Politika e jashtme, joaktive

03 janar 2022 | 11:34

Gjatë vitit 2021 Republika e Kosovës nuk ka pasur asnjë njohje dhe nuk është anëtarësuar në asnjë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë vlerësuar me notë negative punën e presidentes, të kryeministrit dhe të ministres së Punëve të Jashtme në arenën ndërkombëtare.

“Në disa prononcime të mia gjatë këtij viti kam ngritur shqetësimet e mia se diplomacia e Kosovës nuk po ecën me ritmin dhe drejtimin e duhur. Rrjedhimisht edhe tani në fund të këtij viti kalendarik më duhet të pohoj se politika e jashtme e shtetit të Kosovës ka çaluar shumë si në planin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, po ashtu edhe në planin e organizimit të brendshëm”, ka deklaruar profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi. Sipas tij, gjatë këtij viti Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë ndonjë veprim të rëndësishëm.

“Tani nuk dua të tingëlloj shumë mohues, por nga eksperienca ime mund të them se e vërteta është se nuk kemi parë ndonjë veprim të rëndësishëm në politikën e jashtme. Nuk ka njohje dhe anëtarësime të reja që do të ishin një tregues matës i cili do t’i mbështeste pohimet e presidentes dhe të ministres së Jashtme”, është shprehur ai.

Kurse politologu Avdi Smajljaj ka deklaruar për gazetën se gjatë këtij viti politika e jashtme ka reflektuar në masë të madhe karakteret e bartësve kryesorë të institucioneve të kësaj fushe.

“Ashtu sikurse ndryshimi i pushtetit që u prit me entuziazëm nga një masë e gjerë qytetare, edhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme kishte pritje të mëdha. Por, ajo që faktikisht rezultoi nga qeveria e pushteti i ri, në përgjithësi u reflektua edhe në politikën e jashtme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme si bartëse kryesore, por jo e vetme, e politikës së jashtme. Në periudhën gati njëvjeçare të qeverisjes nga kjo qeveri, politika e jashtme ka reflektuar në masë të madhe personalitetet (karakteret) e bartësve kryesorë të politikës së jashtme, si të ministres, presidentes dhe të kryeministrit”, ka thënë Smajljaj.

Ai ka bërë me dije se politika e brendshme ka reflektuar në politikën e jashtme. “Diskursi i brendshëm grindavec i retorikës dhe përplasjes me opozitën dhe të kaluarën përbën pjesën më të madhe të aktiviteteve të bartësve të politikës së jashtme, gjë që ka dëmtuar rëndë politikën e jashtme të Kosovës, duke mos e trajtuar mbrojtjen interesit të Kosovës jashtë saj, që do të duhej të ishte fokusi kryesor i politikës së jashtme”, ka deklaruar ai.

Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Valon Murtezaj, ka vlerësuar se Kosova nuk është sjell në mënyrën e duhur në arenën ndërkombëtare. “Politikat qeverisëse të punëve të jashtme zakonisht duhet të përfshijnë spektër të gjerë të formave dhe mënyrave të të bërit diplomaci. Të kuptuarit e saktë të nevojave dhe vlerësimi i kapaciteteve, ndihmojnë funksionim më të mirë të politikës së jashtme. Kjo pastaj do të mundësonte një sjellje diplomatike adekuate që do të kishte për efekt rezultate të prekshme në shumë fusha të punëve të jashtme. Kosova ka nevojë të bëjë diplomaci unike, sepse nevojat e saj janë unike. Kjo nënkupton që prioritetet të përcaktohen qartë dhe pastaj të mobilizohen të gjitha resurset e mundshme brenda dhe jashtë Kosovës për t’u vënë në shërbim të synimeve të politikës së jashtme. Në vitin 2021 aktivitetet në politikën e jashtme të Kosovës kanë qenë të kufizuara”, ka thënë për gazetën Murtezaj.

Sipas Murtezajt, Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë prioritet politikën e jashtme. “Politika e jashtme është një fushë e gjerë e veprimtarive politike, strategjike dhe sjelljes diplomatike të një vendi në kuadër të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kur kemi parasysh që shteti i Kosovës është shtet i ri, atëherë kjo nënkupton që politika e jashtme do të duhej të ishte ndër prioritetet e qeverisë. Nëse bëjmë një vështrim real, këtë nuk kemi mundur ta vërejmë gjatë vitit që po lëmë pas. Përveç disa aktiviteteve me artisten tonë të famshme Dua Lipa, që mund të theksohen si të efektshme për promovimin e Kosovës dhe si formë e diplomacisë publike, aktivitetet e tjera që kemi parë mund të cilësohen rutinore dhe tradicionale, por jo angazhime dinamike dhe intensive, që do t’i adresonin nevojat e mëdha që ka Kosova në këtë periudhë të konsolidimit në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Murtezaj.

Gafat e ministres Gërvalla

Ato që kanë rënë në sy gjatë këtij viti kanë qenë gafat e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Në llogarinë e saj në “Twitter”, kryediplomatja ka gabuar pothuajse në secilin publikim.

Vazhdimisht ajo ka ngatërruar flamujt e vendeve që e kanë njohur Kosovën dhe, ndër të tjera, edhe flamurin e NATO-s me atë të OKB-së. Sipas njohësve të kësaj fushe, këto veprime të saj prekin dinjitetin e vendeve që ua ngatërron flamujt. “Është e vërtetë se kemi parë disa vizita të ministres, por kemi parë edhe disa gafa të saj dhe disa deklarata mjaft kundërthënëse dhe me shkarje faktografike, me të cilat, mbase pa dashje, i është bërë shërbim diplomacisë serbe. Unë nuk e di sa ministrja e ka të konsoliduar stafin këshillëdhënës dhe sa e konsulton atë. Sa di unë, MPJ-ja ka diplomatë të karrierës, por edhe jashtë MPJ-së ka ekspertë të mirë, të gatshëm ta ndihmojnë diplomacinë, respektivisht afirmimin e shtetit të tyre në planin e jashtëm. Si përfundim mua nuk më rezulton ndonjë parametër afirmativ që do të mund ta vlerësonte me notë pozitive punën e MPJ-së gjatë këtij viti që po e lejmë pas”, ka thënë profesori Gashi.

Edhe politologu Smajljaj gafat e ministres Gërvalla i ka cilësuar skandale. Ai ka thënë për “Epokën e re” se politika e jashtme e Kosovës është pa strategji dhe objektiva. “Bartësit e politikës së jashtme gjatë kësaj periudhe ende nuk kanë krijuar strategji të Kosovës në politikën e jashtme, që do të thotë ende nuk kanë objektiva të qarta në politikën e jashtme. Ende institucionet tona nuk kanë arritur të definojnë se çka duam të arrijmë në politikën e jashtme dhe si mund të arrihet kjo në politikën e jashtme. Në nivelin bilateral, Kosova ka ngecur në thellimin e marrëdhënieve diplomatike, përjashtuar disa marrëveshje me Shqipërinë (që do të duhej konsideruar të pakta e të vonshme nëse marrim për bazë relacionet e veçanta që do të duhej t’i kishim), gjë që dëshmohet me numrin e marrëveshjeve bilaterale gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova është treguar pasive në politikën e jashtme.

“Kosova ka treguar një qasje pasive, duke mos pasur asnjë iniciativë rajonale, si dhe duke i personalizuar e përdorur për retorikë elektorale zhvillimet e ndryshme rajonale në të cilat Kosova do të duhej ta impononte vetveten përmes një qasje proaktive dhe të qartë, gjë që ka munguar gjatë kësaj periudhe. Sa i përket dialogut, është dëshmuar një konfuzion e mungesë e vizionit, vazhdimisht duke iu ndërruar vendet në listën e prioriteteve, herë duke e kushtëzuar dialogun me përgjegjësi për gjenocidet e Serbisë në Kosovë, duke filluar nga viti 1878 e deri më sot, herë duke e injoruar edhe çështjen e të pagjeturve në procesin e dialogut”, është shprehur Smajljaj.

Shkarkimi i ambasadorëve, i paprecedent

Veprimi që ka bërë bujë më së shumti në fushën e politikës së jashtme ka qenë shkarkimi i 12 ambasadorëve në muajin maj. Për më shumë se pesë muaj, 21 ambasada mbetën pa përfaqësim të rangut të ambasadorëve. Kësisoj, Kosova e uli nivelin e përfaqësimit me të ngarkuar me punë në të gjitha këto misione.

Tërheqja e ambasadorëve pa një plan për zëvendësimin e tyre dhe pa vlerësim tё punës së tyre është konsideruar veprim jo i mençur nga njohësit e fushës së politikës së jashtme.

“MPJ-ja këtë vit e karakterizoi mungesa e profesionalizmit dhe veprimet e ngutshme, si ai për tërheqjen e ambasadorëve politikë në mes të mandatit të tyre, pa kryer paraprakisht zëvendësimet e tyre, duke lënë shumë shtete të rëndësishme pothuajse gjatë tërë vitit në nivelin e përfaqësimit më të ngarkuar me punë”, ka thënë profesori Ibrahim Gashi. Sipas tij, asnjë vend nuk ka bërë shkarkimin e ambasadorëve pa vlerësim paraprak.

“Nuk ka ndonjë vend në botë që pa bërë një vlerësim paraprak të performancës dhe pa iu tërhequr vërejtjen për performancë të dobët të shkarkojë mbi dhjetë ambasadorë me një vendim njëkohësisht. Ky veprim, përpos që le vend për të dyshuar, se nuk është në përputhje me Ligjin për Shërbimin Diplomatik, lë shije të keqe te shtetet pritëse. Për më shumë, kjo është mungesë e skajshme e profesionalizmit dhe politizim i diplomacisë në emër të depolitizimit”, ka thënë ai.

Sipas politologut Avdi Smajljaj, shkarkimi i ambasadorëve nuk është bërë në mënyrë institucionale.

“I vetmi aktivitet i Ministrisë së Punëve të Jashtme në politikën e jashtme, gjatë kësaj periudhe, ishte shkarkimi dhe emërimi i disa ambasadorëve, që është më shumë çështje administrative, procedurale, e protokollare sesa politike në kuptimin e politikës së jashtme – avancim i interesit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Madje edhe këto shkarkime nuk janë bërë në frymën institucionale duke bërë një vlerësim paraprak të punës së secilit, gjë që do të krijonte praktikë institucionale në këtë proces, i cili vazhdimisht, edhe në qeveritë e kaluara, është lënduar rëndë me nepotizëm, favoritizëm e klientelizëm”, ka deklaruar ai.

Vetëm në muajin tetor është bërë emërimi i ambasadorëve të rinj. Që nga shpallja e pavarësisë më 2008 Kosova ka hapur 32 misione diplomatike në vende të ndryshme të botës. Pavarësisht prej kritikave të shumta, presidentja e Kosovës, Vjosa Osamani, kryeministri Albin Kurti dhe kryediplomatja Donika Gërvalla pretendojnë se kanë ndryshuar për të mirë politikën e jashtme të Kosovës. Sipas tyre, me vizitat e pakta që kanë pasur jashtë vendit kanë ndikuar në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

(Muhamet Koci/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Iliri dhe Donaldi duket se do të shkojnë kokë më…