Politikanët e padijshëm më nxitën t’i rikthehem politikës
Kryetari i ri i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Therandë, Ramë Vataj, ka bërë me dije se shumë miq të tij dhe elektorati i PDK-së kanë ndikuar që t’i kthehet sërish jetës politike.
Ai ka pranuar se shtytjen më të madhe për ta marrë këtë vendim ia kanë dhënë veprimet e politikanëve të padijshëm në çështjet akademike.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se nuk duhet lejuar që për çështje të arsimit të marrin vendime politikanë të padijshëm.
“Duhet theksuar që një shtytje të madhe për ta marrë këtë vendim janë disa veprime të politikanëve të padijshëm, mos të them analfabetë, të cilët duke qenë në pozita të deputetit, ministrit, zëvendësministrit etj., të vendosin për çështje akademike. Këta të padijshëm vendosin për rektorë, për profesorë”, ka thënë Vataj.
Ai ka shprehur optimizëm se do ta fuqizojë PDK-në në këtë komunë, me aderime të reja dhe kthimin e aktivistëve dhe anëtareve të tjerë në ‘shtëpinë e vjetër’.
Sipas Vatajt, procesi i brendshëm zgjedhor do ta konsolidojë dhe fuqizojë PDK-në.
“Këto zgjedhje kanë treguar që PDK-ja në nivel të Kosovës, ka shtrirje të gjerë, elektorati i saj është besnik dhe sadopak lëvizjeve të vogla në partitë e tjera, ata do të rikthehen në PDK, sepse kanë kuptuar që vetëm PDK-ja dhe lideri i saj, z. Kadri Veseli, me një ekip të gjerë të intelektualëve mbrapa, mund t’i çojnë proceset e zhvillimit dhe shtetndërtimit përpara”, është shprehur Vataj.
“Epoka e re”: Z. Vataj, sapo jeni zgjedhur kryetar i Degës së PDK-së në Therandë. Si e kanë pritur elektorati dhe struktura e degës së partisë rikthimin tuaj?
Vataj: Në fillim ju përshëndes juve dhe lexuesit tuaj, duke ju falënderuar për interesimin rreth zhvillimeve të fundit në PDK, veçanërisht në Degën e Therandës. Kthimi im në PDK, në krye të Degës së PDK-së në Therandë, është bërë me kërkesën e një pjese të madhe të anëtarëve të devotshëm të PDK-së, themeluesve të saj dhe njerëzve të tjerë kontributdhënës para dhe pas luftës së fundit në Kosovë. Unë jam konsideruar faktor i unifikimit të të gjitha kategorive të mundshme të njerëzve, si ata intelektualë akademikë, të kategorive të luftës, të burgosurve politikë, të studentëve dhe njerëzve punëtorë të thjeshtë për shkak të historisë sime familjare dhe përvojës akademike. Duke qenë se PDK-ja ka një elektorat shumë besnik, i cili në zgjedhjet e fundit ishte pasivizuar, për arsye që nuk mund t’i jap këtu; pastaj prej dorëheqjes sime para pesë vjetëve, ka pasur një kohë pa kryetar të Degës, dhe strukturat janë pasivizuar dhe diku-diku janë shkapërderdhur, ka qenë kërkesë e të gjithë atyre që e duan PDK-në dhe rritjen e saj, të kthehem edhe një herë për ta riorganizuar dhe konsoliduar partinë, sikur më parë, kur edhe kemi dalë partia e parë në Komunën e Therandës në vitin 2010, në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare. Kjo kërkesë ka qenë permanente, në çdo takim në raste të përvjetorëve dhe tubimeve përkujtimore, apo evenimenteve në kuadër të komunës, ku unë asnjëherë nuk kam munguar. Edhe në ditën e mbajtjes së Konventës Zgjedhore, më 14 prill, e tregoi vullneti i delegatëve, dëshirën e tyre për t’u kthyer si kryetar, ku unë mora shumicën e votave, në një garë fer dhe të fortë mes tre kandidatëve, ndërsa nuk kisha bërë asnjë ditë fushatë gjatë kuvendeve zgjedhore nëpër nëndegë.
“Epoka e re”: Sa jeni të kënaqur me angazhimin e të rinjve dhe personaliteteve të reja në këtë degë?
Vataj: Tani është herët të flas për angazhimin e të rinjve dhe personaliteteve të reja në Degën e Therandës sepse nuk kam qenë i kyçur fare nëpër tubimet partiake. Di një fakt që janë zgjedhur disa kryetarë të rinj, njerëz intelektualë, të cilët nuk i kam pasur në struktura udhëheqëse kur kam qenë unë kryetar i degës. Mund të flas vetëm për takimet individuale me njerëz intelektualë dhe të rinj studentë apo të diplomuar, të cilët kanë premtuar se do të inkuadrohen në PDK dhe aktivitete të saj, nëse unë do të jem kryetar i Degës së PDK-së sepse, siç janë shprehur ata, “duam të dimë pas kujt po shkojmë, e dimë kush na prin” etj! Jam optimist se do të ketë aderime të reja, po ashtu kthim të aktivistëve dhe anëtarëve të tjerë në “shtëpinë e vjetër”, sepse e kanë kuptuar se askund nuk do të respektohen dhe vlerësohen më shumë se aty ku ka vlera. PDK-ja ka njerëz me vlera, të cilët e kanë dëshmuar vetën para luftës, në luftë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.
“Epoka e re”: Për disa vjet ju u larguat nga politika. Pse vendoset t’i riktheheni sërish politikës?
Vataj: Për gati pesë vjet kam qenë jashtë politikës për shkak të pozitës së rektorit në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Duke parë zhvillimet politike në vend dhe nivelin intelektual të cilin e kemi në Qeveri dhe Kuvend, pastaj edhe kërkesat e shumta të shokëve, miqve, bashkëpunëtorëve të mi profesorë, njerëz të arsimit dhe shkencës, elektoratit të PDK-së, vendosa të kthehem në jetën politike. Duhet theksuar se një shtytje të madhe për ta marrë këtë vendim janë disa veprime të politikanëve të padijshëm, mos të them analfabetë, të cilët, duke qenë në pozita të deputetit, ministrit, zëvendësministrit etj., të vendosin për çështje akademike. Këta të padijshëm vendosin për rektorë, për profesorë, për pozita të larta qeveritare, të udhëheqësve të agjencive, bordeve të universiteteve e institucioneve të tjera publike, se kush do të ketë hise më shumë të gllabërojnë gjithçka është e shtetit.
Ju si gazetarë mund ta dini, ose mund të hulumtoni, se kush janë anëtarë të këshillave drejtuese të universiteteve këtu në Prishtinë, në Prizren, në Mitrovicë etj. Është ofendim për të gjithë stafin akademik të universiteteve, që në Këshillin Drejtues të ketë mësues të shkollave të mesme, njerëz me mesatare në institucione private të dyshimta, vetëm të sapodiplomuar pa asnjë karrierë akademike e as jetësore në ndonjë institucion publik, kur Kosova ka shumë profesorë eminentë të dëshmuar gjatë karrierës së tyre akademike. Kush ka qenë kryetar i Këshillit Drejtues dhe anëtarë të tjerë të emëruar nga MAShT-i në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, kush është tash? Kush kanë qenë anëtarë të KD-së të emëruar nga MAShT-i në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren e kush është tash? E kështu me radhë… Njerëz që nuk dinë të flasin mirë shqip, e le më të shkruajnë drejtshkrim në shqip, vendosin për të ardhmen e studentëve tanë, të zgjedhjes së udhëheqësve të institucioneve publike, punësimeve pa kritere, për të cilat do të paguajmë edhe disa vjet në të ardhmen. Po shihet si e kemi gjendjen aktuale, ku rinia çdo ditë po e lëshon Kosovën, meqë këtu nuk sheh perspektivë, edhe pse shteti i Kosovës ka investuar në shkollimin e tyre disavjeçarë, po kuadro të gatshme u shkojnë vendeve perëndimore.
“Epoka e re”: PDK-ja deri tani ka përfunduar zgjedhjet e brendshme në shumë degë. Cili është vlerësimi juaj për këtë proces?
Vataj: Meqenëse nuk kam qenë pjesë aktive e procesit të zgjedhjeve në PDK nuk mund të flas me kompetencë për shkallën e realizueshmërisë së këtij procesi. Mirëpo nga ato që kam lexuar dhe dëgjuar përmes medieve, ky proces ka shkuar shumë mirë, në shumë degë janë zgjedhur kryetarë figura të reja intelektuale, apo njerëz me CV të mirë, të cilët janë prurje e re, që shton optimizmin e njerëzve dhe rritjen e besimit në Partinë Demokratike të Kosovës, në vizionin e saj për shtetndërtim dhe zhvillim krahas vendeve të tjera të Evropës dhe besim në liderin e saj, z. Kadri Veseli.
“Epoka e re”: Sa besoni se këto zgjedhje do të ndikojnë në fuqizimin e PDK-së, sepse sondazhet e fundit nuk po e nxjerrin mirë këtë parti?
Vataj: Këto zgjedhje kanë treguar se PDK-ja në nivel të Kosovës ka shtrirje të gjerë, elektorati i saj është besnik dhe, sadopak lëvizje të vogla në partitë e tjera, ato do të rikthehen në PDK, sepse kanë kuptuar që vetëm PDK-ja dhe lideri i saj, z. Kadri Veseli, me një ekip të gjerë të intelektualëve mbrapa, mund t’i çojnë proceset e zhvillimit dhe shtetndërtimit përpara. Ikja dhe pozicionimi i anëtarëve në parti të tjera, unë mendoj se është bërë për shkak të gjendjes së rëndë sociale, ku partitë e vogla, të cilat i ka “ngjallur” PDK-ja, me koalicionin e bërë së fundi, duke mos pasur mjaftueshëm anëtare, i ka futur nëpër punë të ndryshme, pa kritere, vetëm për përfitime politike. Kjo ish-anëtarësi e PDK-së nuk është me bindje në partinë tjetër. Është anëtarësi e interesit. Dhe kjo zgjat vetëm sa të zgjatë kontrata e përkohshme. Kur po e shohim që këta liderë dhe politikanë të partive të tjera të rritura artificialisht, me joshje, kanë punësuar anëtarët e vet të familjes apo akraballëkut të vet, atëherë zgjidhjen e qëndrueshme dhe afatgjatë e shohin në subjektin kur kanë pasur respekt më shumë, aty ka janë shumica e shokëve të hershëm që kanë ndarë çdo vështirësi mes vete, dhe shumica janë kthyer në PDK.
Nuk kam qasje në rezultate të sondazheve dhe nuk e di sa të besueshme mund të jenë ato, prandaj po ia lëmë kohës që ta japë sondazhin më të mirë sepse, siç po shihet, zgjedhjet në nivel kombëtar i kemi afër. Mendoj se PDK-ja procesin e zgjedhjeve të brendshme do ta përfundojë brenda muajit maj të këtij viti, me ç’rast do të dalë më e fortë dhe e konsoliduar se të gjitha partitë e tjera, dhe ajo do të jetë e gatshme për çfarëdo sfide.
(Muhamet KOCI)