Politika ruse dhe Ballkani, historia që tregon më mirë realitetin
Zef Mazi
Ballkani gjithmonë ka qenë një gadishull ku janë përplasur qytetërimet. Sipas Huntington-it, “qytetërim është një entitet klulturor”. Ai identifikoi tetë qytetërime të tillë, një prej të cilëve është ai sllavo-ortodoks. Qytetërimet ndryshojnë nga njeri tjetri nga historia, gjuha, kultura, traditat dhe, mbi të gjitha, nga feja. Huntington-i argumentonte se “çdo qytetërim kishte dhe ka një shtet kryesor, qendror, si mbrojtës”. Historikisht Rusia ka qenë dhe është mbrojtësi i qytetërimit sllavo-ortodoks.
Gadishulli i Ballkanit dhe rajoni i Evropës jug-lindore kanë qenë historikisht zona ku ka qenë dhe është përqendruar politika e jashtme e Rusisë, zona e influencave kulturore dhe e përçapjeve të saj për te përhapur solidaritetin ortodoks dhe sllav. Kjo ka qenë një konstante e përhershme e jetës publike ruse, ashtu vazhdon edhe sot. Ky fakt nuk është diçka e re, ai nuk duhet të habisë askënd.
Është e njohur se pasi humbi Luftën e Madhe të Krimesë në vitet 1853-1856, influencat kulturore ruse në rajonin e Evropës jug-lindore u shtuan për disa arsye: së pari, për të mposhtur rivalitetin (romako-katolik) të Habsburgëve, së dyti, për të përhapur idenë e pan-sllavizmit në atë pjesë të Evropës. Në thelb, Lufta e Madhe e Krimesë ishte, si të thuash, luftë britanike kundër Rusisë për të arritur që t’i vinte “stop” fitoreve të tjera të mundshme të Rusisë ndaj Perandorisë Osmane.
Pas asaj lufte, për Rusinë u bë e qartë se armiqtë e saj ishin Fuqitë e Mëdha të Evropës Perëndimore, veçanërisht Mbretëria e Bashkuar. Kujtoj se marrëveshja e fundit politiko-ushtarake midis Rusisë dhe Mbretërisë të Bashkuar u nënshkrua në vitin 1907, vetëm pasi arritën të ndanin sferat e influencës në Persi (Irani sot). (Konventa ruso-britanike mbi Persinë e vitit 1907 e ndau Persinë ne seksionin verior, nën influencën ruse, në pjesën neutrale në qendër, dhe në seksionin jugor, nën influencen britanike.) Zor të thuhet sot sesa vite të tjera mund të duhen para se të mund të shohë përsëri dritë një marrëveshje tjetër e asaj natyre midis këtyre dy vendeve!
Rritja e ndjenjave pan-sllave mbi bazën e origjinës sllave, të gjuhës të përbashkët paleosllave, e ngulitur veçanërisht mbi ndjenja emocionale të çlirimit të popujve sllavë të jugut nga zgjedha otomane, u nxit deri në ekzagjerim ne Rusi nga rivalliteti politiko-ekonomik ndërmjet Rusisë, nga njëra ane, dhe Monarkisë të Habsburgëve dhe Perandorisë gjermane, nga ana tjetër.
Tre kanë qenë interesat thelbësore ruse ne gadishullin e Ballkanit dhe Evropën jug-lindore: 1) strategjike, 2) kulturore, dhe 3) fetare.
Nga pikëpamja strategjike, diplomacia ruse gjithmonë e ka konsideruar Ballkanin dhe Evropën jug-lindore si rajone të domosdoshme, jetike, për sigurinë e shtetit rus dhe, mbi të gjitha, për stabilitetin e kufijve të shtetit rus. Nuk është i panjohur synimi rus për të pasur kufi të leverdishëm në Besarabi (sot Republika e Moldavisë), si dhe për të ushtruar kontroll mbi ngushticat e Bosfor-it dhe Dardanele-ve. Të dyja këto ngushtica morën rëndësi të madhe për zhvillimin tregtar dhe ekonomik dhe për projektet gjeopolitike të Rusisë, veçanërisht për transportin e mbi-prodhimit të grurit nga Ukraina e sotme, ose nga Rusia e Vogël, siç edhe njihej atëherë, drejt tregjeve botërore.
Ngushticat e Bosfori-t dhe Dardanele-ve janë bërë kësisoj pjesë e “zonës të sigurisë” të Rusisë, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Preokupimi thelbësor rus ka qenë, së pari, të ruhej kalimi, apo tranziti i lirë, përmes ngushticës të Bosforit në Detin Mesdhe dhe, njëkohësisht, së dyti, të bllokohej ekspansioni i Fuqive të Mëdha Evropiane, veçanërisht i Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, në këtë rajon, kryesisht në pjesën lindore të tij.
Po të kihen parasysh interesat ruse në Ballkan dhe në Evropën jug-lindore, çka erdhi falë agjitacionit dhe propagandës pan-sllave ruse, Rusia ia doli me sukses që, nga viti 1870 e këtej, të krijonte dhe të zhvillonte me tej interesat e saj të forta ndaj fateve të sllavëve të Ballkanit dhe të krishterëve ortodoksë të Evropës jug-lindore. Mbështetur në mitin e solidaritetit sllav dhe, se pari, në reciprocitetin ortodoks sllav, çka ngjalli ndjenja të forta etnike, fetare dhe kulturore nder popullsitë ortodokse sllave (por jo ndër sllavët katolikë të romakë – të Kishës të Romës), nga fundi i shekullit 19-të pan-sllavizmi u bë një ndër forcat dominuese shtytëse të politikës ruse në Ballkan dhe në Evropën jug-lindore. Miti i solidaritetit dhe vëllazërisë sllave pati ndikim të konsiderueshëm në shumë intelektualë. Ai gjeti mbështetje në qarqet zyrtare në Rusi, Serbi, Mal te Zi dhe Bullgari, sidomos pasi Rusia arriti të çlirojë bullgarët në vitin 1878.
Gjatë gjithë kohës Rusia cariste u përpoq që t’i pajtonte kombet sllave që ndodheshin në konflikt, veçanërisht ata të besimit të krishterë ortodoks, për hir të idealeve pan-sllave të solidaritetit, reciprocitetit dhe vëllazërisë ndërmjet sllavëve. Si shembull i qartë i ndikimit të pan-sllavizmit rus mund të shërbejë konflikti serbo-bullgar (1912-1915) mbi Çështjen Maqedone. Rusia arriti të bëhej, si të thuash, krijuesja e traktatit serbo-bullgar të vitit 1912. Për më tepër, ajo u njoh edhe si arbitër në konfliktin diplomatik midis Serbisë dhe Bullgarisë për fatet e Maqedonisë gjatë Luftërave Ballkanike.
Ne atë rast politika ruse e Ballkanit ishte realisht pan-sllave, sepse Shen Petersburgu (qyteti) donte që të kënaqeshin pretendimet territoriale të të dyja palëve përmes negociatave dhe përmes një marrëveshje diplomatike midis Sofies dhe Beogradit. Prandaj, kur Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë (23 korrik 1914), të gjithë shtetet anëtare të Antantës, përfshirë Rusinë, i bënë presion Serbisë që t’i jepte kompensim territorial Bullgarisë (Vardarin e Maqedonisë) për të siguruar futjen e Bullgarisë në luftë kundër Fuqive Qendrore.
Ashtu si në rastin e Traktatit të Fshehte të Londrës të vitit 1915, të cilit iu çjerr maska duke u bërë publike nga Franz Jozefi (i Austrisë) po atë vit përmes botimit në Gazetën “Wiener Zeitung”, Serbisë iu premtuan koncensione territoriale në ato zona të Ballkanit Perëndimor të populluar nga serbët etnikë që jetonin në Monarkine Dyshteteshe (në Bosnjë- Hercegovine, Slloveni dhe Dalmacinë e Jugut). Nga ana e tyre, rusët i bënë premtime të mëdha Serbisë, por Serbia nuk i mori parasysh premtimet dhe propozimet ruse dhe, si pasojë, humbi 25 % të popullsisë të saj gjatë Luftës të Parë Botërore, humbi 50 % të industrisë dhe, çka ishte më e rëndësishmja, humbi shtetësinë e saj; u krijua një Jugosllavi anti-serbe, pa lidhje të forta, në fakt, siç do dilte më vonë, shkatërruese, me kroatë dhe sllovenë katolikë që nga serbët dhe rusët shiheshin si “kolona e peste” e Vatikanit, pa pasur nevojë të përmendim dhe të shtojmë këtu kombësinë shqiptare dhe trojet e saj në Ballkan.
Ajo qe vihet re sot, apo lëvizjet e ndryshme gjeo-politike në këtë zonë nga Rusia, siç duket qarte nga vështrim i shkurtër historik, nuk është as e re, as nuk duhet te shihet apo te merret si diçka e habitshme. Ajo është thjeshtë vijimësi interesash.
(Zef Mazi, ka qenë ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë pranë Agjencisë Ndërkombëtare te Energjisë Bërthamore dhe ish-asistent Special për Strategjinë i Drejtorit te Përgjithshmen të kësaj agjencie)