POLITIKA ËSHTË IDEALISTE DHE EGOISTE
Jakup Krasniqi
Max Weber, në ligjëratën e tij të botuar si libër që në hyrje, politikën definon si një nocion tepër të gjerë. Ai shkruan: “ Nocioni (politikë- J. K) është tepër i gjerë dhe përfshin çdo formë të veprimtarisë së pavarur udhëheqëse. Kështu shpesh flitet për politikën devizore, të bankave, për politikën e një sindikate gjatë një greve, gjithashtu mund të flitet për politikën e një shkolle të një qyteti ose fshati, për politikën e një udhëheqësie të një ndërmarrje, e deri të politika e një gruaje të zgjuar, e cila e çon burrin nga do dhe si do ajo.” Ne themi: “E çon me pirë ujë dhe e lenë pa pirë ujë”! Ky nocion për politikën, për Weberin ishte i papranueshëm për kohën e tij. Mbase edhe më i pa pranueshëm është nocion i cituar për kohën tonë të internetit e të teknologjisë informative.
Nga kjo që u tha del se, shprehja politika ka faj, është tepër e gjerë dhe si e tillë nuk kuptojmë asgjë. Prandaj gjerat duhet saktësuar e përkufizuar në mënyrë sa më precize. Për ketë Weberi thotë: “Me politikë duhet të kuptojmë vetëm: udhëheqjen ose ndikimin e udhëheqjes të një formacioni politik”, madje ai e saktëson për “rrethanat e sodit, të një shteti”. Në vazhdim Weberi është edhe më i saktë e konkret, kur thotë: “Kush bënë politikë, synon pushtetin”. Më shkurt e më qartë se kaq, nuk mund të thotë askush as sot e kësaj dite. Sipas Weberit, politikë do të thotë “pushtet ose mjet për qëllime të tjera, egoiste ose idealiste – ose pushtet për hir se vetvetes: për të gëzuar autoritet ose privilegj”. Pra, sipas Weberit, ka edhe politikë idealiste, por në ditët tona, idealizmi është sunduar tërësisht nga egoizmi dhe grabitja PËR AUTORITET E PRIVILEGJE TË PA LIGJSHME.
Pasi, politika është idealiste dhe egoiste, kjo na bënë të kuptojmë se kur themi: “politika ka faj”, nuk kemi thënë asgjë nëse nuk e adresojmë apo e përafrojmë fajtorin i cili ka marr përgjegjësinë për t’i shërbyer sovranit ndërsa i shërben vetëm egoizmit vetjak. Egoizmi vetjak, i ushqyer me pasurinë kombëtare a paranë publike nuk është politikë shtetërore as kombëtare, është “politikë” grabitqare, nga e cila duhet të distancohemi të gjithë. Në raste të tilla edhe distancimi është tepër pak! Distancimi është i mirë, por nuk është i mjaftueshëm.
Gjithashtu, aty ku ka grabitje të pasurisë publike e kombëtare dhe ligji (drejtësia) nuk vepron, aty nuk ka as politikë e as ligj e drejtësi të mirë.
Se këtu nuk ka as ligje e as politika të mira shtetërore, ketë e tregojnë: injoranca e shtrirë në institucionet e shtetit, mos funksionimi i Sistemit të Drejtësisë, kaosi në rrugët tona ku humbin shumë jetë njerëzish, pastaj kazinotë që kanë mbirë si këpurdhat pas shiut, krimi i shtrirë edhe në familje për pasuri dhe mënyra sesi trajtohen ndërmarrjet publike etj., janë dëshmi se këtu nuk ka as drejtësi, nuk zbatim të ligjit dhe për pasojë as politika të mirë në drejtimin e shtetit! Këto që u cekën dhe shumë fenomene të tjera negative që i shohim përditë na tregojnë se shoqëria jonë është në një krizë të thellë morale, nga e cila vështire mund të dalim me ata që e kanë sjellë deri në ketë shkallë.
Në fakt, Kosova ka ligje të shkruara mirë, por i mungon Sistemi i mirë i Drejtësisë për zbatimin e tyre, i mungojnë edhe politikat e mira kombëtare e shtetërore përgjithësisht! I mungojnë politikat që sigurojnë perspektivë për qytetaret.
Dalje nga kjo gjendje pesimiste ka, por duhet vullneti i shumicës për t’i mbështetur idealistet racional! Pa të cilin idealizëm nuk do të ishim të lirë në tokën tonë, në Republikën tonë të pavarur e sovrane. Vrapi pas të gjitha formave të egoizmave personale afatshkurtra, na bënë që të vend numërojmë!
Kombi ynë ka shumë nevojë që t’i jep më shumë hapësire energjive pozitive e idealiste për ndryshim e perspektivë! Por, paraprakisht të çlirohemi nga energjitë e grumbulluara negative!