike këtu do të duhej të ishte angazhimi i fuqishëm dhe i plotë i Kosovës për të avancuar në këtë drejtim.
Diplomacia publike dhe dimensionet e tjera të diplomacisë duhet të jenë përkrahëse dhe të zhvillohen me intensitet dhe mençuri dhe përgatitje në mënyrë që efekti të jetë global.
Sidoqoftë, Republika e Kosovës tanimë është në hartën e shteteve të pavarura të botës, dhe rruga e saj për forcim të pozicionit në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare sado e vështirë të jetë, do të jetë e suksesshme.
Gëzuar 2024!
*Autori është profesor i negocimit dhe diplomacisë në Paris të Francës