Politika, kuzhina e martesa!
Shkruan: Mr. Sci. Zef Komani, psikiatër
Secili qytetar i thjesht shpreson që deputetët në Kosovë të jenë njerëz, humanistë e profesional, ndërsa na dalin vetjak e primitiv. Politika dhe gatimi kanë aq shumë gjëra të përbashkëta sa pothuaj se janë të njëjta, posaçërisht në Kosovë. Edhe pse mjekët aq shumë e ndalojnë kripen askush nuk e hanë gjellën pa e kriposur mirë e mirë. Dikush e kërkon gjellën aq pikante sa edhe meksikanët do ta refuzonin, të tjerët kërkojnë receta në rrjete sociale. E kërkon një gjellë për darkë dhe gruaja të shërben diç tjetër dhe me premtime e lajka të bind se ka pasur të drejtë. Pra secili sipas dëshirës dhe shijes së vet.
Ashtu është edhe me politikën kosovare. Çdo gjë realizohet në bazë të dëshirave dhe shijeve të deputetëve. Nuk ka një strategji (recetë) që do të jetë politikë (gjellë) me shije të shumicës së qytetarëve siç do të duhej të ishte. Më pengon fakti që deputet tanë në zjarr të dobët, gatuajnë me ministrat në komisione parlamentare. Duhej ngritë më tepër temperaturën, duhet kriposur dhe duhet bërë pak më pikante gjellën (debatin).
Sepse pyetjet që i bëjnë nuk janë ato që nxjerrin në pah të vërtetën, janë pyetje që përgatiten në dark me ministra. Ne, qytetarët pra, kemi kuzhinier të dobët në politikë, e politikan të dobët në kuzhinë. Dështimet janë si pasojë e gjellës së dobët që shërbehet. Nuk është befasi se politikanet tanë ushqehen në, dhe nga restorantet ekskluzive.
Nisur nga ky fakt, kemi ardhur gjerë të gjendja që e përshkruan mirë klasën tonë të “mençur” politike e mbi të gjitha të “suksesshme”. Për ne e kanë paramenduar supën. E kanë ca ujë, disa eshtra, pak krip dhe e kanë vendosur në stufë. Të gjithë përbërësit janë aty. Populli i uritur e pret supën. E ata nuk e ndezin stufën. Presin. E kanë mësuar recetën mirëpo aty nuk shkruan se duhet ndezur stufa. Popullit të uritur i thonë se ende nuk është moment i duhur, nuk i dëgjojnë këshillat se duhet zier menjëherë, sepse populli është i uritur. Me buzëqeshje nëpër buzë deklarojnë se çdo gjë është nën kontroll.
E nëse është nën kontroll pse nuk e tregojnë “datën” e liberalizimit të vizave? Pse është numri kaq i madh i të rinjve që kërkojnë një jetë normale në perëndim? A ndikon në aspektin afatshkurtër në zhvillimin ekonomik ndërtesat, autostradat e asfalti?
Pse një folk – këngëtar (kërkoj ndjesë nuk me kujtohet emri) e kishte fjalën kryesore në funksionimin e ish koalicionit? I njëjti dekorohet me mirënjohjen më të lartë në Kosovë dhe jo për art, sepse art nuk di të bëj. Për çka dekorohet? A do ta zgjidhni prapë deputet. Mund të ndodh që në legjislaturën e ardhshme i njëjti ta emërojë ministrin e arsimit!
Çka presin? Pse nuk e bëjnë një gjellë që është për shije të Kosovës e jo për shije individuale. Mos ndoshta bëjnë si ai gjenerali i cili e kishte strategjinë e çmendur “…nëse do të pres me durim shumë gjatë në breg të lumit, do të shoh se lumi e bartë trupin e armiku të tim…”.
Në realitet kështu rezonojnë e veprojnë taktizuesit dhe frikacakët, njerëzit të cilët llogarisin se çka dhe sa mund të humbin (vota e të mira personale), e jo pse në të vërtet luftojnë (e politika është luftë).
Në fillim desha ta bëjë krahasimin e jetës bashkëshortore dhe politikës mirëpo u frikësova se tërë vëmendjen do ta merr dashuria, e edhe në politikë, si në martesë, nuk ka dashuri. Mirëpo, prapë, nuk mund të mos e përmend ngjashmërinë e martesës me politikën.
Me kohë, në të dyja rastet, na lidhin interesat e përbashkëta, sjelljet dhe problemet të cilat i kemi. Pastaj na bie ndërmend si në martesë edhe në politikë se diku kemi gabuar, kemi bërë zgjedhje të gabuar, kemi ra pre e premtimeve të ëmbla por të kota, buzëqeshjeve të rrejshme.
Në martesë, kemi pritur që të kemi një grua, zonjë në shoqëri, kuzhiniere në kuzhinë e …në shtrat. E në fund e shohim se realiteti është krejtësisht tjetër- e fitojmë kuzhinieren në shtrat, zonjën në kuzhinë e në shoqëri. E pa vetëdije biem në përfundim se njëjtë e kemi edhe me politikanët. Presim që klasa politike të jenë njerëz, humanistë e profesional ndërsa na dalin vetjak e primitiv. I zgjedhim sepse tregojnë afërsi, dashuri dhe dhembshuri e na dalin të largët, pa ndjenja dhe sadistë.
Në fushata zgjedhore vijnë të thjeshtë e të afërt e në pozita sillen me makina të blinduar e me xhama të zinj. Literatura e dashur për ta janë librat e kadastrës, shpalljet e AKP-së e konkurset e bordeve. Rastësisht e duan xhudon dhe futbollin e kurrë nuk e kanë luajtur një ndeshje që në shkollën fillore. Janë shqiptar të mirë, pak monoton por të parashikueshëm sepse besojnë se të menduarit është sëmundje ndërsa kritika dobësi karakteri.
E gjithnjë e presin momentin e volitshëm, falimentimin e “Valës”, “Ferroniklit”, “Grandit”, shitjen e ndonjë parcele prej 108 hektarësh lajthia, të vdesin punëtorët që ende nuk e kanë marrë 20 për qind e privatizimit, që pensionistëve të ju humb durimi, të kalojnë 10 vite dhe ndërtimet pa leje të legalizohen, të ikin të rinjtë e të vjetrit të vdesin, pra të zvogëlohet dendësia e popullatës.
Presin që pas 30 viteve ta pranojnë se lufta ka përfunduar, atëherë kur nuk do të dihet se cila luftë.
P.S. Kuptohet si gjithnjë edhe në këtë rast, ka përjashtime, absolut është vetëm populli.