Politikani austriak: Vuçiqi po planifikon luftë në Ballkan, ku pritet të godasë
Politikani austriak, Gunther Fehlinger, ka bërë disa deklarata të forta në lidhje me situatën e sigurisë në Ballkan.
Nga Prishtina, ku ka marrë pjesë në ceremoninë për përkujtimin e masakrës së Krushës, Fehlinger ka thënë për “Euronews Albania” se Vuçiqi po planifikon luftë në Bosnjë dhe veriun e Kosovës.
Politikani austriak i bëri apel NATO-s që të jetë e përgatitur për t’iu kundërpërgjigjur përpjekjeve për destabilizim të Ballkanit të presidentit serb.
“25 vjet më parë ndodhi masakra e Krushës dhe sot ata janë të gatshëm t’i përsërisin ato veprime. Ata nuk kërkojnë falje por janë gati t’i përsërisin, kjo është politika e Vuçiqit dhe Daçiqit. Mua më vjen shumë keq për njerëzit në Krushë të Madhe dhe ceremonia e djeshme ishte një përkujtim i gjenocidit serb. Serbia me Rusinë po përpiqen të rishkruajnë historinë, ta ndryshojnë atë. Personalisht mbeta i kënaqur që përpjekja e Rusisë dhe Serbisë dështoi të diskutohej në Këshillin e Sigurimit. Vuçiqi po planifikon një luftë në Bosnjë dhe në veri të Kosovës është e nevojshme që autoritetet e NATO-s të jenë në gatishmëri për t’iu përgjigjur. Ky është momenti që Vuçiqi ka kërkuar. Ai është gati të nisë një luftë dhe po pret momentin e duhur kur të godasë. Kjo është shumë e rrezikshme për të gjithë ne”, ka thënë Fehlinger për “Euronews Albania”.