Politika ndaj pakicave përshpejton integrimin e shtetit në BE
Shkruan: Mr. Kristjan Dukaj
Procesi i bisedimeve për integrimin e vendit në BE, sipas vlerësimeve të institucioneve relevante, është duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë e që paralajmëron rrugëtimin e suksesshëm në këtë proces. Por, pavarësisht prej mendimit pozitiv lidhur me rrjedhën e procesit integrues, ende mbetet shumë punë për t’u bërë në mënyrë që Mali i Zi sa më parë të jetë pjesë e bashkësisë së vendeve evropiane. Angazhimi i deritashëm i shoqërisë malazeze dhe institucioneve të tij e kanë sjell Malin e Zi në pozitën e liderit në rajon në procesin e integrimeve. Andaj, është obligim parësor i institucioneve përkatëse, të shfrytëzojnë përparësitë e pozicionimit të këtillë dhe në afatin më të shkurtër të bëhet anëtari i radhës i BE. Jo për shkak të dëshirës por si nevojë që sa më parë të përvetësojmë vlerat Evropiane të jetës; për punë, shkollim, shoqërinë e barazisë sociale me shanse dhe mundësi të barabarta.
Në këtë kontekst, strategjia e politikës së pakicave, respektivisht, realizimi i të drejtave të pakicave, paraqet njërën nga urat kryesore në procesin e përgjithshëm të Integrimeve Evropiane. Jo rrallë, kjo problematik shqyrtohet në nivelet më të larta, nacionale dhe ndërkombëtare. Me mbajtjen e tubimeve të tilla në këtë temë, dëshirohet, apriori, të sigurohet hapësirë më adekuate për realizimin e politikës së proklamuar siç qëndron edhe në aktin më të lartë juridik të vendit dhe aktet tjera ndërkombëtare, konventat dhe marrëveshjet bilaterale.
Është fakt se popujt pakicë i kanë dhënë përkrahje të parezervë procesit të integrimeve të bindur se suksesi i këtij procesi kontribuon pozitës më kualitative të tyre në të gjitha nivelet. Të vetëdijshëm se pozita e pakicave në një vend në mas të madhe mund të jetë pengesë në procesin e negociatave, Mali i Zi ka harmonizuar legjislaturën nacionale me përvojat e ngjashme të vendeve të BE. Me Kushtetutën e Malit të Zi, si dhe me aktet dhe dispozitat tjera ligjore, është definuar korniza institucionale e politikës ndaj të drejtave të pakicave. Kushtetuta, si akti më i lartë juridik i vendit, paraqet bazën themelore në promovimin, përforcimin dhe avancimin në mbrojtjen e të drejtave lirive themelore të njeriut, pjesë e pandashme e të cilave janë edhe të drejtat e popujve pakicë.
Me Kushtetutën e Malit të Zi, neni 6, garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si kategori të patjetërsueshme. Kurse, neni 7, ndalon diskriminimin mbi çfarëdo baze qoftë. Krahas legjislaturës nacionale e cila garanton respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, Mali i Zi, me dispozitat e nenit 9, të Kushtetutës, ka përcaktuar se “kontratat e miratuara ndërkombëtare dhe rregullat e aprovuara të përgjithshme nga fusha e të drejtës ndërkombëtare janë pjesë përbërëse të rendit të brendshëm juridik dhe, si të tilla, kanë përparësi ndaj legjislaturës vendase dhe se zbatohen drejtpërdrejt në rastet kur raportet i rregullojnë ndryshe nga legjislatura e brendshme”. Në kuadër të drejtave të veçanta të pakicave, konsiderohen edhe të drejtat shtesë të cilat popujve pakicë në Mal të Zi, ua garanton Kushtetuta dhe dispozitat e parapara ligjore, qëllimi i të cilave është mbrojtja e identitetit të përgjithshëm nacional. Konform kësaj, në pjesën e dytë të Kushtetutës, me nenin 79, pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të bashkësive tjera nacionale, u garantohen të drejtat dhe liritë të cilat mund ti shfrytëzojnë individualisht ose në bashkësi me të tjerët, ku mes tjerash, duhet veçuar:
– e drejta në përfaqësimin autentik në Parlamentin e Malit të Zi dhe parlamentet e njësive të vetëqeverisjes lokale në të cilat përbëjnë përqindje të konsiderueshme të popullsisë, në pajtimin me principet e aksionit afirmativ;
– përfaqësimi proporcional në shërbimet publike, organet e pushtetit qendror dhe vetëqeverisjen lokale.
Kuptohet se realizimi i normave të parapara duhet të jetë sfidë, në veçanti, për ata që janë drejtpërdrejt përgjegjës në zbatimin e tyre në punë dhe veprimtari të përditshme e që, individin apo bashkësinë e bëjnë të sigurt, nëse jo edhe të kënaqur dhe kjo duhet të jetë qëllimi i pushtetit ekzekutiv të Malit të Zi në realizimin e strategjisë së politikës ndaj pakicave.
Duke folur me gjuhën e shifrave në mungesën e studimit dhe analizës së detajuar, nuk kemi të dhëna precize statistikore e që do të pasqyronin qartë gjendjen në fusha të ndryshme kur është fjala për realizimin e strategjisë së politikës ndaj pakicave, sepse në bazë të dhënave parciale nuk mund të vërtetohen faktet për nivelin e arritur në këtë fushë. Andaj, aktivitetet në përpunimin e të dhënave në pasqyrimin e situatës ekzistuese duhet koordinuar mes ministrisë përkatëse dhe institucioneve tjera të kyçura në këto projekte. Kur është fjala për pakicën nacionale të shqiptarëve në Mal të Zi, sipas të dhënave në dispozicion, përfaqësimi i tyre në organet e legjislaturës publike nuk është në proporcion me përqindjen prej 4.9 për qind sa është pjesëmarrja e tyre në numrin e popullsisë së përgjithshme në Mal të Zi.
Edhe pse rezultatet e deritashme janë përpunuar kryesisht në mënyrë parciale dhe variojnë nga 1.5 për qind deri në 2.8 për qind, varësisht nga periudha dhe institucioni që kanë punuar në grumbullimin e të dhënave, është e qartë se ajo ende nuk është në nivelin e duhur. Natyrisht se nuk është fjala për respektimin strikt të normave në përqindje por, duke marr parasysh faktin se një numër i madh i të rinjve nga këto hapësira, vite me radhë është duke u shkolluar në qendra prestigjioze universitare në Mal të Zi dhe jashtë tij, duhet dhënë shansin kuadrove të rinj të arsimuar, që me angazhimin e vet profesional të kontribuojnë në përvetësimin e standardeve demokratike, respektivisht ndërtimin e Malit të Zi si shtet të barazisë sociale.
Tentativat e deritashme që të kihet një pasqyrim më i qartë i situatës ekzistuese nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara. Andaj, siç është paralajmëruar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, (KKSH), puna në studimin e gjendjes aktuale në këtë fushë do të kontribuojë në procesin e avancimit të drejtave të pakicave. Avancimi i gjendjes në këtë fushë, përveç integrimit të bashkësisë, s’ka dyshim, edhe nëse nuk do të ndalojë me siguri do të ngadalësojë largimin e kuadrove të rinj në botën e jashtme. Njëkohësisht, Mali i Zi si demokraci në zhvillim, me integrimin maksimal të pakicave në sistemin e vlerave, do ta dëshmojë pozicionin e vendit lider në miratimin e parimeve të pranuara në rrafshin më të gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili ende nuk mund të lavdërohet me nivelin e arritur në zgjidhjen e çështjeve të shumta nga kjo fushë. Sa më shumë që të jenë popujt pakicë dhe bashkësitë tjera të pakicave aktive dhe të integruara në bashkësinë e gjerë shoqërore, aq më parë do të krijohen kushtet për përparimin më të shpejtë dhe më të suksesshëm të gjithë shoqërisë në procesin e integrimeve drejtë BE-së.
(Autori është politolog, magjistër i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)