
Politika serbe – Arti i mashtrimit dhe skena ndërkombëtare
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Historia, një dëshmitare e heshtur, por e pagabueshme, e ka shpalosur tashmë përpara botës atë që qarqet politike dhe diplomatike, si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, duhet ta kenë kuptuar prej kohësh: politika serbe, sa herë që është ndjerë e rrethuar dhe e ngushtuar në hapësirat e manovrimit të saj, ka zgjedhur rrugën më të errët dhe më të njohur për të—atë të mashtrimit, gënjeshtrës dhe shantazhit.
Ky është një ritual i njohur, një skenar i ripërsëritur që, si një dramë e keqe politike, kthehet në skenën e historisë sa herë që muret i afrohen. Dhe në këtë lojë të errët, nuk ka munguar kurrë një arsenal i sofistikuar intrigash, ku manipulimi merr formën e një arti të përkryer, ku fjala e shkruar dhe e thënë bëhet mjet i një strategjie perfide për të ngatërruar, për të shpërqendruar, për të vonuar të pashmangshmen.
Serbia, në udhëkryqet më të rëndësishme të historisë së saj, nuk ka zgjedhur ballafaqimin me të vërtetën, por arratisjen prej saj. Dhe kjo arratisje nuk ka qenë asnjëherë një hapësirë bosh, por një skenë ku ndërtohen mite, ku ngrihen narrativa të rreme, ku faji projektohet te të tjerët, ndërsa vetja paraqitet si viktimë.
Kush nuk e ka parë këtë skenar? Kush nuk e ka dëgjuar tingullin e një retorike të përsëritur, të kamufluar me fjalë të stolisura, por me një thelb që mbetet i njëjtë: të mashtrojë, të mbulojë të vërtetën, të shpëtojë nga përgjegjësia? Historia e re nuk ka bërë përjashtim. Sa herë që janë përballur me pasojat e veprimeve të tyre, drejtuesit serbë nuk kanë kërkuar rrugëdalje në pajtimin, por në dredhinë; jo në të vërtetën, por në përmbysjen e saj; jo në drejtësinë historike, por në tentativën për ta devijuar atë.
Por, sa mund të zgjasë kjo? Sa mund të mbijetojë një politikë e mbështetur mbi gënjeshtra kur bota gjithnjë e më shumë po e lexon historinë me sytë e fakteve? Sepse e vërteta, sado që të vonohet, vjen. Dhe kur ajo troket në derë, asnjë shantazh, asnjë dredhi dhe asnjë mashtrim nuk mund ta ndalë rrjedhën e saj.
Ka dhunti që lartësohen, ka dhunti që turpërojnë, e ka të tjera që, si hije të paepura, enden mes këtyre dy poleve, duke u shitur si virtyte apo duke u kamufluar si nevoja. E tillë është gënjeshtra në historinë e një populli që e ngriti atë në piedestalin e një mjeshtërie, si një gur themeli të identitetit të vet.
Dobrica Qosiq, me paturpësinë e një rrëfyesi të shpenguar, e pranon këtë trashëgimi, madje e glorifikon. Ai na mëson se gënjeshtra nuk është thjesht një shmangie nga e vërteta, por një art, një zeje e ndërlikuar, një vegël e ndërtimit të realitetit sipas nevojës dhe dëshirës. Ajo nuk është një dobësi, por një fuqi. Nuk është një mëkat, por një strategji e qëllimshme, një flamur i valëvitur në emër të patriotizmit, një mjet për ta bërë mashtrimin një kauzë kombëtare.
“Gënjejmë për të mashtruar veten dhe për të ngushëlluar tjetrin.” Ah, ç ‘fisnikëri ka në këtë shprehje! Çfarë grotesku i lartë! Gënjeshtra nuk është thjesht një manipulim i së vërtetës, por një akt i dyfishtë: një ilaç për shpirtin e vet dhe një opium për shpirtin e tjetrit. E keqja nuk përfytyrohet si një barrë, por si një ngushëllim; realiteti nuk merret si një fakt, por si një vizion që mund të formësohet sipas dëshirës.
“Gënjejmë për bamirësi.” Në këtë botë të përmbysur, gënjeshtra nuk është e liga, por mëshira; nuk është mashtrim, por dhembshuri. Një gjest i butë, një lule e helmuar dhuruar me qëllime të mira. Ajo është një akt zemërgjerë, një pëshpërimë e ëmbël në veshët e atyre që duan të besojnë, një përrallë që i bën njerëzit të ndihen më pak të humbur.
“Gënjeshtra nuk na frikëson, por na trimëron.” E vërteta është një barrë e rëndë për ata që nuk mund ta përballojnë. Prandaj, ata e zëvendësojnë atë me legjenda, me mite të sajuara, me histori të lavdishme të ndërtuara mbi tym. Ajo bëhet helm dhe ilaç njëkohësisht, një fuqi që trimëron sepse shkurton rrugën drejt madhështisë së rreme.
“Gënjejmë me dëshirë dhe për njerëzillëk.” Çfarë zbulimi madhështor! Gënjeshtra nuk është vetëm një nevojë, por edhe një dëshirë e shijshme. Ajo bëhet një ritual shoqëror, një gjuhë e pashkruar e komunikimit, një rregull që dikton marrëdhëniet dhe e vërteta bëhet e papranueshme, e paqytetëruar.
“Gënjeshtra është formë e patriotizmit tonë.” Ky është kulmi i arsyetimit. Kur mashtrimi bëhet atdhedashuri, kur realiteti zëvendësohet me një iluzion të stolisur, kur historia rishkruhet për të ushqyer krenarinë, atëherë populli nuk jeton më brenda historisë, por në mitologjinë e vet të sajuar. Dhe gënjeshtra bëhet vula e “zgjuarsisë”, shenja e një “inteligjence të lindur”.
Në këtë filozofi, e vërteta nuk është më një parim, por një pengesë. Ajo nuk është më një dritë, por një rrezik që duhet shmangur. Në këtë univers të përmbysur, gënjeshtra nuk është një thyerje e moralit, por një art, një zanat, një mënyrë jetese. Dhe kështu, popujt që e pranojnë atë si virtyt, e gjejnë veten duke ndërtuar pallate mbi rërë, duke mbrojtur kufijtë e gënjeshtrave të tyre me zjarr e hekur, duke u fshehur pas përrallave që vetë i kanë sajuar.
E vërteta, megjithatë, është si uji që gërryen shkëmbin – ngadalë, por pandalshëm. Dhe një ditë, edhe mitet më të forta do të thyhen përballë realitetit. Gënjeshtra mund të jetë një armë e fuqishme, por historia ka treguar se është gjithmonë e përkohshme. Sepse në fund, edhe ata që e kanë ngritur gënjeshtrën në art, do të përplasen me një të vërtetë që nuk mund ta fshijnë dot.
Historia nuk është veçse një pasqyrë, ku fytyrat e gënjeshtrave shfaqen e zbehen, ndërsa e vërteta, si një prush i pashuar, mbetet gjithnjë aty, duke djegur petkun e mashtrimit. Ne, që kemi ecur rrugëve të historisë me plagë në supe, e njohim mirë këtë fytyrë të shtrembëruar të gënjeshtrës, e cila për shekuj me radhë ka qenë arma e zgjedhur e një kolonizatori që nuk njeh kufij të ligësisë.
Kemi parë dhe përjetuar çdo mashtrim, çdo dredhi, çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën e për ta kthyer në një hije të padukshme. Serbia, e etur për zgjerim, e verbuar nga mania e zotërimit, nuk është ndalur para asnjë akti të errët. Ajo nuk ka zgjedhur rrugën e fjalës, por atë të plumbit; nuk ka kërkuar paqen, por përgjakjen; nuk ka njohur drejtësinë, por vetëm dhunën si ligj të vetin suprem.
Nuk do të harxhojmë fjalët për të numëruar një nga një politikat që ka përdorur, që nga dita kur u vërsul si një bishë mbi trojet tona e deri në këtë ditë. Nuk ka nevojë të zbërthejmë një histori që tashmë është e shkruar me gjakun e të pafajshmëve, me lotët e nënave, me rrënojat që dëshmojnë mizorinë. Mjafton të kujtojmë mashtrimet e vitit 1999, kur ajo përpiqej, me dëshpërim e paturpësi, të blinte kohën, duke u kapur pas fijes së hollë të shpresës se NATO mund të dorëzohej përpara lojës së saj të ndyrë.
Por koha nuk është gjithmonë aleate e gënjeshtrës. Ajo mund të vonojë të vërtetën, por nuk mund ta vrasë. Dhe kur qielli u mbush me zërin e avionëve të NATO-s, kur rrëqethet e tokës shpallën fundin e një epoke të errët, ajo qëndroi lakuriq përpara botës, e zhveshur nga çdo mashtrim, e turpëruar nga vetë ligësia e saj.
Por gënjeshtra nuk është një armë që Serbia e lë pas. Ajo nuk dorëzohet, nuk mëson, nuk pendohet. Sot, ashtu si dje, ajo vijon të shpikë dredhi, të sajojë marifete, të mbështillet me fjalë boshe vetëm e vetëm për të mos u ulur në tavolinën e bisedimeve. Nuk kërkon të dialogojë, por të shtyjë; nuk dëshiron të pranojë, por të manipulojë. Ajo nuk ndryshon, veçse përshtat helmin e saj sipas kohës, duke përdorur gënjeshtrën si një maskë që fsheh fytyrën e një ambicieje të vjetër.
Por një ditë, çdo maskë bie. Çdo hije zbulohet. E vërteta, sado e shtypur, sado e mohuar, ka një fuqi që askush nuk mund ta shkatërrojë: ajo mbijeton. Dhe në këtë betejë të gjatë mes gënjeshtrës dhe dritës së vërtetë, ne e dimë se kush do të mbetet në këmbë në fund.
Ka popuj që kohën e trajtojnë si një rrjedhë të shenjtë, si një testament të së vërtetës që shpaloset vetvetiu, si një domosdoshmëri për të ecur përpara drejt së drejtës. Dhe ka të tjerë që e trajtojnë si një lojë të pafundme, një mjet për ta deformuar të vërtetën, një terren ku dredhia bëhet strategji e mbijetesës.
Në çdo epokë, në çdo rrethanë, në çdo moment kritik të historisë, Serbia ka përdorur të njëjtin instrument të vjetër, të konsumuar, por për të gjithmonë të vlefshëm: blerjen e kohës. Ajo nuk e ka parë kurrë kohën si një hapësirë për reflektim, për ndryshim, për përballje me të vërtetën. Jo, për të, koha ka qenë monedha më e shtrenjtë për të zgjatur agoninë e mashtrimit, për të shtyrë të pashmangshmen, për të krijuar mjegull mbi atë që do të duhej të ishte e qartë si drita e diellit.
Sa herë që një vendim i rëndësishëm ishte gati të shënonte një të vërtetë në favorin tonë, sa herë që historia donte të mbante anën e drejtësisë, ajo ka zgjedhur të mos përballet, por të ikë, të mos pranojë, por të shtyjë. “Le të presim!” – ky ka qenë refreni i saj i pandryshueshëm. Në sytë e saj, koha nuk është një rrjedhë e natyrshme, por një shtrat i lakuar që mund të drejtohet sipas interesit.
Ajo ka luajtur me minutat, me muajt, me dekadat. Ka bërë sikur negocion, sikur mendon, sikur shqyrton, ndërkohë që në errësirë ka vazhduar të thurë plane, të ndërtojë strategji të reja për ta deformuar atë që është e pashmangshme. Dhe historia është dëshmitare: ajo nuk ka ndalur kurrë, nuk ka heshtur, nuk ka reshtur së manipuluari.
Por gjuha e kohës është ndryshe nga gjuha e mashtrimit. Ajo nuk mund të blihet pafundësisht, nuk mund të shtyhet pa cak, nuk mund të kthehet në një aleate të përjetshme të gënjeshtrës. Ka ardhur dita kur ora nuk mund të ndalet më, kur akrepat nuk kthehen më prapa, kur e vërteta nuk mund të vonohet me justifikime boshe.
Në këtë betejë të gjatë, mes atyre që kërkojnë drejtësi dhe atyre që kërkojnë kohë për ta vonuar atë, fundi është i shkruar: Koha nuk mbron ata që e përdorin si marifet. Ajo i përplas mbi murin e së vërtetës. Dhe aty, nuk ka më kthim pas.
Ka diçka të përjetshme në lojën e saj, një lodhje ciklike e historisë, një përpjekje e dëshpëruar për të ndryshuar fatin duke shkelur mbi të vërtetën. Serbia e di, dhe ata që e udhëheqin e dinë po ashtu, se loja e saj nuk do të sjellë asgjë të re, nuk do të ndryshojë rrjedhën e historisë, nuk do të mbajë peng të ardhmen përgjithmonë. Por, dreq o punë, ajo do të vazhdojë të luajë, me dinakërinë e një aktori që refuzon të dalë nga skena, edhe kur perdja ka rënë prej kohësh.
Do të kërcënojë, do të shantazhojë, do të ngrejë zërin për t’u dukur më e rëndësishme sesa është, për të krijuar peshë aty ku ka humbur rëndësi. Në skenën evropiane, ajo do të paraqitet si faktori kyç, si çelësi i paqes, si zëri që duhet dëgjuar. Por prapa kësaj fasade, ajo është veç një marifet, një politikë e vjetër e mbështjellë me fjalë të reja, një dredhi e konsumuar që kërkon të ripërsëritet pafundësisht.
Herë përkrah Rusinë me servilizmin e një aleati të vjetër, herë shfaqet si tregtare e luftërave duke i shitur armë Ukrainës, sikur të mos ishte e lidhur me Kremlinin. Herë kthen sytë nga Kina, duke bërë sikur gjen shpëtim në krahët e saj, e herë përshtatet me politikat amerikane, kur e sheh se interesi i saj kërkon një rrugë tjetër. Ajo nuk ka asnjë aleat të përhershëm, nuk ka miqësi të sinqerta, nuk njeh as parime e as besnikëri. Ka vetëm një mision: të mbijetojë në këtë teatër të mashtrimit, duke ndryshuar maskën sipas nevojës, por pa ndryshuar asnjëherë qëllimin.
Kjo është Serbia – një komb me shumë fytyra dhe me një qëllim të vetëm. Një manipulatore e vjetër, një lojtare e përbetuar e një strategjie që nuk i sjell asnjë të ardhme, veçse një përsëritje të përhershme të së shkuarës së saj të errët. Por historia ka treguar se maskat nuk mbajnë gjatë. As ato që mbulohen me fjalë të buta, as ato që mbrohen me kërcënime. Në fund, e vërteta i zbërthen të gjitha. Dhe kur ajo të vijë, nuk do të ketë më kohë për të blerë. Sepse koha që blihet, është gjithmonë një kohë e humbur.
Do të ishin llogaritë e tyre më të thjeshta, do të ishte loja e tyre më e lehtë, po të ishte bota një dëgjues i verbër e një spektator i paditur. Do të kishte Vuçiqi dhe Daçiqi rrugën të shtruar me gënjeshtra, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk do ta njihte artin e tyre të vjetër – atë të blerjes së kohës, të shtyrjes të së vërtetës, të maskimit të qëllimeve pas fjalëve boshe.
Por bota nuk është më aq naive. Nuk është më një tribunë ku Serbia mund të recitojë ligjëratat e saj të përsëritura, ku mund të paraqitet si viktimë, si palë e keqkuptuar, si engjëlli që kërkon vetëm të respektojë ligjin. Kjo strategji është një kostum i vjetër që është grisur nga historia, një lojë që nuk bind më askënd përveç vetes së saj.
Edhe si shumë herë të tjera, ajo kërkon të mbështjell botën me fjalë të ëmbla, të krijonte përshtypjen se është në kërkim të drejtësisë, se ndjek rrugën e ligjit, se dëshiron të jetë faktor i paqes. Por gënjeshtra e saj është e tejdukshme, roli i saj i “engjëllit” është i stisur, një shfaqje e rëndomtë që nuk mund të mashtrojë më ata që njohin të vërtetën.
Serbia nuk ndjek ligjin, ajo e përkul atë. Nuk kërkon të zgjidhë konfliktet, por t’i zvarrisë. Nuk synon të krijojë paqe, por të blejë kohë për të forcuar pozitat e saj. Ajo e di se realiteti nuk është në anën e saj, ndaj përpiqet ta ndryshojë atë përmes iluzioneve, përmes diplomacisë së dyfishtë, përmes një gjuhe që thotë një gjë dhe një veprimi që bën të kundërtën.
Vuçiqi e Daçiqi mund t’i bëjnë llogaritë e tyre sa të duan, mund të shpikin rrugë e marifete të reja, por një gjë është e qartë: askush nuk e blen më këtë iluzion. Bota nuk është më një dëgjues i durueshëm i monologëve të Serbisë. Dhe kur maska të bjerë – siç gjithmonë ndodh – do të mbetet vetëm fytyra e saj e vërtetë, ajo e një lojtareje të lodhur që nuk mund të fshehë më të shkuarën dhe të tashmen e saj. Dhe atëherë, koha që dikur e ka blerë, do të kthehet kundër saj.
Ka momente në histori kur mashtrimi shndërrohet në një përpëlitje të dëshpëruar, kur dredhia nuk është më një strategji, por një refuzim për të pranuar realitetin. Serbia, e kapur në grackën e vet, përpiqet me çdo kusht të zgjasë një ëndërr të shuar, të mbajë gjallë një iluzion që tashmë ka rënë nën peshën e së vërtetës. Por sa më shumë të mundohet, aq më qartë bëhet se loja e saj është e konsumuar, se fjalët e saj janë të zbrazëta, se politika e saj është një marionetë që i janë këputur fijet.
Shtetet që e kanë pranuar Kosovën si shtet – dhe ato që po përgatiten ta bëjnë – nuk janë më spektatorë të heshtur. Ata janë faktorë të mëdhenj të politikës globale, aktorë që e njohin mirë këtë teatër të vjetër të Serbisë, ku rolet ndryshojnë, por skenari mbetet i njëjtë: të shtyjë, të vonojë, të krijojë iluzione, të shpikë dredhi. Por bota nuk është më naive. Nuk është një publik që duartroket fjalët boshe.
Karremi i Serbisë është hedhur shumë herë në detin e diplomacisë ndërkombëtare, por tashmë uji i historisë është pastruar nga mjegullat e mashtrimit. Shtetet që njohin të vërtetën nuk do ta gëlltisin më këtë helm të ëmbëltuar. Ata e kanë parë se si ajo herë përkrah Rusinë e herë kërkon mbështetje nga Perëndimi, si përqafon Kinën dhe më pas i buzëqesh Amerikës kur i leverdis. Një gënjeshtër që ndërrohet sipas interesit nuk është diplomaci, është veçse një përpjekje e kotë për të mashtruar veten.
Dhe kështu, historia është e qartë. Përpëlitjet e saja nuk do të ndryshojnë të ardhmen. Kosova është dhe do të jetë. E bota, pavarësisht vonesave, pavarësisht zërave të lodhur që ende përpiqen të negociojnë me hije, e di të vërtetën. Serbia mund të zgjasë dorën për ta ndalur rrotën e kohës, por nuk ka forcë ta ndalë. Sepse ajo që është shkruar me gjakun e të pafajshmëve, ajo që është ngritur mbi themelet e drejtësisë dhe lirisë, nuk mund të rrëzohet nga intrigat e një shteti që ende nuk ka mësuar të jetojë me të vërtetën.
Dhe kur koha të ketë ecur përpara, e kur skena të jetë zbrazur nga aktorët e vjetër të mashtrimit, do të mbetet një e vërtetë e vetme: ata që përpëliten në errësirë, një ditë do të humbasin në të.
Ka shtete që ndërtojnë ura, e ka të tjera që ngulin thika në to. Ka kombe që ndërtojnë të ardhmen mbi themelet e së vërtetës, e ka të tjera që ndërtojnë një realitet të rremë mbi gënjeshtra, duke e kthyer mashtrimin në art, në zanat, në një mënyrë për të mbijetuar. Serbia është mjeshtre e kësaj loje të errët – ajo nuk kërkon të ecë përpara, por të ngatërrojë rrugët e të tjerëve, të mjegullojë të vërtetën, të krijojë probleme edhe aty ku toka është e qetë.
Ajo gënjen – dhe këtë nuk e bën me ndrojtje, por me arrogancën e dikujt që e ka bërë këtë zanat për shekuj. Mashtrimi është ligji i pashkruar i politikës së saj, një strategji që ndryshon maska, por kurrë qëllim. Në sytë e saj, e vërteta është veçse një pengesë që duhet anashkaluar, një dritë që duhet shuar, një peng që duhet shitur në tregun e diplomacisë ndërkombëtare.
Ajo manipulon – jo vetëm me fjalët, por me realitetin. Ajo nuk lufton me arsyetim, por me krijimin e krizave, me shpikjen e incidenteve, me ndezjen e konflikteve aty ku nuk ka zjarr. Si një dorë e fshehtë që lëviz fijet e një loje të pistë, ajo nuk vepron drejtpërdrejt, por i ushqen hijet, duke i lënë të tjerët të bëjnë krimet e saj, ndërsa vetë del e pa lagur, sikur të mos kishte dorë në asgjë.
Ajo dërgon grupe kriminelësh në Kosovë – jo si shkarje e rastësishme, por si një plan të menduar mirë. Ata kalojnë kufirin si hije, sjellin vdekje dhe frikë, e pastaj, si gjithmonë, faji i mbetet një individi, një grupi të vogël, një dëm kolateral që Serbia vetë nuk e pranon. Ajo është si një dorë që godet, por që fshihet pas errësirës, duke pretenduar pafajësi ndërsa ndjek rrugën e vjetër të dhunës dhe destabilizimit.
Ajo sjell armatim në rrugë të fshehta – jo për mbrojtje, por për provokim. Jo për të ruajtur paqen, por për ta sfiduar atë. Dhe kur armët gjenden, kur duart që i kanë sjellë zbulohen, Serbia nuk është aty. Ajo i lë fajet në supet e individëve të veçantë, duke u shfaqur si e paditur, si një palë që nuk ka dorë në këtë lojë, edhe pse ajo vetë i ka drejtuar fijet nga prapaskena.
Por sa gjatë mund të zgjasë kjo maskaradë? Sa kohë mund të fshihet dielli pas reve? Historia ka treguar se asnjë gënjeshtër nuk mund të zgjasë përgjithmonë, se asnjë manipulim nuk mund të mbetet i mbrojtur nga hija e vet. Dhe një ditë, kur Serbia të mos ketë më pas kujt të fshihet, kur gënjeshtrat e saj të bien mbi të si rrënoja të historisë, do të mbetet veçse fytyra e saj e vërtetë – ajo e një lojtareje të lodhur që ka humbur në lojën e vet.
Ka lot që burojnë nga dhembja, nga pendesa, nga pastrimi i shpirtit, dhe ka lot që rrjedhin si një strategji e ftohtë, si një maskë për të mbuluar fytyrën e një mashtrimi të vjetër. Serbia qan – por jo me lot të vërtetë, por me lot krokodili. Ajo nuk vajton për të kaluarën, por për përfitimet që kërkon prej saj. Ajo nuk qan për plagët që ka shkaktuar, por për lëshimet që dëshiron të fitojë nga bota. Në këtë teatër të mashtrimit, ajo kërkon benificione për një luftë që vetë e nisi, për një zjarr që vetë e ndezi, për një histori që e shkroi me gjakun e të tjerëve.
“Qëllimi arsyeton mjetin,” do të thërriste Makiaveli, sikur ta dëgjonte këtë lojë të errët. Dhe vërtet, për Serbinë, çdo gënjeshtër është një vegël, çdo manipulim është një rrugë drejt synimit, çdo dredhi është një hap drejt një realiteti të rremë që kërkon t’i imponohet botës.
Por mes këtij labirinti të mashtrimeve, shtrohet pyetja që s’duhet të anashkalohet: E ne, çfarë duhet të bëjmë?
Sepse dihet – në politikë, dezinformata dhe informata nuk kanë të njëjtën peshë. Një e vërtetë që vonohet është një e vërtetë e dobësuar; një gënjeshtër që nuk sfidohet në kohë, bëhet një hije që zgjatet mbi të ardhmen. Dhe pikërisht këtu qëndron sfida jonë më e madhe: të mos lejojmë që koha të punojë për mashtrimin.
Duhet të nxitojmë, jo për të ndjekur ritmin e gënjeshtrës, por për ta ndalur atë para se të zërë rrënjë. Duhet të veprojmë para se e pavërteta të marrë formën e një realiteti të sajuar, para se lotët e krokodilit të shndërrohen në prova të rreme për ata që ende nuk e kuptojnë lojën. Sepse historia ka treguar një gjë të thjeshtë: çdo e vërtetë që vonohet, e humb forcën për të qenë e besueshme, dhe çdo aktivitet i vonuar bëhet një hap që mund të mos ketë më efektin e duhur.
Kjo nuk është thjesht një çështje diplomacie apo strategjie politike. Është një çështje e ekzistencës sonë, e të drejtës sonë për të mos u deformuar nga manipulimi, e luftës sonë për të mos lejuar që gënjeshtra të bëhet pjesë e kujtesës historike. Sepse nëse e vërteta nuk ngrihet në këmbë në kohën e duhur, do të mbetet përherë nën hijen e mashtrimit.
Dhe në këtë betejë, heshtja nuk është opsion, vonesa nuk është luks. Koha është e gënjeshtrës vetëm kur e vërteta fle. Por kur ajo zgjohet, asnjë lot krokodili nuk mund ta mbulojë më dritën e saj.
Në politikë, koha nuk është thjesht një njësi matëse, një shifër në kalendar apo një varg i minutave që rrjedhin. Për një shtet të ri si Kosova, ajo është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja, është hapi i domosdoshëm drejt njohjes së plotë, është fryma që duhet shfrytëzuar për të konsoliduar të drejtën e fituar me mund dhe gjak.
Serbia e di këtë. Ajo e kupton se për të, vonesa është një aleat; për ne, një rrezik. Politika e saj nuk është ndërtuar mbi përballjen me të vërtetën, por mbi shmangien e saj. Nuk është e ndershme në qëllime, por mjeshtre e vonesave. Ajo nuk synon të fitojë beteja të drejta, por të zgjasë pasigurinë, të krijojë pengesa të vogla, që me kohë mund të bëhen pengesa të mëdha.
Blerja e kohës nuk është një strategji e pafajshme. Nuk është një vonesë e rastësishme apo një paaftësi për të marrë vendime. Është një qëllim i menduar mirë, një përpjekje për të zvarritur të pashmangshmen, për të lënë hapësira dyshimi, për të mbajtur të ngrirë një realitet që bota tashmë e ka pranuar. Dhe për një shtet si Kosova, edhe një shtyrje e vogël mund të ketë peshën e një bllokade.
Prandaj, asnjë vonesë nuk duhet injoruar, asnjë pretekst nuk duhet pranuar me naivitet. Serbia nuk blen kohë për të gjetur një zgjidhje – ajo e shpenzon atë për të penguar zgjidhjen. Ajo nuk kërkon të negociojë sinqerisht – ajo pret që të tjerët të lodhen, që bota të shpërqendrohet, që diplomacia të zbehet në ndërrimin e krizave globale.
Koha është një monedhë që ne nuk mund ta shpërdorojmë. Sepse në këtë garë mes së vërtetës dhe mashtrimit, ai që vepron me vendosmëri është ai që do të fitojë të ardhmen. Dhe për Kosovën, e ardhmja nuk mund të jetë një ëndërr e largët – ajo duhet të ndërtohet sot, pa pritur që tjetri të përcaktojë ritmin e historisë sonë.
Në rrjedhat globale politike miqësia është shumë e rëndësshme. Andaj, miqtë mund të fitohen lehtë, një dorë e shtrirë, një fjalë e ngrohtë, një interes i përbashkët, një rrethanë që i bashkon dy palë në një udhë të përkohshme. Por miqësia nuk është vetëm një takim i rastësishëm, as një aleancë e momentit. Ajo nuk është thjesht një fitore diplomatike apo një lëvizje strategjike. Miqësia është një fushë që duhet mbjellë me kujdes dhe kultivuar me durim, sepse rrënjët e saj nuk mbijetojnë nëse nuk ushqehen me besim dhe mirëkuptim.
Në rrugëtimin tonë si shtet e si komb, kemi mësuar se aleatët nuk mjafton vetëm t’i kemi – ata duhet ruajtur, mirëpritur dhe forcuar me veprime të ndershme dhe qëndrime të sinqerta. Një mik nuk është një trofe që fitohet njëherë dhe vendoset mbi raftin e historisë. Ai është një marrëdhënie që kërkon përkushtim, një lidhje që duhet ushqyer me vërtetësi dhe vlera të përbashkëta.
Një komb që dëshiron të ecë përpara, duhet të dijë të shtojë numrin e miqve, jo duke i mbledhur si gurë të rastësishëm përgjatë rrugës, por duke ndërtuar ura të forta që nuk shemben nga stuhitë e kohës. Miqësia është një art, një shkencë, një mjeshtëri që kërkon jo vetëm fitimin e aleancave, por edhe ruajtjen e tyre përmes respektit, reciprocitetit dhe mirëkuptimit.
Sepse në kohë të vështira, një mik nuk është thjesht një emër në listën e marrëdhënieve diplomatike – ai është një zë që qëndron pranë, një dorë që nuk të lëshon, një dritë që nuk fiket kur errësira të rrethon. Prandaj, le të mos kënaqemi me numrin e miqve që kemi fituar, por le të angazhohemi për t’i mbajtur ata afër, për t’i shtuar me mençuri dhe për të ndërtuar një miqësi që nuk thyhet nga koha.
Ka libra që lexohen si romane, e ka libra që lexohen si manifest, si pasqyrë e realitetit të një kombi që ka luftuar për të drejtën e vet të qenies. “Eksodi” i Leon Uris-it nuk është vetëm një histori e një populli, por një testament i fuqisë së vendosmërisë, një udhërrëfyes për ata që duan të kuptojnë se si lind dhe si konsolidohet një shtet përmes diplomacisë, sakrificës dhe përkushtimit të palëkundur.
Faqet e tij (541-559) nuk janë thjesht një kapitull në një libër, por një dritare drejt një angazhimi titanik, ku çdo votë në Kombet e Bashkuara nuk ishte e rastësishme, por një fitore e ndërtuar me mund, me fjalë të mençura, me lidhje të krijuara, me çdo mundësi të shfrytëzuar deri në detajin më të vogël. Asgjë nuk u la në duart e fatit, asnjë votë nuk u konsiderua e parëndësishme, sepse e ardhmja e një kombi nuk mund të lihet në mëshirën e rrymave të papërcaktuara – ajo duhet formësuar me vullnet dhe strategji.
Në botën demokratike, çdo vendim kalon përmes votës, dhe vota është pesha e së drejtës në balancën e historisë. Nëse një popull kërkon të jetë i njohur, i pranuar, i mbështetur, ai duhet të kuptojë se çdo votë ka peshë dhe çdo mbështetje duhet fituar me punë, me argumente, me qasje të mençur e të guximshme.
Historia nuk është tregim për ata që presin që e vërteta të pranohet vetvetiu. Ajo është fushëbetejë për ata që e kuptojnë se çdo gjë duhet ndërtuar, çdo aleancë duhet fituar, çdo e drejtë duhet kërkuar me vendosmëri. Dhe në këtë botë ku shumica vendos, është detyrë e atyre që e kanë të drejtën në anën e tyre të mos ndalen, të mos presin, por të veprojnë për ta bërë atë shumicë të flasë në favorin e tyre.
Sepse asgjë nuk dhurohet, çdo e drejtë duhet fituar. Dhe siç tregon historia, ai që punon, ai që lobon, ai që nuk lodhet duke kërkuar të drejtën e tij, në fund e sheh votën e botës të peshojë në anën e tij.