Politikani serb: Edhe pesë vendet mosnjohëse të Kosovës qëndrojnë prapa marrëveshjes së Ohrit

03 nëntor 2023 | 11:34

Përkundër faktit që disa anëtarë të Bashkimit Evropian (BE) ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pritshmëritë e shprehura nga Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Prishtinë dhe Beograd, duke përfshirë edhe atë që Serbia duhet ta njohë de facto Kosovën janë shpallur në emër të të gjithë BE-së. Kështu ka vlerësuar politologu serb, Dimitrije Milliq, raporton portali serb “Kosovoonline”.

Ai ka thënë se nuk është asgjë e pazakontë, pasi që pas propozimit franko-gjerman qëndrojnë edhe vendet mosnjohëse të Kosovës nga BE-ja

“Kur themi njohje de facto, kjo kryesisht i referohet njohjes së dokumenteve dhe njohjes së institucioneve, e “jo njohjes në nivel ndërshtetëror”. Pas marrëveshjes së Ohrit janë edhe vendet që nuk e njohin Kosovën, në fund të fundit edhe Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë i BE-së, vjen nga Spanja e cila nuk e njohu Kosovën, si dhe i dërguari special për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, vjen nga Sllovakia”, ka pretenduar Milliq.

Ai ka thënë se zgjidhja e ofruar përmes marrëveshjes franko-gjermane dhe aneksit të Ohrit është në fakt produkt i marrëveshjes së të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Kjo zgjidhje që ju merrni nga BE-ja ndaj Serbisë është një zgjidhje pas së cilës qëndrojnë të gjithë anëtarët. Natyrisht për të ndërmarrë hapat e vendosura brenda BE-së, është i nevojshëm konsensusi në Këshillë, gjë që është vështirë të arrihet. Megjithatë, kjo zgjidhje që është në marrëveshjen e Ohrit është një zgjidhje që mund të bashkojë disi të gjitha interesat brenda BE-së për këtë çështje. Sepse, përderisa nuk keni njohje të qartë, ajo disi mund të funksionojë për vende si Greqia. Në fund të fundit, një numër vendesh që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, si Sllovakia apo Greqia, në kuptimin praktik sillen sikur të jetë shtet i pavarur për sa i përket dokumenteve apo investimeve në Kosovë. Për këtë arsye Bashkimi Evropian ka disa pritshmëri nga Serbia”, ka përfunduar Milliq

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dje, në moshë të re, i ka dhënë fund jetës,…